
Berisha u pyet sot në një emision mbi Gërdecin dhe ‘21 Janarin’. Ai mori në mbrojtje të birin, teksa tentoi të lajë duart me vrasjet para Kryeministrisë...
Sali Berisha nuk e fsheh delirin nga fitorja e Donald Trump. Ish-kryeministri ka shumë telashe me drejtësinë dhe shpresat e tij janë se tani ai do ja hedh paq dhe amerikanët do të mbyllin sytë para korrupsionit dhe vrasjeve shtetërore.
Berisha është nën hetim për korrupsion, teksa SPAK po heton gjithashtu “21 Janarin” dhe Gërdecin, ku vdiqën 30 persona. Te ky i fundit në skaner është djali i tij dhe duket se Berisha e ka frikën se mund t’i hapen edhe atij telashe. Berisha u pyet sot në një emision dhe ai mori në mbrojtje të birin, teksa tentoi të lajë duart me “21 Janarin”.
“Familja ime nuk ka lidhje me Gërdecin. Në mënyrë të pafytyrë e kanë ftuar 2 herë djalin tim. Por ata zbatojnë urdhra politike. Përsa i përket 21 janarit ai është një akt i organizuar nga Rama. Ka një deklaratë nga DASH që kërkon hetimin e organizatorëve, të atyre që qëlluan dhe me radhë. Në Shqipëri nuk ka njeri që nuk e di se organizator ishte Rama.
Unë qëndrova në zyrë dhe nderova flamurin, isha në krye të detyrës. Në hetime politike, kërkojnë veçse të fshehin të vërtetën e organizimit të atij akti të cilin unë I pari po të marrësh dokumentet, kam kërkuar hetim të pavarur e prokurorë ndërkombëtarë. Nuk kam kundërshtim të bëhet hetim”, u shpreh Sali Berisha.
Edhe dy ditë më parë Berisha foli për “21 Janarin”. Ai vijon të mos shprehë asnjë pendesë, ndonëse janë vrarë 4 bij nënash.
“U përpoqën me dhunë të merrnin pushtetin. Ka deklarata se kishin të tjera qëllime politike. Ta hetojnë dhe stërhetojnë 1000 herë. E vetmja gjë që kam deklaruar më mbrapa, ata duhet ta shpallin vrasje shtetërore pa dashje. Nuk ka qëlluar njeri direkt për të eliminuar. Aty hidhej dinamit ndaj tyre. Por me këtë cilësi, sikundër kanë bërë në raste të tjera, shteti dëmshpërblen më shumë. Për të tjerat janë të gjitha rrugët që të çojnë tek organizatorët e këtij krimi të shëmtuar. Garda ka ligj, ka dëshmitarë të eksponentëve të tyre se ka dhënë kush urdhër apo jo. Janë përpjekje të dëshpëruara. Mos harro se u vranë nja 5 në Kapitol Hill më 6 Janar. Pra unë nderova flamurin, detyrën time, qëndrova në zyrë”, tha ai.
Tani e ka në dorë SPAK, do dorëzohet përballë Berishës, apo do të vijojë punën pavarësisht ndryshimeve në SHBA. /Pamfleti
Lini një Përgjigje