Le të jemi të qartë për diçka: Për Elon Musk dhe rreth 70 milionë amerikanë, Kamala Harris dhe Joe Biden janë thjesht kukulla, figura përfaqësuese të të ashtuquajturit Shteti Hije (Deep State), pra të atij segmenti të supozuar konspirativ, që u përpoq të vriste Trumpin (edhe ky një pretendim krejtësisht i rremë).

Shumat e parave që po shpenzohen në zgjedhjet aktuale presidenciale në Shtetet e Bashkuara, kanë arritur përmasa të frikshme, madje duhet thënë edhe skandaloze. Le ta themi hapur realitetin:politika në Amerikë blihet dhe manipulohet nga paratë.
Këtë vit për të zgjedhur presidentin dhe anëtarët e Kongresit, mandati i të cilëve skadon këtë vjeshtë, shpenzimet totale të fushatës do të arrijnë rreth 16 miliardë dollarë. Sipas të dhënave të mbledhura nga OpenSecrets, një organizatë jopartiake që gjurmon dhe analizon fluksin e madh të parave në politikën amerikane, kjo do t’i bëjë zgjedhjet e këtij viti më të shtrenjtat në historinë e SHBA-së.
Shpenzime marramendëse nga lobe të caktuara dhe grupe presioni të nxitura nga donatorë, shumë të pasur dhe miliarderë me prejardhje të ndryshme, të cilët mbrojnë interesat e tyre ogurzeza dhe jo të qytetarëve, përfshirë famëkeqet PAC (Komitetet e Veprimit Politik), aktive mbi të gjitha në gjirin e Partisë Republikane.
Dhe këtu duhen përfshirë të gjitha shpenzimet, si reklamat, postimet e sponsorizuara në rrjetet sociale, tabelat në rrugë, reklamat televizive dhe aktivitete të tjera për të promovuar kandidatë në nivel shtetëror. Në total, mbi 1 miliardë dollarë më shumë të shpenzuara në krahasim me të njëjtën periudhë të zgjedhjeve të vitit 2020.
Pyetja duket retorike:A mund të quhet kjo një demokraci e vërtetë? Dhe këtu kalojmë tek rasti skandaloz i Elon Musk, multi-miliarderit të vlerësuar shumë si themeluesi vizionar i Tesla dhe SpaceX, dhe për të cilin është thënë shpesh se po të mos të kishte lindur në Afrikën e Jugut, do të kandidonte vetë si kandidat për president në emër të Partisë Republikane.
Për fat të mirë ai nuk ka mundësi ta bëjë këtë. Megjithatë Musk është pozicionuar në këto zgjedhje hapur në krah të Donald Trump, më keq se një tifoz fanatik në stadium. Aq sjellja e tij lë në hije çdo lëvizje të ngjashme nga personazhet të tjerë super të pasur.
Elon po e përdor ndikimin dhe kontrollin e plaformës “X” për të mbështetur Donald Trumpin në garën presidenciale, pa bërë asnjë lloj përpjekje për ta fshehur këtë gjë. Përkundrazi e tregon këtë mbështetje në një mënyrë të pacipë dhe arrogante. Por një gjë është të mbështesësh një kandidat në një garë zgjedhore, dhe një gjë tjetër të ndikosh dhe manipulosh opinionin publik.
Musk ka bërë disa ndryshime të qëllimshme në algoritmet e ish-Tëitter-it (blerja e të cilit i kushtoi dhjetëra miliarda), për të përforcuar dukshmërinë e postimeve të tij në krahasim me ato të të tjerëve, përfshirë ato të presidentit Joe Biden dhe kandidates demokrate Kamala Harris.
Ai madje kërcënoi se do t’i pushonte nga puna teknikët, nëse ata nuk do t’i garantonin një ekspozim më të madh për mesazhet e Trump. Rezultati:dhjetëra miliona shikime. Shefi i Teslës e ka përdorur platformën X për të përhapur një ortek postimesh, në të cilat ai e përshkruan Kamala Harrisin si një kërcënim ekzistencial për Shtetet e Bashkuara.
