TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Janar 2024, 12:17

A po e krijon Erdogan edhe në Shqipëri partinë e tij, si në Gjermani?

Shkruar nga Pamfleti

 

A po e krijon Erdogan edhe në Shqipëri partinë e tij, si në
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan /

Në këtë grup bëjnë pjesë ish-presidentë, ish-prokurorë e gjyqtarë, por edhe intelektualë të njohur që drejtojnë shoqata dhe që marrin para nga Ankaraja prej vitesh...

Vizita e njeriut më të besuar të Erdogan, ministrit të jashtëm Hakan Fidan në Tiranë, ka mbetur ende e mistershme.

Politikani që është përgatitur për të pasuar Sulltanin e rënduar nga diabeti, zhvilloi një vizitë në Tiranë, Sofje e Bukuresht, ç’ka ishte një intinerar jo i zakonshëm.

Zakonisht Tirana vizitohet së bashku me kryeqytetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Fidan, rëndësinë e tij diplomatike e kishte në Bullgari e Rumani. Ku është diskutuar për çështjet e rëndësishme të ngushticave të Detit të Zi, ku dy vendet janë pjesë.

Normalisht Tirana, nuk ishte në logjikën lineare të kësaj axhende ballkanike të Hakan Fidanit, aq më shumë se dy shtetet e mëdha që vizitoi janë anëtare të BE-së dhe nuk kanë lidhje me zhvillimet gjeopolitike mesdhetare apo të Ballkanit Perëndimor.

Por pikërisht tek kjo fshihet kleçka e kësaj vizite, e cila kishte një axhendë jo publike. Për të cilën nuk u fol fare.

Fidan, në mënyrë demonstrative publikoi një foto nga xhamia e Namazgjasë, e cila as ka mbaruar, e as ka një axhendë të qartë se kur do të dorëzohet.

Në vizitën e tij në xhami, përveç diplomatëve të ambasadës turke, krahu i djathtë i Erdogan, ka takuar edhe një grup personash që nuk njihen në publik, por që janë pjesë të komunitetit të besimtarëve muslimanë të deklaruar.

Në këtë takim nuk kishtë asnjë përfaqësues të Komunitetit Musliman Shqiptar, i cili është faktikisht armiku i Ankarasë. Por nga ana tjetër, në këtë takim nuk kishte as prej emrave të njohur të “rebeluesve” që kërkojnë fronin e KMSH-së. Të cilët prej kohësh e kanë ndalur betejën me institucionin klerikal që mbrohet fuqishëm prej amerikanëve. Këto të fundit kanë vënë veton edhe nuk lejojnë ndërhyrjen e Turqisë në institucionin klerikal musliman shqiptar.

E pikërisht këtu ka nisur përplasja, pasi Turqia po zbaton një plan të rrezikshëm për të ngritur një Bashkësi Islame Paralele në Tiranë, e cila do të ketë në xhaminë e Namazgjasë qendën e saj.

Përfundimisht ky objekt kulti nuk do t’i dorëzohet KMSH-së, duke ju dhënë një grupi imamësh që janë luajalë me Ankaranë. E ky grup do të krijojë një rrjet klerikal të vetëm, të cilët nuk do të jenë thjesht zyrtarë të fesë, por edhe më shumë.

Siç mësohet, plani është që klerikët që do të drejtojnë Xhaminë e Madhe, do të ftojnë njerëz që të krijojnë një lëvizje e cila do të marrë përmasa të qarta politike.

E cila sipas të gjitha gjasave do të jetë kyç për zgjedhjet e vitit 2025. Strategjia duket që të jetë një grupim lobues, që nëse nuk gjen marrëveshjen e duhur do të dalë si parti politike.

Përpjekja për këtë plan po bëhet në mënyrë jo publike, e si me magji, të gjithë njerëzit që janë aktivizuar prej kohësh për të kundërshtuar kreun aktual të Komunitetit Musliman Shqiptar janë vendosur në pritje. Të gjithë kanë pezulluar aktivitetin, e siç mësohet është vendosur pezullimi i planit për të marrë KMSH-në.

Nëse ndodh një KMSH alternative, atëherë rreziku është i madh, pasi mund të ndodhë, siç me Janullatusin, në vend të një qendre klerikale, të kemi një qelizë politike të Turqisë, e cila aktivizohet me kurdisje.

Para pak ditësh, Erdogan hapi degën e AKP-së në Gjermani, për të grumbulluar votat e të gjithë turqve në atë vend që janë me shumicë. E më pas për t’i përdorur si influencë politike. E njëjta strategji pritet të aktivizohet edhe në Tiranë, ku strukturat shtetërore turke kanë lëvizur fort kohët e fundit.

Instituti Kulturor “Jonus Emre” që është një strukturë e pastër e ministrisë së Jashtme turke, ka zhvilluar takime me njerëzit pro turq në mediat shqiptare, si dhe disa shoqata që marrin donacione të majme nga Ankaraja.

Deri më sot, votat e lobimeve pro turke në radhët e besimtarëve i ka menaxhuar Edi Rama, i cili ju ka dhënë poste të rëndësishme shtetërore, deri edhe diplomatike. Por Erdogan nuk është i kënaqur, pasi të gjithë këto zhvillime, i ka kontrolluar me kujdes Uashingtoni zyrtar. I cili nuk ka lejuar që këto qarqe t’i afrohen vijës së rrezikut, për të pasur një influencë mazhoritare.

Ndaj dhe Erdogan ka vendosur të thyejë vazon e të nxjerrë xhindët nga shisha. Në vitin 2025, votat që Erdogan kontrollon në Tiranë nuk do t’i shkojnë Edi Ramës. Sipas të gjitha gjasave këto grupe po bëhen një lob i bashkuar, që ka kohë që duken të koordinuar. Në këtë grup bëjnë pjesë ish-presidentë, ish-prokurorë e gjyqtarë, por edhe intelektualë të njohur që drejtojnë shoqata dhe që marrin para nga Ankaraja prej vitesh./Pamfleti

erdogan parti politike gjermania shqipëria

Lini një Përgjigje