
Kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi nuk e mohon mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme.
Edhe pse ai nuk e ka thënë drejtpërdrejtë, hapësirat për aludime janë lënë nga forca më e madhe politike në vend.
Në Asamblenë e Përgjithshme që u zhvillua një ditë më parë, me dyer të mbyllur, ka qenë kryeministri Edi Rama që ka dhënë udhëzime për përgatitje për zgjedhje të parakohshme.
E njëjta linjë është mbajtur edhe nga kreu i grupit parlamentar Bledi Çuçi, gjatë mbledhjes së sotme me deputetët, ku mësohet së ka deklaruar që tashmë jemi në fushatë dhe kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet.
Në një intervistë mbrëmjen e sotme Çuçi e ka lënë të hapur këtë mundësi.
“Nuk ka asnjë arsye apo frikë që të ketë zgjedhje të parakohshme”, ka thënë ai.
Sipas Çuçit nisja e përgatitjes për zgjedhje nuk është alarm, edhe pse është ende herët, duke marrë parasysh se zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë pas më shumë se një viti.
Kjo për kreun e grupit parlamentar socialist është diçka normale.
“Ne jemi partia më e madhe më e strukturuara më e konsoliduar, edhe në rajon PS e Shqipërisë është më e organizuara. Dhe është normale që një vit përpara zgjedhjeve të fillojmë organizimin kapilar dhe nuk ka të bëjë me një frikë apo paramendim për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Nuk është alarm, po të na keni ndjekur ndër vite gjithmonë e kemi bërë. Në çdo zgjedhje qoftë vendore apo qendrore, një vit përpara fillojmë organizmin e partisë që makinerinë tonë ta bëjmë gati për fushatën e radhës. Nuk ka asgjë të bërë ndryshe. Duhet të merret në konsideratë që një vit para zgjedhjeve numri që abstenon është shumë i madh”, tha ai në një intervistë për ABC News.
Zhvillimet e shumta në kampin politik çojnë në aludimin se vetë PS mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Nga njëra anë kemi një mosfunksionim të dialogut politik në parlament mes trazirave të krijuara nga opozita, dhe nga ana tjetër problemet e shumta që kësaj mazhorance i janë krijuar me drejtësinë, që nga afera e inceneratorëve e deri tek çështja McGonigal.
Vetëm së fundmi ish numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj, ka përmendur emra të rëndësishëm të Partisë Socialiste dhe të qeverisë Rama si të përfshirë në korrupsion, ndërkohë që arrestimet dhe hetimet nga SPAK për zyrtarë të kësaj mazhorance vijojnë.
Lini një Përgjigje