Po ashtu, ai përhap gënjeshtra për të dhe demokratët, duke i akuzuar ata se po përpiqen të vendosin një sundim të përhershëm njëpartiak në Shtetet e Bashkuara. Dhe e bën këtë duke luajtur me retorikën e politikës anti-majtiste, e cila identifikon “regjimin” me rrjetet e mëdha televizive ABC, CBS, NBC dhe CNN, që akuzohen se i kanë mbështetur demokratët për vite me radhë.
Ky pretendim mund të jetë i vërtetë (edhe pse mediat e lajmeve, po ndiqen nga gjithnjë e nga më pak shikues), por është për të ardhur keq që ai ka përhapur edhe lajme të rreme që kanë bërë bujë.
Si për shembull në lidhje me manipulimet e mëdha zgjedhore, me rastet e paverifikuara të emigrantëve të paligjshëm që pretendohej se ishin regjistruar për të votuar në Arizona, akuza këto të hedhura poshtë zyrtarisht nga zyrtarët e këtij shteti.
Në një intervistë 90 -minutëshe dhënë në platformën X për gazetarin Tucker Karlson - gazetari i pushuar nga Fox News, pasi i akuzua për shpërndarjen e informacioneve të rreme mbi zgjedhjet presidenciale të parafundit, të cilat i kushtuan televizionit të Rupert Murdoch një dëmshpërblim prej 787.5 milionë dollarësh për kompaninë Dominion Voting Systems - Musk ishte i qartë mbi pasojat e mundshme personale në rastin e humbjes së Trump.
Nëse Kamala fiton, sipërmarrësi afrikano-jugor parashikon se kjo mund të çojë në pasoja të rënda për të, përfshirë burgimin. “Nëse humbet Trump, unë jam i marrë fund”- tha ai, duke bërë shaka me Carlson edhe për kohëzgjatjen e një dënimi të mundshëm me burg, dhe mbi mundësinë për të mos i parë në të ardhmen 12 fëmijët e tij.
“Nëse fiton Harris, zgjedhjet e nëntorit do të ishin të fundit në Amerikë”- theksoi më tej ai. Një deklarate me tone distopike dhe apokaliptike, dhe nga një miliarder që mbështet një miliarder tjetër (shumë më pak i pasur, dhe që plot 6 herë ka shpallur falimentimin e sipërmarrjeve të tij).
Le të jemi të qartë për diçka: Për Elon Musk dhe rreth 70 milionë amerikanë, Kamala Harris dhe Joe Biden janë thjesht kukulla, figura përfaqësuese të të ashtuquajturit Shteti Hije (Deep State), pra të atij segmenti të supozuar konspirativ, që u përpoq të vriste Trumpin (edhe ky një pretendim krejtësisht i rremë).
E si mund të votoni thotë ai, në mënyrë të lirë dhe demokratike, në një shoqëri në të cilën feja është zëvendësuar nga “virusi mendor i lëvizjes radikale të së majtës Woke (Zgjimi)”? Pra këtu dalim sërish tek temat konspirative oruelliane, të cilat tërheqin vëmendjen dhe gjejnë konsensus në këtë Amerikë, që si kurrë më parë është shumë e polarizuar dhe pa një busull për t’u orientuar.
Ndërkohë, teksa sondazhet pretendojnë se Trump dhe Harris gëzojnë një mbështetje publike thuajse të barabartë, disa dhjetëra mijëra vota në 3-4 shtete të lëkundura që do të jenë të destinuara të vendosin rezultatin e zgjedhjeve më 5 nëntorit.
Në pritje të “Surprizës së Tetorit”, e cila mund të përmbysë balancën e peshores nga njëra anë apo tjetra anë, ajo që ka një efekt mbi psikologjinë e masës, përtej disa sloganeve pa mbështetje konkrete është paraja. Gjashtëmbëdhjetë miliardë dollarë. Kjo është pra Amerika, të cilën bota e shkatërruar nga lufta, pret ta shohë të shkojë në votime në fillim të nëntorit.
Një komb, ADN-ja e të cilit - demokracia e themeluar mbi kapitalizmin - të tmerron, për të mos thënë të neverit. Mjerisht, përfundimi i këtyre zgjedhjeve do të jetë gjithashtu shumë i dukshëm:kjo deklaratë hyn në kategorinë e rasteve që duhet të cilësohen si të ekstremit të majtë. Dhe këtu mbyllet rrethi./Përshtati Pamfleti nga “Il Fatto Quotidiano”
Lini një Përgjigje