TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Qershor 2026, 18:30

E shpalli armik! Dritan Goxhaj i përgjigjet Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti
 

E shpalli armik! Dritan Goxhaj i përgjigjet Edi Ramës

Pas sulmeve të ditëve të fundit nga kryeministri Edi Rama dhe eksponentë të mazhorancës, Dritan Goxhaj ka qenë i ftuar në podkastin e “Pamfletit”, “Të Pashoq”, ku ka dhënë përgjigjen e tij për akuzat dhe etiketimet publike. Në intervistën përballë gazetares Edjona Dervishi, Goxhaj deklaroi se nuk ka ndërmend të merret me gjuhën e kryeministrit, ndërsa theksoi se sulmet ndaj tij kanë vetëm një qëllim: të largojnë vëmendjen nga thelbi i protestës dhe kërkesat e qytetarëve.

Edjona Dervishi: Unë dua të hyj direkt në temë dhe dua t’ju pyes: një Kryeministër që i ka të gjitha mekanizmat e nevojshëm për të zbuluar të vërtetën edhe kur dyshon mbi të, dhe e vërteta në këtë rast është e pakontestueshme, merr guximin dhe ju etiketon kështu. Si e interpretoni ju këtë sulm të Kryeministrit?

Dritan Goxhaj: Shiko, unë nuk marr përsipër të shpjegoj komunikimin psikik të Kryeministrit ose të mazhorancës, të atyre që kanë folur pas Kryeministrit. Është problemi i tyre, nuk është problemi im mënyra se si ata flasin.

Është zgjedhje personale e dikujt komunikimi me njerëzit, me publikun, me këdo. Për këtë arsye as që e harxhoj kohën të merrem me atë gjë fare.

Një Kryeministër, jam te ajo që thoni ju, çdokush ka dokumentacione, ka fuqi, ka kapacitete, pra kam për çfarë të flas për diçka për të cilën flasin dokumentet. Për këtë arsye për mua nuk është as debat kjo, as interes për mua që të merrem me këtë punë.

Nuk më intereson për arsye se e gjitha kjo heq vëmendjen nga çështjet kryesore, nga kërkesat e protestuesve. Pra e gjitha po bëhet me një qëllim, për të devijuar vëmendjen. Pra, të mos merren me thelbin, por të merren me subjektin.

Kjo ka qenë e kësaj politike 35-vjeçare, është e njëjta gjë. Jo vetëm Rama, por çdokush që ka qenë në këto 35 vite në pushtet të njëjtën gjë ka bërë. Është marrë me subjektin, se s’është marrë asnjëherë me thelbin.

Është marrë me subjektin sepse, kur është marrë me subjektin, subjekti ia ka dhënë mundësinë që të merret me subjektin. Për këtë arsye nuk kam ndërmend të merrem me komunikimin psikik të askujt. Thjesht, thelbi.

Edjona Dervishi: Po ju e keni ndoshta një analizë tuajën, ndoshta edhe një informacion apo një perceptim pse Kryeministri nisi këtë sulm pikërisht ndaj jush? Sepse çdokush tjetër i ka shpalosur këto kërkesa edhe më parë në këtë protestë.

Dritan Goxhaj: Këto kërkesa janë shpalosur më përpara nga njerëz, nga individë që kanë qenë folës aty në protestë. Pra po, por jo të renditura, secili ka dhënë një mendim të tijin. Për këtë arsye edhe grupi koordinator, koordinues i protestës, në atë letrën që lexova unë, të cilën ata e kishin përgatitur, thuhet se është hartuar duke u bazuar mbi atë çfarë protestuesit kanë shprehur në këto 22 ditë protestë.

Edjona Dervishi: Pikërisht.

Dritan Goxhaj: Pra ato u grumbulluan dhe u bënë...

Edjona Dervishi: Ti ishe përsëritës, po themi.

Dritan Goxhaj: Pikërisht. Unë isha përsëritës, por tashmë ishte një qëndrim zyrtar i protestës. Ishte një kërkesë zyrtare e kësaj proteste, e cila deri më tani nuk ka pasur, të them të drejtën. Të gjithë e kemi parë që kanë qenë qëndrime individuale të njerëzve të ndryshëm, por një qëndrim zyrtar i kësaj proteste, se ku kërkon të shkojë, çfarë kërkon realisht kjo protestë, pse po i nxjerr njerëzit në shesh, ky ishte qëndrimi zyrtar.

Dhe ky qëndrim zyrtar, duke qenë se ishte brenda kornizës kushtetuese, pa asnjë lloj shkeljeje, pa asnjë lloj problemi tjetër, pa utopi e pa çmenduri të ndryshme, e vë Kryeministrin dhe këdo tjetër në mazhorancë ose në opozitë përballë një çështjeje që ka 35 vjet që është e pazgjidhur.

Për këtë arsye ata tashmë janë ngritur dhe merren me lexuesin dhe jo me letrën. Pra merren me lajmësin dhe jo me lajmin. Ndërkohë që duhet të merren me lajmin dhe jo me lajmësin.

Edjona Dervishi: Rama ju ka quajtur, apo ka lënë të kuptohet, edhe si agjent iranian, e të tjera, e të tjera.

Dritan Goxhaj: Kjo nuk është hera e parë që unë etiketohem nga njerëzit si agjent i Iranit. Jam etiketuar edhe si agjent i Rusisë, si çdo gjë tjetër. E njëjta gjë është bërë gjithmonë, pra ka funksionuar gjithnjë kështu.

Në momentin që dikush thotë një opinion i cili bie në kundërshtim me opinionin e madh ose me opinionin e përgjithshëm të dirigjuar nga partia në pushtet, siç ka qenë gjithnjë, jemi etiketuar.

Nuk është hera e parë. Është një metodologji e vjetër e trashëguar nga ’45-a deri në ’90-ën. Në rast se flisje diçka ose thoje diçka të vërtetë për regjimin, për diçka që nuk shkonte, automatikisht të etiketonin si agjent amerikan në atë kohë. Atëherë armiku ishte Amerika.

Ndërsa tashmë armiku janë armiqtë e Amerikës. Dhe normalisht që do të etiketohesh si armik, do t’i përkasësh kësaj kategorie. Pra është i njëjti mentalitet.

Kemi trashëguar të njëjtin mentalitet dhe kjo është gjëja më e frikshme dhe më e turpshme që kemi. Pavarësisht se themi se kemi hyrë në një sistem tjetër, kjo tregon se sistemi nuk ka ndërruar.

Sistemi thjesht ka evoluar, është bërë pak më dinamik, pak më i hapur deri diku. Kemi bërë një sistem multipartiak, por në mendësi kemi qëndruar njëpartiakë.

Në rast se ti del kundër rrymës së partisë, automatikisht je armik. Dhe jo armik i partisë, por shpallesh edhe armik i Shqipërisë, i vendit e të tjera me radhë.

Ediona Dervishi: Me pak fjalë, pluralizëm fallco.

Dritan Goxhaj: Pluralizmi është vetëm fasadë, aktualisht.

Edjona Dervishi: I shfaqur në këtë protestë, i bërë objekt debati të fortë nga ana e pushtetit, i sulmuar që ditën e parë që u ngjitët me zyrtarizimin e pesë kërkesave të protestuesve që janë në shesh prej tre javësh dhe do të vazhdojnë me gjasë, e nuk do të dorëzohen. Deri ku shkon ambicia juaj? Sepse ka shumë që po nënkuptojnë këto ditë, këto orë që, pse jo, ju mund të formësoheni edhe si rival i drejtpërdrejtë i kryeministrit Rama nesër.

Dritan Goxhaj: Jo. Ta përcaktosh si ambicie nuk qëndron. E para, kur thoni ambicie, nuk bëhet fjalë për ambicie, për arsye se unë nuk jam as pjesë e grupit koordinues të protestës. Pra nuk jam pjesë e grupit koordinues të protestës.

Edjona Dervishi: As koordinues, as organizator, asgjë?

Dritan Goxhaj: Nuk jam. Grupi koordinues është edhe grupi organizator. Unë nuk jam pjesë e tyre.

Edjona Dervishi: Po mirë, kjo nuk përjashton asgjë.

Dritan Goxhaj: Nuk jam pjesë e tyre, nuk jam pjesë e vendimmarrjes së tyre. Ata vendimmarrjen e kanë me kolegjialitet, me votim për çdo veprim që marrin. Unë nuk jam pjesë e saj fare. Pra nuk jam pjesë e atij vendimi.

Edjona Dervishi: Po nëse nuk je pjesë e saj, atëherë me ç’tagër i zyrtarizuat kërkesat ju?

