Presidenti i FSHF-së vlerëson paraqitjen e skuadrave afrikane në Botëror dhe shprehet se Shqipëria do të kishte bërë një paraqitje më të mirë se Tunizia në grupin e saj.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “L’America” në Tv Klan, ku analizoi ecurinë e skuadrave pjesëmarrëse në Kupën e Botës dhe ndau mendimet e tij për pretendentët kryesorë të turneut.
Sipas Dukës, një nga elementët më interesantë të këtij Botërori ka qenë paraqitja e mirë e përfaqësueseve afrikane. Megjithatë, ai beson se trofeu do të përfundojë sërish në Europë.
“Mund të ketë të veçanta të ndryshme nga Botërori i kaluar. Tani vetëm Infantino mund të shohë dy ndeshje në ditë. Ajo çfarë është e veçanta janë ekipet afrikane që kanë bërë një paraqitje të mirë. Me lojën që pashë dje më bën të dyshoj se Anglia mund të jetë një ekip pretendent. Mbase është shpejt, por teorikisht Franca ka një potencial të madh. Mendoj se Botërori do të vijë në Europë”, tha Duka.
Kreu i FSHF-së u ndal edhe te mungesa e Shqipërisë në turneun final, duke kujtuar atmosferën e veçantë të përjetuar gjatë Kampionatit Europian në Gjermani. Ai tha se, nëse kuqezinjtë do të ishin kualifikuar, mund të kishin arritur rezultate më të mira se disa prej skuadrave pjesëmarrëse.
“Ajo që kemi përjetuar me skuadrën në Gjermani ka qenë e mrekullueshme. Ndërsa në Meksikë dhe Kanada atmosfera është pak më e shpërndarë. Në çdo ceremoni, kur shoh që flamujt vendosen në fushë, them me vete: sikur të ishte flamuri ynë këtu. Tani është e lehtë të flasësh kur nuk jemi pjesë. Por në grupin ku do të ishim, me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë, mendoj se do të bënim diçka më mirë se Tunizia. Madje edhe më mirë se Suedia, pavarësisht se ajo ka fituar një ndeshje me Tunizinë”, u shpreh Duka.
Presidenti i FSHF-së theksoi se Shqipëria vazhdon të synojë pjesëmarrjen në kompeticionet më të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa vlerësoi potencialin që ka treguar kombëtarja shqiptare në vitet e fundit.
Lini një Përgjigje