Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar këtë të shtunë kandidatin që do të garojë për Partinë Demokratike në Bashkinë e Sarandës.
Sipas PD-së së Alibeaj, Skënder Muço do të përfaqësojë demokratët në përballjen elektorale të 14 majit në këtë qytet.
“Skënder Muço, me profesion jurist, Mjeshtër Sporti në not dhe një nga figurat më të nderuar të Sarandës do të garojë për bashkinë e skajit jugor të vendit. Muço është i njohur veçse si një sportist i madh, pjesë e një familje kampionësh në not, gjithashtu edhe për kontributin e tij qytetar, gjë që e bën atë një kandidat potencial për bashkinë.
Ai është i martuar dhe baba i tre fëmijëve dhe prej disa vitesh një biznesmen i suksesshëm. Skënder Muço, është qytetar nderi i Sarandës, kontribues që në themelim në Partinë Demokratike, si dhe ka qenë po si përfaqësues i PD në Këshillin bashkiak”, thuhet në njoftim.
PD-ja nuk ka ende asnjë shenjë bashkimi edhe pse kanë mbetur pak kohë nga afatet për t’u regjistruar në KQZ për zgjedhjet e 14 majit. Përballë Berishës që tashmë ka nisur fushatën në të gjithë vendin, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar kandidatët e tij në 11 bashki periferike.
Deri më tani PD zyrtare, ka zyrtarizuar kandidatët në Mallakastër, Poliçan, Kuçovë, Kamëz, Lezhë, Krujë, Dibër, Kurbin, Dimal, Patos e Vaun e Dejës, disa prej të cilave njihen si bashki tradicionalisht të djathta, e që ndarja e votave i rrit mundësitë PS për t’i mbajtur.
Mirëpo, para se të shkohet në zgjedhje, sfida e PD së Alibeajt është regjistrimi i kandidatëve, që njëjtë si Berisha pa vulë e logo, mund të rrezikohet. Ndërkohë Alibeaj ende nuk ka zgjedhur kandidatin që do ti vërë përballë Erion Veliajt dhe Belind Këlliçit për bashkinë e Tiranës apo në bashkitë e tjera të mëdha si Durrës, Elbasan e Shkodër.
Alibeaj vendosi të nxjerrë kandidatët e tij, pas dështimit të negociatave me PD e Berishës për të dalë në zgjedhje me 1 kandidat ndërsa në takimet e tij me strukturat, kohët e fundit është shfaqur edhe ish kryedemokrati Lulzim Basha.
Lini një Përgjigje