TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Maj 2025, 22:01

A do ta zbatojë Sali Berisha ‘nenin Basha’ për t’u larguar nga drejtimi i PD?!

Shkruar nga Pamfleti

A do ta zbatojë Sali Berisha ‘nenin Basha’ për t’u

Statuti detyron Berishën të dorëhiqet...

Partia Demokratike dhe koalicioni i drejtuar prej saj “Aleanca Shqipëria Madhështore” pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e 11 majit, pavarësisht se po shtohen zërat për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor. Diferenca mes demokratëve të Sali Berishës dhe socialistëve të Edi Ramës është mbi 30 mandate deputetësh në favor të PS-së, ose mbi 250 mijë vota në favor të së majtës.

Demokratët e Berishës kanë njoftuar se kanë prova dhe fakte të manipulimit, ndërsa po përgatisin edhe atë që konsiderohet si ‘dosja e zezë’ e zgjedhjeve të 2025, e cila më shumë për efekt të brendshëm, do të synojë të bindë faktorin ndërkombëtar, veçanërisht atë amerikan, lidhur me pretendimet për manipulime zgjedhjesh.

Dhe paralelisht me këto përpjekje, pyetja që shtrohet është: a do zbatojë Berisha statusin e miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021 për dorëheqje?

Bëhet fjalë për atë që kreu i PD-së e ka pagëzuar me emrin ‘Neni Basha’, që në statusin e kësaj partie është neni 46, pika 8.

Në këtë nen thuhet “në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithëshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie”.

Dhe ky nen që vetë Berisha e ka propozuar, miratuar dhe për të cilin ka debatuar gjatë edhe me të tijët për ta bërë pjesë të statusit, sot është në pikëpyetje nëse do e zbatojë ose jo.


Sot, nesër, pas 1 javë qoftë edhe 1 muaji, Berisha mund të gjejë një mijë e një arsye për të mos u larguar, duke përdorur çdo lloj pretendimi e argumenti se zgjedhjet ia vodhi Edi Rama, edhe pse u përbetua se zgjedhjet nuk do të prekeshin, se opozita kishte marrë masat, se ishin 4 rezoluta ndërkombëtare që damkosnin Ramën si manipulues.

Në fakt sot kemi një raport paraprak të OSBE/ODIHR që është më i ashpër se ai i zgjedhjeve të 2021, por në anën tjetër kemi një Kryeministër që ka marrë një shumicë pothuajse në kufinjtë e asaj kushtetuese, minimalisht 9 deputetë më shumë se ajo që ka pasur deri para 11 majit.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse Berisha do e pranojë zbatimin e nenit, pasi brenda partisë së tij nuk ka ende njeri që t’ia kërkojë dorëheqjen ose largimin, ndërsa vetë kreu i demokratëve ka deklaruar se ‘largimin e tij e ka në dorë Zoti’.  /Pamfleti/

A do ta zbatojë Sali Berisha ‘nenin Basha’ për t’u
Statuti i PD

Lini një Përgjigje