Po sa të vërteta ka në deklarimin e Edi Ramës? Në thelb, e gjitha çfarë tha sot është një gjysmë e vërtetë, e siç e përmend ai shpesh ‘gjysëm të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha...
Edi Rama, sot në daljen e tij të zakonshme të monologut digjital, hodhi një shashkë që deri tani është diskutuar, hamendësuar, apo edhe aluduar.
Kryeministri i Shqipërisë tha se, në SPAK nuk janë më ata amerikanët që sipas tij “shkonin nga mëngjesi në darkë te stacioni i trenit”. Siç duket, i ka pasur ankth, ndaj e nxori me mllef, duke shtuar se Amerika ka ndryshuar politikë dhe nuk është si më parë.
Po sa të vërteta ka në deklarimin e Edi Ramës?
Në thelb, e gjitha çfarë tha sot është një gjysmë e vërtetë, e siç e përmend ai shpesh ‘gjysëm të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha.
Pasi është e vërtetë që me daljen e urdhrit ekzekutiv të Donald Trump, pezullohen të gjitha misionet jashtë vendit në kuadrin e ndihmës humanitare, asaj të drejtësisë, ushtarake, inteligjencës etj.. Siç është e vërtetë se një gjykatë federale e SHBA, e ka rrëzuar këtë urdhër ekzekutiv apo “ligj” siç i pëlqen Trumpit ta quajë, në teatrin kur firmos me lapustil në Zyrën Ovale (gjejeni kush e përdor lapustilin dhe madje e ka mbushur tryezën e punës me të tillë në nahinë tonë. Zakonisht e historikisht firmat hidhen me stilograf me bojë).
Sekretari i Shtetit Marco Rubio, ka nxjerrë një udhëzim për të gjithë këto misione që deri në sqarimin ligjor të qëndrojnë “in hold”. Që do të thotë se ka një situatë pauze kur të gjithë këto programe do të riaktivizohen. Praktikisht jemi në një situatë normale siç ndodh gjithmonë kur ndryshohet Presidenti i SHBA. E deri në shtrimin e rrugës, gjërat do të marrin udhë, siç ka ndodhur edhe në vitin 2017, kur Trump mori mandatin e parë.
Megjithatë, edhe nëse janë larguar këshilltarët amerikanë, kjo nuk është detyrë e Edi Ramës për ta ndarë, madje është një abuzim me detyrën. Pasi një informacion të klasifikuar e ka shpërndarë në publik, duke shkelur të gjitha rregullat institucionale.
Rama, e ka të gjithë mundësinë që me anë të mediave të veta të përhapë lajmin si një diversion, e të japë kështu efektin që kërkon. Pra pasigurinë për SPAK që qënkërkësh i braktisur nga aleatët. Por jo, e ka marrë përsipër ta bëjë në vetë të parë. Po pse? Sepse kërkon tu transmetojë prokurorëve të SPAK, një mesazh shantazhues të fortë, se gjasmë unë e di ça po ndodh, ndaj mos guxoni të kontrolloni e hetoni njerëzit e mi në terren.
Rastin ‘Veliaj’, të cilin duket qartë se Rama e ka lëshuar politikisht shumë herët, po e përdor si gozhdë nastradini për të dhënë një mesazhin: “Enough is enough”. Dhe nëse analizon me vëmendje komentet e patronazhistëve që komentojnë në faqet e tij, që nuk janë njerëz të thjeshtë por politikanë të tërhequr ose në pension të PS, e “këshillojnë”: mjaft me fjalët tani duam veprime me dorë të fortë nga ti.
Pra po jep të kuptojë se populli kërkon veprime, edhe pse ai nuk do. Edhe pse edhe bufi, jo ai i kënetës, e kupton se këto janë të stisura të gjitha.
Rama po kërkon ti thotë SPAK-ut se nuk do të lejojë më të ecin asnjë centimetër drejt tij dhe njerëzve të tij. Ka të dhëna se në SPAK kanë ardhur, sipas programit, ekspertë të FBI, që të ndihmojnë BKH për krimet e korrupsionit, të cilët nuk kanë ikur apo nuk janë pezulluar, pasi nuk kanë statusin e diplomatit. Por të asistentit që është kërkuar në bazë të marrëveshjes. Rama e di mirë këtë, ndaj kërkon të neutralizojë prokurorët që të mos avancojnë në hapjen e çështjeve të reja hetimore, të paktën dossiere që mund të kthehen më pas në akuzë, nëse e mendon prokurori.
Rama, një javë më parë i kërkoi Kryeinspektorit të ILD të nisë inspektimet ndaj SPAK, e sipas gjasave, nga java e ardhshme do të mbërrijë një ekip, i cili ka një procedurë standarde pune, që nuk se mund të prishë operacionet, por thjesht për të bezdisur. Edi Ramës, nuk i duhet kjo sepse inspektimi ha kohë, ai po kërkon një operacion drastik. Jo më kot e tha sot, se nëse fishkëlloj unë, bufi i Kënetës vjen menjëherë dhe e shkrijmë SPAK-un. Po të jetë burrë Sali Berisha, del publikisht e i thotë në konferencë se unë nuk do ta shkrij SPAK. Aty e gozhdon Ramën, e ka gjasa që edhe fiton pikë në zgjedhje, po a e bën Berisha? Jo, sepse e di se kjo lëvizje mund të sjellë fitoren e opozitës por burgosjen e tij apo familjarëve të tij. Përkatësisht atë që kërkojnë shqiptarët!/Pamfleti
Lini një Përgjigje