TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Shkurt 2025, 16:22

A forcoi USAID “regjimin diktatorial” në Tiranë? Fondet që përfitoi Shqipëria dhe akuzat e forta të ish-zyrtarit të Pentagonit

Shkruar nga Pamfleti

A forcoi USAID “regjimin diktatorial” në Tiranë? Fondet

Shqipëria përfitoi mbi 500 mln USD, Trump ‘mbyll rubinetin’...

Pas urdhrit ekzekutiv për ndalimin e fondeve, Trump ka bërë një goditje shumë të bujshme. Sipas mediave amerikane, sot i është vendosur dryni Agjencisë së  Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Kjo agjenci operon në Shqipëri prej më shumë se 30 vitesh dhe padyshim ka pasur një rol të rëndësishëm në shumë aspekte.

Sipas një njoftimi në faqen e vetë ambasadës së SHBA, që nga viti 1992 janë dhënë mbi 500 milionë dollarë asistencë dhe ndihma nga kjo agjenci.

Agjencia e  Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) operon në Shqipëri që në vitin 1992. Që nga ajo kohë, USAID ka dhënë mbi 500 milionë dollarë asistencë për të mbështetur Shqipërinë në tranzicionin e saj drejt një demokracie me bazë të gjerë dhe të orientuar nga tregu. Nën kuadrin e asistencës së huaj të Shteteve të Bashkuara, programi i USAID për zhvillim në Shqipëri rrit përgjegjësi dhe transparencë  më të madhe të qeverisë, zvogëlon korrupsionin, rrit konkurrueshmërinë  në sektorin privat, përmirëson  shërbimin e kujdesit shëndetësor, ndihmon në sigurimin e furnizimin energjetik të sigurt dhe të përballueshëm, si edhe redukton trafikimin e qenieve njerëzore. Në janar të vitit 2009, USAID filloi zbatimin e fazës së dytë të Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit në Shqipëri duke patur për synim reforma të tjera lidhur me problemet e korrupsionit në administratën publike dhe sistemin gjyqësor”, thekson ambasada.

Mirëpo një ish-zyrtar i Pentagonit, Michael Rubin, pak kohë më parë i ka paraprirë kësaj situate, duke lëshuar akuza të forta ndaj UASID, lidhur me mbështetjen që i jepte qeverisë “Rama”. Në një artikull të botuar nga “WashingtonExaminer”, ai shprehej se falë USAID është forcuar regjimi diktatorial i Edi Ramës.

Shtetet e Bashkuara kanë investuar mbi 27.5 milionë dollarë në programet e zbatimit të ligjit dhe reformës në drejtësi në Shqipëri. Vetëm programet kundër korrupsionit përfaqësojnë miliona dollarë, megjithatë Shqipëria bëhet gjithnjë e më e korruptuar ndërsa kryeministri Edi Rama kërkon ta kthejë Shqipërinë nga klubi evropian i demokracisë në autokraci të stilit turk. Në të vërtetë, Freedom House tani e rendit Shqipërinë si më pak të lirë se Qiproja veriore e pushtuar nga Turqia. Ndërsa mendimet e dëshirueshme ndonjëherë e bëjnë Freedom House të vonojë uljen e vendeve - këtu, refuzimi i gjatë i organizatës për të vlerësuar plotësisht kthesën e Turqisë është një rast i tillë - largimi i Shqipërisë nga demokracia tani është i pamohueshëm”, theksohej në shkrim.

Më tej ai ka përmendur dhe rastin e Arben Ahmetajt, duke e cilësuar si një gjueti shtrigash procesin ndaj ish-zv/kryminsitrit.

Merrni parasysh rastin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, një aktivist i demokracisë, i shkolluar në Universitetin e Kentakit, i cili u rrit në radhët politike shqiptare, ndërsa votuesit përqafuan orientimin e tij properëndimor.

Në korrik 2023, ndërsa ngritja dhe popullariteti i Ahmetajt filloi të kërcënonte kryeministrin shqiptar, prokurorët e SPAK kërkuan ti hiqej imuniteti dhe të arrestohej. Ahmetaj ishte me pushime jashtë vendit dhe nga frika për jetën dhe familjen, thjesht nuk u kthye. 

Ish-prokurorët amerikanë që verifikuan akuzat, arritën në përfundimin se ato ishin një farsë, e pambështetur nga asnjë provë. Rama akuzoi Ahmetajn për korrupsion në një tender për një incenerator mbetjesh në vitin 2015, por Ahmetaj nuk kishte asnjë rol në atë dosje. Akuzat se Ahmetaj pranonte udhëtime jashtë vendit u rrëzuan kur zëvendëskryeministri mundi të paraqiste fatura dhe deklarata bankare që vërtetonin se kishte paguar në atë kohë”, theksonte ish-zyrtari i Pentagonit.

Zyra kryesore e Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Uashington u mbyll papritur të hënën, dhe punonjësit u njoftuan me e-mail pak pas mesnatës që të mos paraqiteshin në punë, sipas disa burimeve që njohin çështjen.

Sipas udhëzimeve të drejtuesve të Agjencisë, selia e USAID në ndërtesën Ronald Reagan në Uashington, D.C. do të jetë e mbyllur për personelin e Agjencisë të hënën, më 3 shkurt 2025. Personeli i caktuar normalisht të punojë në selinë e USAID do të punojë nga distanca nesër, me përjashtim të personelit me funksione thelbësore në terren dhe mirëmbajtje të ndërtesës, të cilët do të kontaktohen individualisht nga drejtuesit e lartë”, thuhej në e-mail, një kopje e të cilit është siguruar nga CNN.

Kjo është shenja më e fundit shqetësuese për këtë agjenci ndërkombëtare ndihme me një histori të gjatë, e cila është vënë në shënjestër nga Presidenti Donald Trump dhe përpjekjet e Elon Musk për të reformuar qeverinë federale. /Pamfleti

Lini një Përgjigje