TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Dhjetor 2025, 13:04

"21 Janari", ish presidenti Bamir Topi flet pas daljes nga SPAK

Shkruar nga Pamfleti
"21 Janari", ish presidenti Bamir Topi flet  pas daljes nga SPAK
Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi

Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi ka reaguar për mediat pas daljes së tij nga SPAK, ku u pyet për çështjen e ’21 Janarit’.

Ai kërkoi mirëkuptimin e gazetarëve për të mos zbuluar detaje nga çështja, pasi është procedurë e sekretit hetimor.

“Kam qenë në atë kohë kryetar shteti. Kam folur vazhdimisht për ‘21 janarin’ në respekt të transparencës ndaj publikut. Por duke qenë se është process nën hetim nuk them dot më shumë se kaq. SPAK heton për të dalë tek e vërteta”, tha ai.

Hetimet për 21 Janarin nga SPAK

Hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit nisën nga SPAK korrikun e vitit të kaluar, pas regjistrimit për veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.

Ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha, e më pas ish Kryeministri Sali Berisha janë dy figurat kryesore, edhe në atë ngjarje, që janë thirrur deri më tani për t’u marrë në pyetje.

SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër e drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Insistimi i familjarëve të Aleks Nikës, viktima e vetme pa autor, bëri që dosja të rikthehej në vëmendje. Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, pas vendimit të Strasburgut, urdhëroi SPAK-un të hetojë 21 Janarin si krim shtetëror dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë. Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.

Çfarë ndodhi në 21 Janar 2011?

Më 21 Janar 2011, mbetën të vrarë katër protestues të opozitës askokohe gjatë protestave para Kryeministrisë.

Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika janë ata që u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë protestës së Partisë Socialiste, që ishte atë kohe në opozitë.  

Edhe pse kanë kaluar vite, kjo ngjarje nuk është zbardhur e plotë dhe familjarët e të ndjerëve vijojnë të kërkojnë drejtësi.

Katër viktimat, janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut” por drejtësia për këtë ngjarje të rëndë nuk është vënë në vend.

E gjitha nisi rreth orës 14:00 ku protestuesit e mbledhur nga e gjithë Shqipëria përshkruan  rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” përpara Kryeministrisë. Protesta u organizua nga PS, pas publikimit të videos Meta-Prifti. Ndërsa turma nisi me thirrjet kundër kyeministrit të atëhershëm, Sali Berisha. Në vetëm pak minuta fillluan edhe hedhjet e sendeve të forta drejt godinës së Kryeministrisë. Efektivët e Gardës duke parë që protesta po merrte të tjera dimensione, rreth orës 14:30 u shtuan edhe më shumë në oborrin e Kryeministrisë. Ndërsa një makinë me ujë me presion filloi të lagte protestuesit. Ky veprim irritoi edhe më shumë protestuesit, të cilët filluan të hedhin drejt Gardës sende të forta, pllaka trotuari dhe ç’tu dilte përpara. Në këtë moment ata u ngjitën në kangjellat e Kryeministrisë, por nuk arritën të futen brenda. Ndërsa një pjesë tjetër e protestuesve hipën edhe mbi godinën e Piramidës, nga ku godisnin me pllaka guri. Nga këto sulme, shumë efektivët të Gardës së Republikës pësuan një sërë dëmtimesh fizike. Pas kësaj, Garda reagoi duke qëlluar fillimisht me fishekë manovrë, ndërsa kur situata u tensionua edhe më shumë, filluan të qëllojnë me fishekë luftarakë në ajër.

Një pjesë e efektivë me shkopinj gome filluan të godasin dhe të nxjerrin jashtë protestuesit që ishin futur brenda kangjellave rrethuese të Kryeministrisë.  Ishte ora 16:10, nga Kryeministria u dëgjuan të shtëna armësh. Më vonë u vërtetua se qëlluan njëkohësisht Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, nga Kryeministria drejt turmës së protestuesve. Si pasojë, humbën jetën Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekura Deda dhe Faik Myrtaj. Po ashtu mbetën të plagosur edhe 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe gazetari Fatos Mahmutaj. Nuk vonoi shumë dhe Kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, doli në një konferecë për shtyp dhe tha se donin t’i bënin puç. Më vonë efektivët që qëlluan drejt turmës dhe lanë të vdekur 4 persona, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, dolën të pafajshëm nga Kryeministria.

bamir topi spak bamir topi 21 janari

Lini një Përgjigje