TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Nëntor 2024, 10:54

112-vjetori i Pavarësisë, Albin Kurti shfaqet krah Ramës në Vlorë për ceremoninë e ngritjes së flamurit!

Shkruar nga Pamfleti
112-vjetori i Pavarësisë, Albin Kurti shfaqet krah Ramës në
Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha

28 Nëntori për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen njihet si Dita e Flamurit.

28 Nëntori u përkujtua këtë vit me një ceremoni shtetërore në qytetin historik të Vlorës, ku u ngrit simbolikisht Flamuri Kombëtar, duke nderuar ngjarjen e rëndësishme të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.

Në ceremonialin shtetëror të ngritjes së Flamurit, mori pjesë Kryeministri Rama ku u shfaq krah homologut Albin Kurti dhe presidentit të Republikës, Bajram Begajt.

Gjithashtu e pranishme është edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali si dhe kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha.

Festime do të mbahen edhe në Tiranë e qytete të tjera të vendit. Në kryeqytet pritet të mbahet për herë të dytë Parada e Shqiptarëve, ku do të bëhen bashkë shqiptarë nga diaspora dhe vendet e rajonit.

Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran e të pavarur.

28 Nëntori për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen njihet si Dita e Flamurit.

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar. Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.

rama shfaqet krah albin kurtit në vlorë

Lini një Përgjigje