TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Shkurt 2023, 16:00

3 Marsi; kërcënimi i Berishës dhe skenarët për vulën e PD

Shkruar nga Pamfleti
3 Marsi; kërcënimi i Berishës dhe skenarët për
Sali Berisha

Gazetari Ardit Hoxha thotë se më datë 3 mars mund të mos kemi një zgjidhje në lidhje me vulën dhe logon e Partisë Demokratike.

Hoxha u shpreh se edhe në seancën e radhës, gjykata mund të mos marrë një vendim.

Sipas tij, duhen shqyrtuar disa variante, nëse gjykata do të marrë një vendim.

“Në datën 3 është data e shqyrtimit. Nëse do të ketë vendim apo jo, kjo mund të mbetet për t’u parë pasi mund të kemi edhe thjesht një shtyrje të vendimmarrjes. Për arsye të ndryshme, gjykata mund ta shtyjë vendimmarrjen, arsyet mund të jenë banale, por mund të jenë edhe arsye të qenësishme që mund të mos merret vendimi. Por nëse merret vendimi, gjithmonë do të shqyrtojmë disa variante.

Varianti i parë është që të pranohet kërkesa e zotit Alibeaj dhe në një farë mënyrë të zhbëhet vendimi i gjykatësit Agron Zhukri në Shkallën e Parë, që ka njohur statutin e dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i thirrur nga zoti Berisha dhe mbështetësit e tij, çka do i jipte vulën dhe logon zyrtare të PD-së zotit Alibeaj.

Varianti tjetër do ishte hedhja poshtë e kërkesës së zotit Alibeaj dhe lënia në fuqi e vendimit Zhukri, ku do i kalonte vula zotit Berisha. Nuk duhet të jemi me aq shumë shpresë dhe pritshmëri që në datën 3 kjo histori do të marrë fund”, theksoi ai.

Ndërkohë Sali Berisha ka kërcënuar mazhorancën, duke e konsideruar përgjegjëse nëse Gjykata e Apelit nuk i jep vulën e PD, Foltores.

Në mitingun përpara Parlamentit, Berisha tha se "Taulant Balla ka shpallur vendimin e gjykatës kundër nesh". 

“Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata më datën 3, unë i them Ballës, meqë ti je i pari që njofton vendimin. 

Ja ku janë këta burra dhe unë të betohem para tyre e mbarë shqiptarëve dhe ti dhe Rama do bëheni përgjegjës personal për cdo akt armiqëesor ndaj PD dhe opozitës shqiptare.

Shko ku të duash, do të të çojmë kudo që të ndodhesh në çdo vrimë miu që të futesh do të të kapim e do të të cojmë te Gentian Sharra, miku yt.Po të duam për tre minuta, jemi brenda në parlament. Prandaj ikni. Po vendosëm, jemi në sallë! Po vendosëm, jemi në sallë, asgjë nuk na pengon! 3 marsi është dita e madhe, 3 marsi është ditë fitoreje për revolucionin.”, ka thënë Berisha.

Lini një Përgjigje