Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur edhe pyetjeve të qytetarëve gjatë komunikimit live, ku komentoi situatën alarmante të zjarreve më të cilin po përballet vendi ynë.
"Ça dmth ky shtet pa emergjenca, ti Gzim Shqipërisë i merr të keqen si të gjithë që po flasin me këtë farë feje. Ça prisni të vijë hasmi t’ju shpëtojë, si ka mundësi që këto shtetet e mëdha kanë të njëjtin hall, përgjigja është shumë e thjeshtë. Bilanci është më i madh negativ se vitin e kaluar si për Greqinë, si për ne, është në pasqyrën e statistikave të sistemit evropian të informimit për zjarret. Patjetër ligji duhet të jetë, është i fortë që tani për ata që vënë zjarret, gjykatësit s’janë të gjithë në krye të detyrës, një gjë është pak por e sigurt, qentë le të lehin karvani le të shkojë përpara.", tha Rama.
Pak më parë kryeministri Edi Rama ka dalë një një video-live ku ka folur lidhur me situatën e zjarreve në vend dhe dëmet e pësuara deri më tani.
Rama tha se rreth 40 familje e kanë humbur plotësisht shtëpitë e tyre nga zjarret dhe ai premtoi t’u qëndrojë atyre pranë, derisa të rikthehen në banesa të reja. Kryeministri theksoi se ka nisur puna për inventarizimin e plotë të dëmeve, duke iu premtuar qytetarëve të prekur se do të kompensohen.
Rama tha se rreth 40 familje e kanë humbur plotësisht shtëpitë e tyre nga zjarret dhe u premtoi se ata do të kenë ndihmën e shtetit derisa të rikthehen në banesa të reja.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën që po kalon vendi nga zjarret, teksa ka bërë edhe një bilanc të dëmeve.
Rama tha se 72 orët e fundit ishin tejet të vështira dhe i shprehu ngushëllim fmailjes në Gramsh që humbi të afërmin.Ai bëri me dije se nga zjarret 207 banesa janë të dëmtuara dhe 40 familje e kanë humbur shtëpinë plotësisht.
Ai tha se shteti do të kompensojë dëmet e shkaktuara nga zjarret për banesat dhe për gjënë e gjallë që banorët e zonave të prekura kanë humbur.
“Jam këtu për të ndarë me judisa përshtypje dhe patjetër përpara përshtypjeve disa të dhëna lidhur me 48-72 orët e fundit të cilat ishin tejet të vështira për shkak të zjarreve që patën një zhvillim më të madh se sa çdo herë tjetër më parë se sa këtë moment.
Në radhë të parë dua që t’ju shpreh ngushëllim kujt humbi të afërmin e vet dhe t’ju shpreh të gjithë solidaritetin atyre familjeve që faktikisht kanë humbur shtëpinë nga zjarri.
Tani që flasim janë rreth 207 shtëpi të prekura nga zjarri, por në këtë numër hyjnë rreth 40 familje të cilat faktikisht e kanë humbur shtëpinë plotësisht.
Dua t’i siguroj të gjithë, qoftë familjet që kanë humbur banesat plotësisht, qoftë ato të cilat kanë pësuar dëmtime në shtëpitë e tyre nga zjarri, se ne po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve dhe padiskutim se siç ka ndodhur në të shkuarën do të ndodhë përsëri. Askush nuk do të jetë vetëm dhe askush nuk do të mbetet pa e pasur në krah shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë. Tani numërohen mbi 3 kijë e 600 krerë të humbur.”, tha Rama.
Flakët kanë përpirë shtëpi, pemë e pasuritë e një jete për shumë banorë të Gramshit, por dy zyrtarë lokalë kanë gjetur kohë për të bërë nga një pozë me flakët pas krahëve, teksa kryeministri Edi Rama bën reagime në Facebook duke justifikuar mungesën e avionëve Canadair.
Besmira Qose, Drejtoreshë e Shëndetit Publik, dhe Albert Ceci, Nënprefekt i zonës, shihen në foto pranë tymit e flakëve, si dy turistë të rastësishëm që kanë ndaluar të buzëqeshur, ndërsa në sfond konsumohet tragjedia për banorët e fshatrave të Gramshit.
Në rrjete sociale, reagimet nuk kanë munguar.

“Këto pamje janë të papranueshme. Njerëzit këtu kanë humbur gjithçka. Ndërkohë, përfaqësuesit e shtetit po sillen sikur kjo është një shëtitje apo sesion fotosh,” ka shkruar denoncuesi që publikoi fotot, duke sintetizuar me një fjali ndjenjën e shumicës: “Vendi digjet, shteti krihet.”
Ndërkohë, në terren, qindra banorë e kanë kaluar natën në kushte emergjente, duke parë nga larg shtëpitë e tyre të bëhen hi. Por mes këtij kaosi, Gramshi mund të krenohet për rekordin e PR personal në mes të një katastrofe.
Shqipëria vazhdon të përballet me flakët që e kanë ‘pushtuar’ prej ditësh nga veriu në jug. Në 24 orët e fundit, janë raportuar 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 mbeten aktive njofton ministria e Mbrojtjes.
Në qarkun Elbasan, situata më serioze është në fshatin Kullollas të Gramshit, ku janë angazhuar mbi 200 forca tokësore dhe ajrore, përfshirë helikopterë dy çekë dhe sllovakë. Zjarret në Kodovjat dhe Sojnik janë izoluar dhe nuk paraqesin rrezik për banesa.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 janë aktive.
Në bashkinë Delvinë vijon puna për vatrën e zjarrit në Syrin e Kaltër. Zjarri vazhdon aktiv në lartësitë e Malit të Sopotit. Vijon të jetë aktive vatra në fshatrat Pecë, Sirikat dhe Kardhikaq, bashkia Finiq.
Në fshatin Plashnik të Poiçanit, për shkak të intensitetit të lartë të zjarrit dhe erës së fortë u rrezikuan seriozisht banesat në lagjet Totaj, Ziflaj, Serjanaj dhe Beqiraj, ku dje u evakuan 20 banorë.

Pas dy ditësh betejë me flakët të mijëra forcave të emergjencave situata nga zjarret në vend paraqitet më e stabilizuar.
Në Delvinë vijon puna për fikjen e flakëve në vatrën pranë Syrit të Kaltër. Zjarri vazhdon të jetë aktiv në lartësitë e Malit të Sopotit dhe në fshatrat Pecë, Sirikat dhe Kardhikaq të Finiqit.
Në fshatin Kuç të Vlorës flakët vijojnë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje. Një vatër zjarri është shfaqur edhe në fshatin Brataj. Puna për shuarjen e zjarrit po vijon dhe në Hormovë të Tepelenës.
Në Gramsh puna për shuarjen e flakëve ka vijuar që në orët e para të mëngjesit. Zjarri është lokalizuar në një zonë pyjore në fshatin Kullollas dhe Kodovjat.
Rreth 200 zjarrfikësve, efektivëve të forcave të armatosura dhe vullnetarëve i kanë shkuar në ndihmë dhe një helikopter çek dhe një sllovak.
Flakët janë të pranishme gjithashtu në sipërfaqe me shkurre në fshatin Mukaj dhe Sojnik por nuk paraqesin rrezik për banesat.
Për të shuar zjarrin në Plashnik të Poliçanit ku për shkak të intensitetit të lartë dhe erës së fortë një ditë më para u rrezikuan banesat dhe u evakuuan 20 banorë forcave tokësore, iu kanë shkuar në ndihmë dhe 2 helikopterët e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ndërsa vatrat e zjarrit në fshatin Vokopolë dhe midis Poliçanit dhe fshatit Mbrakull janë me intensitet të ulët.
Forcat zjarrfikëse po mbajnë në monitorim flakët në afërsi të fshatit Val në Bulqizë. Zjarri në territorin e kësaj bashkie është zhvilluar në disa vatra, por intensitet i lartë i tyre është në zonën me pyjore.
Aktive vijojnë te jenë vatrat e zjarrit dhe në “Malin e Bërzhitës” në fshatin Ibë dhe në Vaqarr.
Zjarrfikësit arritën të mos lejojnë përhapjen e flakëve në zonën e banuar, por për shkak të terrenit të vështirë nuk mundën ti fikin plotësisht.
Puna për shuarjen e zjarrit po vijon dhe në fshatrat Spanesh dhe Kazie, të Rrogozhinës.
Zjarr ka rënë gjithashtu edhe në Parkun Natyror Korab-Koritnik ku vazhdon angazhimi i forcave në terren për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
Në fshatin Gërmenj të Kolonjës ku një ditë më parë pati shpërthime të municioneve që ndodheshin në perimetrin e vatrës së zjarrit forcat operacionale po hapin rrugën dhe brezat e sigurisë kundër zjarrit.
Nga 57 vatra zjarri raportuar 24 orët e fundit në të gjithë vendin 29 janë ende aktive.
Pas përpjekjeve intensive të forcave të emergjencës, situata nga zjarret në rang vendi paraqitet më e stabilizuar, megjithëse 29 vatra nga 57 të raportuara në 24 orët e fundit vijojnë të jenë aktive.
Vatra më problematike ndodhen në qarqet Vlorë, Berat, Dibër, Elbasan, Tiranë, Gjirokastër dhe në disa zona malore të mbrojtura.
Ndonëse ka patur disa vatra të reja në Njësinë Administrative Skënderbegas dhe Teqen e Dushkut, rreziku për përhapje të flakëve është më i vogël.
Megjithatë problematike mbetet dendësia e lartë e pyllit në krahun lindor të fshatit Ërmenj, ç’ka u vështirëson ekipeve të emergjencave civile izolimin e vatrave aktive, e nëse nuk vihet në kontroll zjarri kalon ne territorin e Prefekturës Korçë.
Edhe në Njësinë Administrative Kukur do duhet kryer ndërhyrja në mënyrë që zjarri të mos fitojë terren. Pra në total, në Gramsh janë katër vatra aktive zjarri.
Nga ana tjetër, shqetësues është bilanci paraprak i zjarreve.
“Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë djegur 42 banesa në Skënderbegas dhe fshatra të tjerë, si dhe 130 krerë bagëti të imta, 22 gjedhë, 1 thundrak, 80 koshere bletësh dhe shumë shpendë. Autoritetet kanë nisur procesin e groposjes së kafshëve të ngordhura për të shmangur rrezikun e shpërthimit të ndonjë epidemie”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Numri i personave të evakuuar është rritur në 46, pasi të mërkurën në mbrëmje u akomoduan edhe 6 persona të tjerë në konviktin shtetëror, përveç 40 të evakuuarve të parë. Nga kjo godinë ata i kërkojnë shtetit t’i dëmshpërblejë.
“Gjashtë kasolle. Delet i kam në një mal të Korçës, në shtëpi unë pata 10 kokë. Lopa me gjithë viç, 10 ditë e pjellë, është djegur. Është shkrumbuar çdo gjë. Zahire nuk kam. Edhe mallin ta kisha, do ngordhte për të ngrënë. Nuk dimë ç’është bërë atje. Të gjitha i kemi lënë atje. Pa shtëpi, pa ekonomi, malli është djegur pjesërisht. Shumë e rëndë, ku të vemë ne?”, tha një fermer për mediat.
Në terren janë angazhuar rreth 50 forca të ushtrisë, 7 mjete zjarrfikëse dhe 200 vullnetarë. Bilanci paraprak tregon se rreth 10 fshatra janë prekur nga flakët në territorin e Gramshit, ndërsa në Bletëz dhe Shëmbërdhenj nuk ka mbetur asgjë pas.

Kryebashkiaku i Gramshit Besion Ajazi ka bërë thirrje urgjente që banorët të largohen nga banesat e rrezikuara nga flakët.
Më i prekur aktualisht është fshati Nartë, ndërsa Ajazi thotë se po punohet me të gjitha forcat për neutralizimin e flakëve që po dalin jashtë çdo kontrolli.
Ai shprehet gjithashtu se banorët duhet të ruajnë qetësinë, ndërsa shton se disa prej qytetarëve që kanë refuzuar të braktisin banesat, janë larguar me forcë për të shpëtuar jetën e tyre.
“Situata paraqitet alarmante dhe emergjente. Zjarri ka djegur e shkatërruar gjithçka! Po përpiqemi të shpëtojmë banesat. Kemi evakuuar njerëzit që në orët e para të mëngjesit. Po punojmë me të gjitha strukturat.
Thirrja kryesore është për banorët, të ruajnë gjakftohtësinë pa panik. Të shpëtojmë sa më shumë të mundemi, të kenë besim te këta djem që po punojmë. Kemi përdorur edhe forcën, apeli është të largohet edhe banori i fundit”, tha kryetari i bashkisë Gramsh për “TCH”.
Raporti i KLSH zbulon gjendjen alarmante të shërbimit zjarrfikës në Shqipëri: mjete të amortizuara, mungesë infrastrukture dhe trajnim minimal për personelin.
Shqipëria përballë flakëve dhe pa mjeteZjarrfikëse të vjetërsuara, rrugë të shkatërruara e të pakalueshme, pajisje të nevojshme që mungojnë dhe personel i pa-trajnuar.
Është kjo fotografia bardh e zi që Kontrolli i Lartë i Shtetit i bëri shërbimit të mbrojtjes nga zjarri në Shqipëri në një raport të mëhershëm auditi.

“90% e mjeteve që disponon shërbimi zjarrfikës janë donacione dhe dhurata nga shërbimet homologe tejet te amortizuara dhe të vjetra të cilat kërkojnë kosto për mirëmbajtjen e tyre. Mungesa e investimeve në drejtim të ngritjes së infrastrukturës së flotës zjarrfikëse në rang kombëtar për periudhën objekt auditimi ka ndikuar drejtpërsëdrejti në cilësinë e këtij shërbimi”, thotë KLSH.
Sipas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në shumicën e bashkive, stacionet zjarrfikëse nuk arrijnë të përmbushin standardet, duke e lënë qytetin dhe fshatin të pambrojtur në rast zjarri.
“Nga të dhënat e paraqitura rezulton se vetëm 23 ose 38 % nga 61 bashki plotësojnë standardin e kërkuar, për ngritjen e stacioneve të shërbimit zjarrfikës, gjë që tregon mungesë të një strategjie në rang kombëtar të mbështetur me fonde për investime në drejtim të ngritjes së një infrastrukture bashkëkohore për shërbimin zjarrfikës në mbarë vendin”, deklaron KLSH.

Pa një shkollë të specializuar, trajnimet e zjarrfikësve mbeten minimale, ndërsa mungesa e korsive të përparësisë vonon ndërhyrjen në terren.
“Shqipëria renditet ndër të paktat vende, e cila nuk ka një Shkollë për Trajnimin Zjarrfikës. Gjatë periudhës objekt auditimi nuk janë ndërmarrë hapa ligjore për përgatitjen e kuadrit rregullator për krijimin e kësaj shkolle pranë Akademisë se Sigurisë. Bashki nuk kanë në gjendje funksioni korsinë e të drejtës prioritare të rrugëve të kalimit, për automjetet dhe pajisjet zjarrfikëse”, shton KLSH.
Shërbimi zjarrfikës, që duhet të jetë mburoja e qytetarëve, përballet me flakët me mjete të vjetruara dhe infrastruktura të mangëta. Pa investime, pa trajnime dhe pa stacione moderne, çdo ndërhyrje rrezikon të mbetet e vonuar.

Kryeministri Rama ka reaguar sërish lidhur me situatën e zjarreve në vend, ndërsa flakët po përparojnë me shpejtësi në Gramsh dhe Delvinë.
I pyetur në rrjetet sociale se “Përse Shqipëria nuk disponon avionë zjarrfikës?”, Rama u përgjigj duke thënë se përpos faturave ekonomike, situata e rëndë të zjarreve nuk merr zgjidhje përfundimtare nga blerja e avionëve zjarrfikës.
Ai justifikohet duke e krahasuar veten me vendin fqinj, Greqisë. Sipas kryeministrit, edhe Greqia posedon avion zjarrfikës, por zjarret e fuqishme të ditëve të fundit e kanë gjunjëzuar edhe shtetin fqinj.
Rama mburret duke thënë gjithashtu se "këtë vit kemi mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë".
“Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë asesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por…
Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?!
Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull:
Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pak a shumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve.
Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët”, u përgjigj ai në një postim në rrjetet sociale.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë një thirrje urgjente për evakuimin e banorëve në Nartë të Gramshit dhe në Delvinë, pasi situata me zjarret në këto zona është përkeqësuar ndjeshëm.
Sipas njoftimit zyrtar, flakët po përhapen me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.
“THIRRJE URGJENTE PËR EVAKUIM. Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta”, – thuhet në komunikatën e Ministrisë.
Pamjet tregojnë shtëpi të rrezikuara, njerëz që largohen me nxitim dhe ekipe emergjence që përpiqen të vendosin nën kontroll vatrat e zjarrit.
Zjarrfikëse të vjetërsuara, rrugë të shkatërruara e të pakalueshme, pajisje të nevojshme që mungojnë dhe personel i pa-trajnuar. Është kjo fotografia bardh e zi që Kontrolli i Lartë i Shtetit i bëri shërbimit të mbrojtjes nga zjarri në Shqipëri në një raport të mëhershëm auditi.
Pamjet tregojnë shtëpi të rrezikuara, njerëz që largohen me nxitim dhe ekipe emergjence që përpiqen të vendosin nën kontroll vatrat e zjarrit.







Një banore e quajtur Miranda, ka refuzuar të lërë banesën e saj në Delvinë. Ajo shprehet se nuk dëshiron të braktisë banesën e saj, ndërsa flakët 'po përpijnë' gjithçka, pasi ka të gjithë kujtimet aty.
“Më dhimbset shtëpia, kam kujtimet e mia këtu. Jam për pushime, më bërtasin të gjithë nuk iki dot. Me dhimbset, kam gjithë kujtimet, si të iki”, tha ajo për "TCH".
Banorja tha gjithashtu se organet kompetente nuk reaguan në kohë për zjarrin duke mos ndërhyrë me avionë.
Pas zjarrit të madh që përfshiu Delvinën gjatë natës, një vatër e re zjarri është ndezur paraditen e sotme. Flakët po djegin bimësi në një kodër shumë pranë zonave të banuara dhe po përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë.

Banorët e Delvinës kaluan një natë të vështirë mbrëmjen e së martës, ku qyteti ishte i rrethuar nga flakët. Sot, disa prej tyre kanë folur duke treguar situatën e vështirë me të cilën u përballën.
Banorët thonë se zjarri u afrua shumë pranë banesave të tyre, pasi flakët zbritën nga pylli. Ata shprehen se i kanè shuar vetë flakët që u afruan pranë banesave, pasi zjarrfikëset nuk shkuan sepse ishin përqëndruar në zonën e puseve të naftës.
“Na u afrua zjarri mbi shtëpi. Erdhi policia, na tërhoqi na solli këtu, na largoi nga vdekja. Megjithatë, zjarri është nën kontroll, po vazhdon akoma”, thotë një banor për "Report Tv".
“100 rrënjë ullinj shekullorë u dogjën, asnjë njeri nuk erdhi, s’na e varën fare këtë radhë. Mbrëmë ishte panik. Nuk ishte parë ndonjëherë si kjo”, shprehet një tjetër.
“Mbrëmë ishte një natë shumë e vështirë për lagjen tonë. U dogj një pyll aq i bukur këtu lart. Zjarri arriti deri poshtë. U dogjën edhe 2-3 shtëpi këtu. Asnjë zjarrfikëse, sado që bëmë disa kërkesa, nuk erdhi. Vetëm njerëzit me tubo dhe me kova uji. Të gjitha zjarrfikëset që kishin ardhur që thonë, ishin përqëndruar lart te gazi. Këtu nuk erdhi asnjë”, thotë një i tretë.
Mirgen Çela është një banor i Gramshit, i angazhuar si vullnetar për të ndihmuar në situatën e zjarreve që ka përfshirë disa fshatra të këtij qyteti.
Për Report Tv ai ka thënë se sot situata është e vështirë në fshatin Nartë, ku flakët janë përhapur në të gjithë fshatin.
Zjarri po përparon drejt banesave, ndërsa banorët e zonës janë evakuuar.
Mirgeni ishte aktiv edhe ditën e djeshme, kur shpërtheu situata alarmante në fshatrat e Gramshit. Ai ndihmoi disa familje një ditë më parë duke i larguar nga zona e rrezikut. Fatkeqësisht, ai humbi edhe shtëpinë e tij, që u përpi nga flakët e zjarrit.
Ndërkohë për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje banorëve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë që të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta.
Ndërsa ka 24 vatra aktive aktualisht në vend situata paraqitet më problematike pikërisht në këto zona.
Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit. Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin.
Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e vështitë të po kalon vendi 24 orët e fundit nga zjarret, ku situata është kritike në Gramsh dhe Delvinë.
“Dy ditë e netë ekstremisht të vështira, ku forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura po përballen me zjarre të mëdha në Skënderbegas, Sojnik të Gramshit, Koshtan të Memaliajt, në Hormovë, Kodër e Lekël të Tepelenës, në kufi me Gjirokastrën, Dhivër, Kakodhiq në Finiq, si dhe në Dropull në kufi me Delvinën, ku rreziku dhe flakët kanë qenë të pamëshirshme.
Falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, është arritur fatmirësisht që zjarret të vihen nën kontroll, ndërkohë që vazhdon puna papushim drejt shuarjes së tyre dhe gatishmëria maksimale për çdo riaktivizim të mundshëm apo vatra të reja.
Thirrje të gjithë banorëve të tregohen të kujdesshëm, të sinjalizojnë çdo vatër zjarri para se të jetë vonë dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve, ndërsa për kriminelët që luajnë me flakët, ndëshkimi do të jetë maksimal”, shkruan Rama.

Ndërkohë që vendi ynë po përballet me një valë te nxehti dhe temperatura ekstreme deri në 42 gradë celsius, meteorologia Tanja Porja, njofton se nga sot ka nisur ulja e temperaturave. Sipas saj, temperaturat do të vijojnë të ulen gradualisht gjatë ditëve në vijim.
“Kemi temperatura prej 42 grade celsius sot ka rënie të temperaturave. Ky është lajm i mirë. Temperaturat do të vijojnë të ulen në pjesën e dytë të javës do ndihet të enjten dhe gjatë fundjavës. Në zona të izoluara në skajin veriperëndimor edhe gjatë fundjavës do të ketë temperatura maksimale 38-39 dhe zona të izoluara ku pjesa tjetër do të ketë rënie të vlerave termike. Sot presim 40-41 nesër 38-39 nga e premtja në vijim kemi temperatura jo më shumë se 35-36 gradë”, u shpreh Porja për A2 CNN.
Sipas saj, në zona të izoluara, kryesisht në skajin veriperëndimor, temperaturat do të qëndrojnë më të larta edhe gjatë fundjavës, duke arritur deri në 38-39°C, ndërkohë që në Mbishkodër mund të regjistrohen vlera deri në 38°C.
E pyetur se kur parashikohen reshje shiu, ndërkohë që shumë zona të vendit janë përfshirë nga flakët, Porja theksoi se deri më 23-24 gusht, nuk parashikohen reshje në territorin shqiptar.
“Pjesa tjetër e muajit gusht do të ketë reshje të pakta dhe të izoluara. Deri nga data 23-24 gusht nuk presim reshje në të gjithë territorin nga data 24 e në vijim pritet që të kemi dy ditë reshje të konsiderueshme. Thatësira e kësaj vere ka qenë e paprecedentë. Reshjet në gjysmën lindore të territorit”, tha Porja.
Sipas parashikimeve, meteorologia njoftoi se edhe muaji shtator pritet të vijojë me temperatura të larta, të ngjashme me ato të muajve të verës.

Banorët në Gramsh janë angazhuar duke mbushur kova me ujë dhe duke ndërhyrë vetë për fikjen e zjarrit në zonë, konkretisht në Harunas.
Të gjitha ekipet e ushtrisë janë të përqendruara në parandalimin e përhapjes së flakëve drejt fshatit Nartë, i cili është më i populluar dhe nëse zjarri përhapej aty, do të përhapej më tej në zonat e Sulovës dhe Cërrikut.
Për neutralizimin e flakëve po operojnë 7 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë, 300 vullnetarë dhe 50 forca të specializuara.
Megjithatë, rreziku mbetet i lartë për Harunas, Nartë, Shelcan, Bulçar, Snosëm, Sojnik, Probat dhe Grabovën e Poshtme.
Autoritetet dhe forcat e emergjencës po vazhdojnë përpjekjet, por terreni malor i vështirë dhe temperaturat e larta po komplikojnë ndërhyrjen efektive.
Banorët e zonave të prekura po largohen me urgjencë nga banesat, duke marrë vetëm gjërat më të domosdoshme.
Helikopterët e emergjencave civile qëndrojnë në gatishmëri për transportin e të plagosurve drejt spitalit të Tiranës. Situata pritet të mbetet kritike edhe në orët në vijim.
Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes dhe respektim të udhëzimeve të ekipeve të emergjencës, duke kërkuar evakuimin e menjëhershëm drejt zonave të sigurta në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë.
Nga burime zyrtare, deri tani në Gramsh janë djegur rreth 39 banesa në Skënderbegas.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive.
Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit.
Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë, ku situata është më kritike.
Ndërkohë banorët në Delvinë, të cilët kaluan një natë tmerri për shkak të zjarrit të madh që përfshiu zonën, shprehen të irrituar dhe akuzojnë autoritetet shtetërore ndërsa shprehin ankesa se mungoi mbështetja për ta.
Një banor thotë se nuk ka pasur ndihmë nga Emergjenca Civile dhe shprehet se vetëm ndërhyrja me avion mund ta përmirësonte situatën ndërsa një tjetër kërkon praninë e kryeministrit në zonë.
“Mos më merrni me kamera, por merr kryeministrin, zjarrfikësja të shuaj zjarret, mos të rrijë aty. Më janë djegur ullinjtë dhe malli atje sipër”, thotë një prej tyre për Euronews Albania.
Një tjetër thotë zjarrëfikësit na lanë vetëm në mëshirë të fatit.
“Ata janë të lodhur, të mbaruar dhe nuk kanë fuqi. I prita të vinin por na lanë në mëshirë të fatit”, thotë ai.
Ndërkohë për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje banorëve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë që të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta.
“Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta”, shprehet Ministria.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri në vend, nga të cilat 24 mbeten aktive. Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, po punojnë në terren, me mbështetje nga ajri nga helikopterë në Gramsh, Delvinë e zona të tjera.
Situatat më problematike regjistrohen në Delvinë e Finiq, ku flakët kanë djegur shtëpi e ullishte, në Gramsh me një viktimë, në Tepelenë me dëme në stalla e bagëti, si dhe në disa vatra në Tiranë, Shkodër, Dibër e Korçë.

Situata me zjarret në Gramsh vijon të jetë problematike. Banorët e fshatit Nartë në Gramsh po largohen të tmerruar pas afrimit të flakëve që kanë pushtuar zonën.
Flakët po përpijnë dhjetëra hektarë toke, ndërsa ky fshat ndodhet në kufi me fshatin Skënderbegas i cili është gjithashtu i përfshirë nga flakët.
Raportohet se banorët kanë nisur të evakuohen. Ata kanë marrin çfarë të munden nga shtëpitë e tyre, në kushte ku faktori kohë është tejet i rëndësishëm për sigurinë e tyre pasi flakët po përhapen me shpejtësi.
Banorët e Nartës po largohen me rrobat e trupit ndërsa po përpiqen të shpëtojnë bagëtitë.
“Ku të iki, unë do të digjem atje brenda. Tërë plaçkat kam lënë aty, siç kam punuar 70 vjet, ç’e desha jetën time”, u shpreh një banore.
64 vatra zjarri janë shfaqur në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilat 24 janë aktive.
Këto janë të dhënat nga Ministria e Mbrojtjes. Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit.
Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin.
Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë.
Ministria e Mbrojtjes gjthashtu i ka bërë një thirrje urgjente për evakuim për banorët e 3 zonave, për shkak të përhapjes së zjarreve në mënyrë të shpejtë.
“Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta”, shprehet Ministria.
Situata në vatrat më problematike:
Qarku Vlorë – Bashkia Delvinë & Finiq
Në Delvinë, zjarri i depërtuar nga Syri i Kaltër ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, duke arritur deri pranë kurorës së bashkisë. Flakët u shtrinë nga Vllahati drejt Kakodhiqit, duke shkaktuar djegien e 5 shtëpive, prej të cilave 4 të pabanuara. Në operacione janë angazhuar 36 efektivë zjarrfikës me 5 mjete, 120 trupa të FA, forca të FNSH, Delta, Shqiponjat, policia vendore dhe bashkiake, si dhe 7 autobote uji. Zjarri është zhvendosur mbi fshatin Vllahat, ku po ndërhyhet nga ajri me helikopterë çek dhe sllovak.
Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.
Qarku Elbasan – Bashkia Gramsh
Në Kullollas dhe njësinë Skënderbegas, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë disa fshatra dhe shkaktuar një viktimë. Janë raportuar dëme në banesa. Situata mbetet e rëndë dhe po ndërhyhet nga ajri. Në Mukaj e Sojnik, zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, me forcat vendore dhe FA në terren.
Qarku Gjirokastër – Bashkia Tepelenë
Në Hormovë, rreziku për banesat është shmangur, por puna për shuarjen vazhdon. Në Turan, flakët janë përhapur drejt Lekelit dhe Koderit, duke djegur dy stalla dhe kafshë. Në terren kanë operuar forca zjarrfikëse, policore, bashkiake, vullnetare dhe ushtarake, si dhe helikopterë çek e sllovak.
Qarku Shkodër – Bashkia Fushë Arrëz
Në Xeth, vatra po digjet në një zonë me pisha. Janë angazhuar forca të shumta nga FA, MZSH, policia dhe shërbimi pyjor. Situata paraqitet më e qetë, por puna vijon për izolimin e plotë.
Qarku Tiranë
Në malin e Bërzhitës dhe fshatin Durishtë, zjarri është mbajtur nën kontroll me ndërhyrje nga ajri dhe toka. Në zonën Arbanë (Damjan e Isufaj), flakët morën përmasa të mëdha dhe u ndërhy me helikopter kroat. Në Ferraj dhe Zall-Herr, vatrat po mbahen nën monitorim, ndërsa në Kryevidh të Rrogozhinës janë djegur rreth 100 ha dhe dy shtëpi të pabanuara.
Qarku Dibër
Në malin me Gropa, Biz të Martaneshit, zjarri vazhdon në zonë të mbrojtur, larg banesave. Në Ternovë, operacioni vazhdon me forca vendore dhe të FA.
Qarku Korçë – Bashkia Kolonjë
Në Gërmenj, zjarri në pyjet me pisha zhvillohet në terren të vështirë, me shpërthime municionesh në perimetrin e flakëve. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë është e vështirë dhe po mbahet nën mbikëqyrje.
Sa i përket parashikimit të motit dhe rrezikshmërisë për zjarre, Ministria e Mbrojtjes thotë se sipas të dhënave meteorologjike, vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe erëra të forta në orët e mesditës, çka rrit rrezikun për riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave ekzistuese, si dhe krijimin e zjarreve të reja.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re.
Sot në mëngjes, Delvina është zgjuar e shkrumbuar nga zjarri.
Me dhjetra hektarë toke të kthyera në ngjyrë të zezë pas flakëve masive, teksa banorët thonë se emergjenca kanë ardhur me shumë vonesë.
Sipas banorëve, situata ka qenë e vështirë sepse zjarrëfikset nuk mund të hynin dhe avionë nuk ka pasur.
Një nga banorët u bëri edhe një thirrje për deputetët.
View this post on Instagram
Sot situata është më e qetë, por ende vazhdohet të luftohet me flakët.
“Situata ka qenë e vështirë. Kemi pasur ndihmë nga të gjitha bashkitë e qarkut, por edhe nga prefektura të tjera, si Fieri dhe Gjirokastra. Zjarri, i ndihmuar edhe nga era, ka pasur intensitet goxha të lartë, por është përballuar nga zjarrfikëset dhe ushtarët. E rëndësishme është që shpëtuan shtëpitë. Sot mund të themi që vetëm një shtëpi është e djegur nga të banuarat, 3 të tjerat janë të pabanuara. Nuk kemi humbje jetësh. Banorët u evakuuan dhe pasuria e tyre u shpëtua”, tha Plator Nesturi, prefekti i Qarkut të Vlorës.
“Pati edhe një situatë rreth puseve të naftës, por u përballua me sukses dhe sot nuk ka rrezik. Era ka bërë që zjarri të aktivizohet sërish në rrethina, por me ndërhyrjen e helikopterëve themi se do ta vëmë nën kontroll”, shtoi Nesturi.

Gjatë ditës së sotme, në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz, situata e zjarrit në fshatin Xath është paraqitur më e qetë, krahasuar me intensitetin e ditëve të mëparshme. Aktualisht banesat janë jashtë rreziku, ndërsa në terren vijon puna për shuarjen e plotë të flakëve.
Forcat e angazhuara janë:
• 50 forca të ushtrisë me 2 mjete zjarrfikëse;
• 15 efektivë të MZSH-së me 2 mjete zjarrfikëse dhe 2 bota uji;
• 18 inspektorë të shërbimit pyjor;
• 30 persona nga administrata, shërbimet dhe njësitë administrative Blerim dhe Qafë-Mali.
Operacioni po zhvillohet me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të AKMC-së, duke synuar vendosjen nën kontroll dhe shuarjen e çdo vatre aktive. Sot, falë punës së koordinuar, situata është në përmirësim dhe shpresojmë të arrihet izolimi i plotë brenda një kohe të shkurtër.
Në territorin e Bashkisë Shkodër, një vatër zjarri vijon aktive në fshatin Ura e Shtrejt, në lartësi të malit. Situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga forcat në terren.
Bashkitë Malësi e Madhe, Vau Dejës dhe Pukë nuk raportojnë probleme aktualisht.
Prefekti i Qarkut Shkodër vijon ndjekjen e situatës dhe koordinimin me të gjitha strukturat vendore e qendrore për menaxhimin e emergjencave.
Zjarret me përmasa të pazakonta që goditën një pjesë të madhe të zonave rurale në bashkinë e Gramshit ka lënë pas një panoramë shkatërrimi total.
Dhjetëra shtëpi janë shkrumbuar, dy fshatra duken thuajse të zhdukur pothuajse plotësisht nga harta, qindra hektarë pyje janë djegur dhe mbi 200 banorë u evakuuan për shkak të rrezikut të madh për jetën.
Bilanci i përkohshëm i kësaj tragjedie është një humbje jete dhe tetë të lënduar nga flakët e furishme që “pushtuan” dje rreth dhjetë fshatra të kësaj zone.
Ngjarja dramatike nisi pak pas mesditës së së martës, kur 80-vjeçari, Bato Zhupani, banor i fshatit Kullollas, i cili dyshohet se ndezi zjarr në kopshtin e shtëpisë së tij.
Në pak minuta, flakët dolën jashtë kontrollit duke u përhapur me shpejtësi në zonën përreth,për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë. Fatkeqësisht, i moshuari nuk mundi të largohej në kohë dhe humbi jetën në vend nga asfiksia.
Policia e Elbasanit dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, janë duke zhvilluar hetime intensive për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Fshatrat Kullollas, Kodovjat, Shemberdhenje dhe të tjerë përreth janë përfshirë nga flakët që, sipas dëshmitarëve, janë përhapur me një shpejtësi marramendëse.
Në total, dhjetë fshatra janë përfshirë nga zjarret, duke e kthyer të gjithë zonën në një zonë lufte.Dëmet janë të jashtëzakonshme,shtëpi të rrafshuara nga zjarri, bagëti të djegura, pemëtari e shkatërruar, tokë bujqësore e përvëluar.
Ndër objektet me vlerë historike që kanë rënë pre e flakëve është edhe Teqeja e Shemberdhenjes, një monument që mbante gjallë trashëgiminë shpirtërore të banorëve të zonës.
Pasojat në njerëz mund të ishin edhe më tragjike , por në të gjitha fshatrat e prekur jetojnë shumë pak familje dhe ato janë kryesisht me 2-3 anëtarë .
Me urdhër të menjëhershëm të Ministrisë së Mbrojtjes, që pres ditës së djeshme janë vënë në gadishmëri të lartë të gjitha forcat shtetërore për menaxhimin e situatës. Katër helikopterë ,përfshirë dy Cougar janë angazhuar në operacione ajrore për shuarjen e zjarreve në zonat më të paarritshme për zjarrfikëset tokësore.
Forcat e Zjarrfikëses, Emergjencat Civile, ushtria, Policia e Shtetit dhe vullnetarë janë angazhuar me intensitet të plotë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të shpëtuar jetë njerëzish.
Ndërkohë, 200 banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe janë sistemuar përkohësisht në hotele ose në palestra sportive, ku janë shpërndarë mbi 160 pako kampingu të marra nga rezervat e shtetit.
Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se do të vazhdojë koordinimin e plotë me pushtetin vendor dhe njësitë operacionale në terren, deri në normalizimin e plotë të situatës.
Pavarësisht tragjedisë, autoritetet sapo situata të normalizohet do fillojnë menjëherë vlerësimin e dëmeve dhe përgatitjet për një plan emergjent rindërtimi dhe kompensimi të familjeve të prekura nga kjo katastrofë dhe shoresohet që asnjë banor nuk do të mbetet pa strehë dhe se do të ndërmerren hapa të menjëhershëm për të rikthyer jetën normale në zonë.
Gjithashtu, është apeluar për kujdes maksimal nga qytetarët në përdorimin e zjarrit në hapësira të hapura, duke theksuar se çdo pakujdesi mund të rezultojë fatale.
Në këtë moment të vështirë, kërkohet solidaritet kombëtar për të ndihmuar qytetarët e prekur nga tragjedia në Gramsh.
Për familjet e prekura nga kjo fatkeqësi janë të mirëpritura ndihma materiale, mbështetje logjistike dhe angazhimi i organizatave humanitare në terren për përballimin e pasojave të rënda.

Në zonën e mbrojtur të Rezervatit të Ballollit, flakët e zjarrit kanë marrë përmasa në zonën e pyllit. Në vendngjarje kanë shkuar një zjarrfikëse nga Poliçani, një zjarrfikëse nga Dimali dhe 6 punonjës të Zonave të Mbrojtura të Beratit, si dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Sipas autoriteteve vendore, situata konsiderohet e rëndë. Ndërsa në zonat e banuara të Poliçanit situata është e qetë dhe po mbahet në monitorim.
Situata problematike është edhe në fshatin Velçan të Beratit, ku zjarri ka marrë përmasa në sipërfaqe me shkurre. Mësohet se po operojnë 20 forca zjarrfikëse, 3 mjete zjarrfikëse nga Berati si dhe 25 forca nga Bashkia.
Në Skrapar, vatra e zjarrit në Orizaj, zhvillohet me intensitet të ulet në sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje ndodhen 6 zjarrfikëse dhe 2 mjete zjarrfikëse nga Skrapari, 5 forca vullnetare të fshatit, 5 forca nga shërbimi pyjor i bashkisë.
Në Bashkinë Dimal dhe Kuçovë situata është e qetë. Në qarkun Dibër janë aktive dy vatra zjarri, njëra në Tërnovë afër Liqenit të Zi dhe tjetra në Val të Martaneshit. