
Me lot në sy dhe me kokën pas, banorët e fshatrave të Gramshit vijojnë të largohen nga banesat e tyre. Në disa fshatra të njësisë administrative “Skënderbegas”, zjarri ende u rrezikon jetën ndaj autoritetet u kanë kërkuar të lënë gjithçka e të largohen.
Rreth 100 banorë në Nartë u evakuuan paraditen e sotme, pasi zjarri masiv që përfshiu fshatin vijon të jetë aktiv. Ata u larguan duke marrë me vete edhe gjënë e gjallë.
Ky banor i këtij fshati po largohet me zemër të thyer, pasi banesa dhe pemëtaria ku ka derdhur gjithë mundin e jetës rrezikon t’i digjet.
“Kam tre shtëpi, kemi edhe gjë të gjallë, i kemi nxjerrë”, shprehet një prej banorëve, teksa përpiqet me lopatë që të ndihmojë në shuarjen e zjarrit.
Për të shuar zjarret, nga ajri ndërhynë 3 helikopterë. Edhe forcat zjarrfikëse vijojnë përballjen me vatrat e shpërndara kudo.
Por edhe vetë banorët janë vënë në ballë të betejës me flakët. Këta janë dy banorë të zonës që me mjetin e tyre transportojnë ujë duke u ardhur në ndihmë zjarrfikëseve.
“Mbushim zjarrfikëset me ujë që të jenë sa më afër te zjarret. Deri tani kemi bërë tre rrugë, jemi edhe vetë këtu në aksion. E vështirë duket situata për banorët, zjarri dhe era”, tregojnë për "Report tv" dy banorët, që i gjenden vullnetarisht forcave zjarrfikëse në aksion.
Në Skendërbegas nuk humbën vetëm shtëpitë. Të tjerë, me lot në sy, flasin për humbjen e rrënjëve të ullinjve dhe vreshtave.
“Vreshta dhe ullishta... në fund të gjitha”, thotë për "Report TV", një prej banorëve, i prekur rëndë nga zjarri.
Edhe aty ku flakët janë shuar, dëmet janë të mëdha, siç pamjet me dron tregojnë.
Në total janë 39 banesa të djegura në 6 fshatra, pa llogaritur dëmet në ullishte, pemëtari, e bagëti. Një inventar po bëhet nga ekipet e ministrisë mbi këto humbje.
Në Gramsh, një ditë më parë, u shënua edhe viktima e parë e zjarreve që kanë pushtuar vendin, një 80 vjeçar që humbi jetën nga asfiksia e zjarrit që ndezi vetë, flakët e të cilëve më pas morën përmasa të mëdha duke përfshirë disa fshatra.
Ajo që u pa ishte se emergjencat civile në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s, nuk kanë as pajisjet më të domosdoshme në raste zjarresh
Shqipëria po përballet me një situatë emergjence zjarresh, ndërsa Kryeministri Edi Rama, tentoi ta relativizojë atë me atë që po ndodh në shumë nga vendet e tjera, përfshi Greqinë, Spanjën, Turqinë apo edhe Bullgarinë.
Por në të paktën dy Bashki, atë të Gramshit dhe Delvinës, banorët e zonave rurale u përballën me një situatë apokaliptike, ku zjarret dolën jashtë kontrollit, ndërsa u vu re një kapitullim i autoriteteve. Janë vetë dëshmitë e njerëzve që e konfirmojnë këtë, ndërsa humbën shtëpitë, bagëtitë, të mbjellat. E vetmja gjë që duket se funksionoi ishte evakuimi me forcë ose jo i qytetarëve, në emër të asaj se jeta e njeriut është shumë me e shtrenjtë se gjithçka tjetër. Po kjo është e vertetë dhe askush nuk e vë në diskutim, por ata njerëz që humbën pasuritë e tyre modeste, të vëna për vite me rradhë në fshatra që konsiderohen të humbur, sot nuk e dinë nëse do të mund të kompensohen ose jo, për dëmet që iu shkaktuan nga një fatkeqësi natyrore, ndërsa Qeveria nuk ka shpallur asnjë situatë emergjence, qoftë edhe lokale.
Por çfarë treguan 48 orët e fundit?
Ajo që u pa ishte se emergjencat civile në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s, nuk kanë as pajisjet më të domosdoshme në raste zjarresh. E ndërsa pamë zjarrfikës të gatshëm për të shkuar në vendngjarjet, asnjë prej tyre nuk ishte i veshur me kostume kundra zjarrit, asnjë prej tyre nuk kishte atë bombulën 20-25 kg me ujë, asnjë prej tyre nuk kishte të siguruar ato kushtet më minimale, qoftë edhe për t’i mbrojtur jetën gjatë operacioneve. I pamë me lopata dhe degë pemësh në duar, si mjetet kryesore për të shuar flakët.
Dhe ky është kapitullimi i parë institucional, qoftë lokal apo qeveritar, qoftë i Emergjencave Civile apo Forcave të Armatosura, që në kohë paqeje kanë vetëm një detyrë: të mbrojnë qytetarët dhe territorin në raste të fatkeqësive natyrore.
Përballja me zjarret tregoi se kur automjetet zjarrfikëse nuk mund të shkojnë në zonat ku janë vatrat, për shkak të terrenit, pritet derisa të vijë një avion apo helikopter kundër zjarreve nga ndonjë vend fqinj, a thua se flakët ndalen, dhe presin sa të marrë masat Qeveria, Ushtria, Emergjencat Civile apo qoftë edhe ata që drejtojnë këta sektorë.

Zjarret janë një histori që përsëriten vit pas viti, ashtu si edhe përmbytjet. Kur përballemi me to kujtohemi se duhen marrë disa masa, por sapo përfundon historia, sërish nuk lëvizet dhe të tilla situate përsëriten si ai filmi që jepet njëherë në 3 muaj apo 6 muaj, ndërsa pritet të shikohet një sekuencë tjetër, ndërkohë që ka vetëm përsëritje.
Thjesht mënyra se si sillen të gjithë nga Kryeministri te ai drejtori i Emergjencave, ministri i Mbrojtjes apo i Brendshëm, është vetëm një shoë, me ndryshimin e vetëm që ‘Babloku’ shfaqet me syze të kuqe, dhe askush nuk e ndalon që herë të marrë rolin e policisë që njofton sa piromanë janë arrestuar dhe herë të na thotë sa hektarë janë shkrumbuar, sa shtëpi e bagëti janë djegur, por kur nuk tregon çfarë masash ka marrë… /Pamfleti/

Situata a e zjarreve vijon të jetë jashtë kontrollit. Sipas të dhënave rreth 40 banesa në fshatrat e Gramshit janë shkatërruar plotësisht nga flakët dhe janë bërë të pabanueshme. Evidentimi i plotë ende nuk ka përfunduar, pasi zjarri vijon me intensitet të ndryshueshëm.
Sa i përket dëmeve në blegtori, më të goditur kanë qenë fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollar dhe Shimër, të cilat nuk patën kohë të përgatiteshin për evakuim. Sipas verifikimeve në terren, janë gjetur të djegura 50 deri në 60 krerë bagëti, si dhe dhjetëra kafshë pune që nuk arritën të nxirreshin nga strehët. Sot janë marrë masa për groposjen e tyre.
Ndërkohë, bagëtitë e mbetura gjallë në zonat më të thella, aty ku nisi vatra e zjarrit, përballen me rrezik të lartë për mbijetesë për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së ujit, pasi banorët vijojnë të jenë të evakuuar. Kjo situatë e vështirëson edhe rikthimin e tyre në banesa.
Banorët në Ermenjë kanë kërkuar ndihmë urgjente, ndërsa aktualisht në fshat ndodhen vetëm dy zjarrfikëse, të cilat po përballen me vështirësi në menaxhimin e situatës.
Aktualisht, flakët kanë intensitet të ulët, por vijojnë të monitorohen nga strukturat vendore, pasi era herë pas here forcohet, duke shtuar rrezikun e ringjalljes së vatrave ekzistuese ose krijimit të të rejave.

Zjarreve që kanë përfshirë vendin ku i ka shpëtuar as Kuçi, ku janë evidentuar dy vatra, që sipas ekipeve të emergjencave janë riaktivizuar.
Dy zjarrfikëse, si dhe efektivë të emergjencave civile, janë angazhuar për të vendosur flakët nën kontroll, ndërsa situata deri më tani nuk konsiderohet si alarmante.
Kuçi është vendi i preferuar për Kryeministrin njëherë në 4 vite, sa herë që ka zgjedhje parlamentare.
Në të paktën dy palë zgjedhje, 2021 dhe 2025, Rama është ndalur në Kuç, pak javë përpara zgjedhjeve ku ka përcaktuar rezultatet.

