TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Qershor 2026, 16:07

“Paguajmë faturat, por mbetemi pa ujë”, 400 familje në Fier protestojnë për mungesën e furnizimit me ujë

Shkruar nga Pamfleti

“Paguajmë faturat, por mbetemi pa ujë”, 400 familje

Rreth 400 familje në fshatin Kreshpan të Fierit kanë dalë në protestë për mungesën e ujit të pijshëm, një problem që sipas tyre vijon prej vitesh, pavarësisht investimeve të kryera në rrjetin e ujësjellësit.

Banorët shprehen se situata bëhet edhe më problematike gjatë sezonit veror, kur burimet alternative të ujit pakësohen. Sipas tyre, çezma e vetme publike e fshatit nuk arrin të përballojë nevojat e komunitetit, ndërsa puset e hapura privatisht shpesh thahen për shkak të temperaturave të larta.

“Pa ujë, lekët po i paguajmë. Vemi te drejtoria dhe ai thotë do të çojë ujë. Ku e ke?”, shprehet një prej banorëve të revoltuar.

Një tjetër banor thekson se problemi është bërë i përsëritur nga viti në vit.

“Kemi vite që merremi me këto lloj pune. Tubacioni është dhe ujë nuk ka. Thjesht na thonë ‘do vijë, do vijë’. Në çdo verë është kjo situatë”, tha ai.

Ndërsa një banor tjetër deklaron se komuniteti po përballet me të njëjtin shqetësim prej më shumë se një dekade.

“Po bëhen mbi 10 vjet që vuajmë nga uji. Na thonë se do të vijë gjatë muajve të verës, por ujë nuk ka. Vijmë e mundohemi të mbushim ujë te çezma”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, burime pranë Drejtorisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Fier bëjnë me dije se linjat e reja të ujësjellësit ende nuk janë vënë në funksion. Sipas tyre, rrjeti ekzistues vazhdon të jetë aktiv dhe banorët furnizohen me ujë rreth katër orë në ditë.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe vënien në funksion të investimeve të kryera, ndërsa theksojnë se mungesa e ujit të pijshëm po vështirëson ndjeshëm jetesën e tyre, veçanërisht gjatë muajve të verës.

Lini një Përgjigje