Kristiano Ronaldo vazhdon të jetë një fenomen global jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në rrjetet sociale. Ndërsa emra të rinj si Erling Haland dhe Kilian Mbape po sfidojnë dominimin e brezit të vjetër në futboll, në aspektin e ndikimit dixhital portugezi mbetet i pakonkurrueshëm.
Ronaldo, i cili së fundmi vendosi një rekord historik duke u bërë futbollisti i parë që shënon në gjashtë edicione të ndryshme të Kupës së Botës, kryeson renditjen e futbollistëve me më shumë ndjekës në rrjetet sociale.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Instagram, X dhe Facebook, 41-vjeçari numëron rreth 950 milionë ndjekës në total. Vetëm në Instagram ai ndiqet nga 668 milionë persona, ndërsa ka 110.1 milionë ndjekës në X dhe 172.5 milionë në Facebook.
Këto shifra e konfirmojnë Ronaldon si një nga sportistët më me ndikim në botë, ndërsa ai vazhdon të ndjekë një tjetër objektiv historik: arritjen e golit të 1000-të në karrierë.
“Rrjetet sociale kanë forcuar rolin e futbollistëve si platforma globale influence, duke rritur rëndësinë e tyre përtej performancës sportive”, deklaroi për agjencinë spanjolle EFE Wagner Leitzke, drejtues biznesi në agjencinë “End to End”.
Mesi në vendin e dytë, Nejmar plotëson podiumin
Pas Ronaldos renditet Lionel Mesi, një tjetër ikonë e futbollit botëror. Argjentinasi numëron 510 milionë ndjekës në Instagram dhe 117 milionë në Facebook, ndërsa nuk ka një llogari zyrtare në rrjetin social X.
Vendin e tretë e mban Nejmar. Edhe pse nuk është më në kulmin e karrierës si në periudhën e tij te Barcelona, sulmuesi brazilian vazhdon të mbetet një figurë me ndikim të madh, veçanërisht në Brazil.
Nejmar ka 236.5 milionë ndjekës në Instagram, 62.2 milionë në X dhe 92.1 milionë në Facebook. Fuqia e tij mediatike u demonstrua edhe gjatë grumbullimit të kombëtares braziliane për Botërorin, kur vetëm pak minuta pasi trajneri Karlo Ançeloti shpalli listën e lojtarëve të ftuar, ai publikoi në rrjetet sociale materiale promocionale të sponsorëve të tij.
Mbape dhe Haland ende larg elitës së ndikimit dixhital
Kilian Mbape, një nga yjet më të mëdhenj të brezit të ri dhe kampion bote me Francën në vitin 2018, renditet në vendin e katërt. Sulmuesi francez ka 131 milionë ndjekës në Instagram, 19.3 milionë në X dhe një shifër të ngjashme në Facebook.
Ndërkohë, Erling Haland, një nga golashënuesit më të spikatur të futbollit aktual, mbetet dukshëm pas rivalëve të tij për sa i përket ndikimit në rrjetet sociale. Norvegjezi numëron 42.5 milionë ndjekës në Instagram, 11.1 milionë në X dhe rreth 20 milionë në Facebook.
Megjithëse Haland dhe Mbape po imponohen gjithnjë e më shumë në arenën sportive, Ronaldo, Mesi dhe Nejmar vazhdojnë të mbeten figurat më të fuqishme të futbollit në botën dixhitale, duke shndërruar rrjetet sociale në një burim të rëndësishëm ndikimi dhe të ardhurash.
Lini një Përgjigje