Dritan Goxhaj: Grupi koordinator vendosi që të zyrtarizonte kërkesat dhe më kërkuan mua t’i lexoja këto kërkesa në mënyrë zyrtare. E deklarova edhe atë ditë. Thashë që, me kërkesë të grupit koordinues, po lexoj deklaratën e tyre.

Edjona Dervishi: Po përse ju zgjodhën ju?

Dritan Goxhaj: Unë nuk mendoj se ka pasur ndonjë qëllim të veçantë. Qëllimi i vetëm ka qenë që të ishte dikush që nuk është anëtar i grupit. Sepse, nëse do të ishte një anëtar i grupit, nesër mund të lindnin këto diskutimet për ambicie, për mbështetje apo për pretendime drejtuese.

Për këtë arsye, për të mos krijuar përçarje brenda grupit në një të ardhme të afërt ose të largët, duke mos ditur se sa do të zgjasë kjo përballje mes qëndresës së kryeministrit dhe qëndresës së qytetarëve, u zgjodh një person që nuk është pjesë e grupit.

Pra, çfarëdo që të ndodhë nesër, ai nuk e përçan grupin dhe nuk krijon probleme të brendshme që mund të dëmtojnë protestën.

Dritan Goxhaj: Në foltore nuk mund të dalë një kryetar partie apo një deputet, sepse i jep kah politik protestës.

Mariana Koçeku mund të vijë sa të dojë në protestë. Por nëse do të flasë, duhet të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Të gjithë deputetët mund të marrin pjesë në protestë, ata që e shohin se sistemi është i qelbur dhe ka nevojë për ndryshim. Por jo në foltore, sepse automatikisht i jepet një kah politik dhe shumë njerëz largohen.

Nuk kanë pse shqetësohen që shohin deputetë në protestë. Është një shesh publik dhe gjithkush ka të drejtë të qëndrojë aty. Protesta është gjithëpërfshirëse, jo përjashtuese. Sistemi duhet të ndryshojë për të gjithë.

Edjona Dervishi: Distancimi nga Partia Socialiste dhe bashkimi me protestën i Mariana Koçekut, për ju është i sinqertë apo ka një prapavijë?

Dritan Goxhaj: Unë po flas personalisht, jo në emër të grupit koordinues.

Edjona Dervishi: Mirë, si protestues.

Dritan Goxhaj: Si protestues, unë nuk e quaj arritje të protestës. Vazhdoj ta shoh me dyshim, për arsye se Mariana Koçeku është deputete nga lista e mbyllur e Partisë Socialiste, jo nga listat e hapura. Dhe të gjithë e dimë se si hyhet në listat e mbyllura. Po të mos jesh i besuar i kryetarit, nuk hyn dot aty.

Nuk e përjashtoj mundësinë që në një moment të caktuar ajo të jetë ndërgjegjësuar për atë që ka parë brenda sistemit.

Por mbetet një mundësi e vogël. Unë vazhdoj të besoj se mund të jetë një lojë individuale e Mariana Koçekut, ose e grupeve që e kanë sjellë aty, ose mund të jetë edhe një lojë e vetë partisë.

Edjona Dervishi: Po nga zëra të tjerë socialistë, si për shembull Elisa Spiropali, që ju mbështesin ju, por nuk është se kanë ndërmarrë ndonjë akt konkret për t’u distancuar realisht nga Partia Socialiste.

Dritan Goxhaj: Po, kjo është sepse Elisa Spiropali dhe shumë të tjerë ndoshta kanë parë që ka nevojë për një ndryshim.

Dhe në këtë ndryshim, duke qenë se Elisa Spiropali është përplasur, ka një përplasje të brendshme me kryetarin e partisë së saj, ndoshta pretendon që nesër të marrë ose një grupacion të partisë, ose të marrë partinë, ose diçka tjetër.

Pra është në këtë luftë dhe normalisht që nuk mund të distancohet nga Partia Socialiste, sepse ka edhe ajo interesat e saj politike.

Për këtë arsye, si Elisa Spiropali mund të dalin edhe të tjerë nesër. Sepse në momentin që ta shohin se varka po mbytet, atëherë të gjithë të tjerët, marinarët e kësaj varke, secili do të mundohet të shpëtojë veten.

goxhaj rama

3 Komente

  1. G
    Gorica

    Po c jane keto pyetje a do dorezohet Rama bla bla .. mos qisni kunjin me ne. Në të kundert po e beni si Ariu që kishte qef goricat : këtë vit do behen goricat .

    Lini një Përgjigje