
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka vendosur të eksplorojë Syrin e Kaltër të Beratit, pas akuzave të forta që bëri nga Tirana se po përpiqen t’i bllokojnë llogaritë e Partisë së Lirisë.
Meta, i cili muajt e fundit ka publikuar video teksa eksploron bukuritë e natyrës shqiptare, shihet teksa hidhet nga shkëmbi në Syrin e Kaltër.
“Përshëndetje të gjithëve nga “Syri i Kaltër” i Beratit, Sineci”, shprehet Meta përpara se të zhytet në ujë.
“Çfarë mrekullie, freskie dhe kaltërsie”, shkruan ai krahas videon së shpërndarë në rrjetet sociale.
Gjithashtu, Presidenti u PL-së postoi edhe një video me disa të rinj dhe të reja, që sipas tij, i zbuluan këtë mrekulli të natyrës.
Ai i ftoi të gjithë që të vizitojnë Syrin e Kaltër të Beratit, teksa shtoi se me Sinecin bëhet më atraktiv dhe konkurrues, ndërsa theksoi se duhet mbrojtur.
“Falenderoj të rinjtë dhe të rejat e Beratit që më ftuan dhe zbuluan këtë mrekulli, monument natyror unik që duhet ta vizitojnë të gjithë dhe duhet mbrojtur! Berati i UNESCO-s me Sinecin bëhet edhe në atraktiv dhe konkurrues!”, shprehet Meta.
Gjatë vizitës, Meta u takua edhe me kryetarin e PL-së në Dimal, Shkëlqim Tafa, ku theksoi se u diskutua për bujqësinë.
“Kënaqësi të takohesha në Dimal me Kryetarin e Partisë së Lirisë, z.Shkëlqim Tafa, këshilltari ynë bashkiak por edhe specialist i shquar i veterinarisë dhe bujqësisë.
Ndër 5 Prioritetet tona diskutuam në veçanti për bujqësinë, që ai e njeh aq mirë dhe me të cilën është aq e lidhur e ardhmja e komunitetit punëdashës të Bashkisë Dimal.
Pagesat direkte për fermerët për çdo prodhim dhe investim janë e vetmja rrugë për rimëkëmbjen e bujqësisë dhe rritjen e mirëqenies së fermerëve”, shkroi ai.
Lini një Përgjigje