Kryeministri Edi Rama edhe pse me shumë vonesë ka kthyer fokusin e tij te situata e zjarreve në vend. Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Rama njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 34 vatra aktive, ndërkohë 13 janë izoluara dhe shuar.
Më tej ai theksoi se vatrat që kërkojnë vëmendje në vazhdim janë në Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë. Ai gjithashtu falenderoi strukturat shtetërore të cilat prej ditësh po punojnë për shuarjen e flakëve.
Postimi i plotë i Ramës:
Një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore, që vijojnë pa ndërprerje përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin
Gjatë 24 orëve të fundit:
34 vatra aktive
13 të izoluara dhe të shuara
Në operacione janë angazhuar:
Dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura
Mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare
5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair i sjellë bujarisht nga miqtë e shtrenjtë italianë. Qindra mjete, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve. Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës.
Gatishmëria është maksimale dhe bashkëpunimi mes të gjitha strukturave shtetërore dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe emiratas po vijon për të përballuar këtë situatë të vështirë

Një banesë është përfshirë nga flakët në këto momente në fshatin Lefterhor të Delvinës.
Banorët po ndërhyjnë për të neutralizuar flakët, teksa thonë se asnjë zjarrfikës nuk ndodhet në zonë.
“Asnjë zjarrfikës nuk ka ardhur këtu. Asnjë”, shprehet banori për Top Channel.

Shqipëria ndodhet në një situatë emergjence të shkaktuar nga zjarret, edhe pse zyrtarisht Qeveria nuk ka shpallur asnjë emergjencë, qoftë kjo edhe në rajone të caktuara, ku flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha.
Janë me qindra hektarë pyje e kullota, të mbjella e rrënjë ullinjsh, banesa e bagëti që llogariten si dëme në zona të ndryshme të vendit për shkak të situatës së zjarreve.
Në disa raste situate është bërë aq dramatike, si në Gramsh dhe Delvinë, që në orët e fundit konsiderohen si vatrat më të rrezikshme.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, ushtrisë, policisë dhe banorëve të zonave, në Delvinë pati një situatë apokaliptike, ndërsa në Gramsh një qytetar humbi jetën.
Video e mëposhtme tregon një moment nga përpjekjet në Gramsh, kur dy qytetarë angazhohen të shuajnë një zjarr. Po përdorin degë peme për të luftuar 'armikun e dukshëm", ndërsa njëri i thotë tjetrit: “dil këtej ore se u dogjëm…”.

Situata në fshatin Lefterhor në Delvinë paraqitet serioze, ndërsa zjarri ka djegur edhe kishën e fshatit. Aktualisht vatrat në këtë fshat janë shuar, por banorët i druhen rindezjes së tyre.
Gazetarja e Top Channel, Kristi Gongo, raporton se zjarri vijon të jetë aktiv në mal, dhe sipas banorëve në orët e mbrëmjes i frikësohen flakëve që mund të zbresin sërish drejt fshatit.
Ndërkohë zjarri ka djegur edhe disa koshere bletësh, teksa këto të fundit vërtiten nëpër fshat.

Dëmet që po shkaktojnë zjarret e këtij viti po thyejnë rekorde në dekadat e fundit, duke shkaktuar dëme kolosale.
Sapo një vatër shuhet të tjera shfaqen në vendin tonë, me zona si Delvina, Poliçani dhe Gramshi që kanë parë masive pyjore të shkrumbohen dhe flakët që rrezikojnë edhe zonat e banuara.

Sistemi Evropian për Zjarret në Pyje thotë se deri më tani në Shqipëri janë shkrumbuar 49 mijë hektarë pyje me 93 vatra zjarri të identifikuara, ndërkohë që vitin e kaluar u dogjën në total 46.6 mijë hektarë./A2CNN

Vendet e Mesdheut po përballen me vatra zjarresh që po djegin mijëra hektarë pyje, shtëpi dhe po marrin jetë njerëzish dhe kafshësh.
Temperaturat e larta, ndikuar edhe nga ndryshimet klimatike, kanë shkaktuar zjarre të mëdha, të vështira për të neutralizuar nga ekipet zjarrfikëse në Turqi, Greqi, Spanjë, Itali, Francë, Qipro dhe Bullgari. Deri më tani kanë humbur jetën 24 persona, ndërsa janë evakuuar mbi 65.000 njerëz në të gjithë rajonin.
Mbi 50.000 persona janë evakuuar që nga muaji qershor, si pasojë e zjarreve në Izmir dhe në zonat përreth në Turqi. Pesë zjarrfikës dhe pesë anëtarë të ekipeve të shpëtimit kanë humbur jetën në Seyitgazi e Eskişehir.
Një person i moshuar humbi jetën në Keratea të Greqisë. Ndërkohë, mijëra persona, përfshirë turistë u evakuuan në Chios, Kreta, Attica, Evia, Kythira dhe Messenia.
Një zjarrfikës vullnetar humbi jetën gjatë operacioneve në Castile të Spanjës, ku u evakuuan më shumë se 5.000 persona. Vatra me intensitet të lartë ka pasur në Castile y León, Galicia dhe Madrid.
Edhe Parku Kombëtar i Vezuvit në Napoli u përball me një situatë të pazakontë, teksa zjarret larguan nga vendi edhe turistët.


Mijëra zjarrfikës po luftojnë me flakët në shumë vende të Evropës Jugore në Mesdhe dhe në Ballkan , ndërsa një valë tjetër e të nxehtit çon temperaturat afër ose mbi 40 gradë Celsius në shumë zona të Kontinentit të vjetër, siç thekson Reuters.
Ngrohja globale po shkakton vera më të nxehta dhe më të thata në rajonin e Mesdheut, sipas shkencëtarëve të cituar nga agjencia ndërkombëtare, me zjarret që shtohen çdo vit dhe ndonjëherë shndërrohen në "vorbulla zjarri".
Situata në Portugalinë veriore është jashtëzakonisht e vështirë, ku më shumë se 1300 zjarrfikës, të mbështetur nga 16 avionë, po përpiqen të vënë nën kontroll tre zjarre të mëdha. Njëri prej tyre, në rajonin e Vila Real, ka qenë duke u djegur për dhjetë ditë. "Po na djegin të gjallë, kjo nuk mund të vazhdojë", tha kryebashkiaku Alexandre Favaios, ndërsa tre zjarre të mëdha shpërthyen.
"Kanë kaluar 10 ditë që popullsia jonë ka qenë në panik, duke mos ditur se kur zjarri do t'u trokasë në derë", shtoi ai, duke folur për stacionin televiziv RTP. Situata është kritike edhe në Spanjë, ku temperaturat arritën në 44 gradë Celsius dhe reshjet minimale të kombinuara me erëra pritet të përkeqësojnë rrezikun e zjarrit, siç thekson Reuters.
Ministria e Brendshme e vendit ka vënë në gatishmëri shërbimet kombëtare, me gati 1000 anëtarë të forcave të armatosura që mbështesin tashmë operacionet e shuarjes së zjarreve. Përveç kësaj, shërbimet hekurudhore midis Galicisë veriperëndimore dhe Madridit janë ndërprerë për shkak të zjarreve.
Në rajonin më të madh të Spanjës, Castile dhe Leon, më shumë se 1200 zjarrfikës po luftonin me 32 vatra zjarri të martën, duke detyruar mijëra banorë të evakuonin shtëpitë e tyre. Situata është e ngjashme në Shqipëri, ku siç raporton Reuters, sipërfaqe të gjera pyjesh dhe tokash bujqësore janë djegur nga zjarret ndërsa 30 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive dhe përhapen, të ndihmuara edhe nga erërat e forta.
Ministria e Mbrojtjes tha se katër helikopterë ushtarakë dhe 80 ushtarë po ndihmonin zjarrfikësit. Gjithashtu raportoi vdekjen e një burri të dyshuar për shkak të një zjarri në oborrin e tij, i cili më pas u përhap.
Dhe në Malin e Zi fqinj, autoritetet, të mbështetura nga helikopterë nga Serbia dhe Kroacia, arritën të kontrollonin një zjarr pranë Podgoricës të martën, me kryeqytetin e mbuluar nga tymi.
Sipas Reuters, zjarret e përhapura kanë marrë jetë njerëzish. Në periferi të Madridit, një burrë që punonte në një stallë kuajsh vdiq kur zjarri u përhap në shtëpi dhe ferma.
Një burrë tjetër vdiq në një zjarr në Shqipëri, ndërsa në Mal të Zi një ushtar u plagos për vdekje ndërsa përpiqej të shuante një zjarr.

Nga Delvina, që konsiderohet si vatra më e nxehtë në situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri, flakët janë përhapur edhe në Gjirokastër.
Fillimisht zjarri ka përfshirë malin e Sopotit dhe një prej fshatrave që rrezikon pasditen e së mërkurës është Lazarati.
Era e fortë dhe thatësira favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa në ndihmë të ekipeve zjarrfikëse janë edhe banorët e Lazaratit, një prej fshatrave më të mëdha në jug të vendit.

Zjarret kanë krijuar një situatë kritike edhe në Bashkinë Poliçan, ku në fshatin Plashnik, është kërkuar evakuimi i banorëve dhe ndërhyrje nga ajri.
Alarmi është dhënë nga Kryebashkiaku i Poliçanit.
“Është një situatë e rënduar në fshatin Plashnik, sidomos në njësinë administrative Tërban. Gjendja është kritike. Mezi po nxjerrim banorët nga banesat për shkak të zjarrit dhe tymit”, tha ai.
Në fshatin Vokopolë, njësia administrative Tërpan, bashkia Poliçan, si pasojë e një shkëndije nga shkëputja e linjës së tensionit është aktivizuar një vatër zjarri, e cila në pak kohë ka marrë përmasa.
Në vendngjarje u angazhuan forca dhe mjete nga MZSH dhe bashkia. Si pasojë e zjarrit u dogjën 6 banesa, nga të cilat 3 të pabanuara.
Lini një Përgjigje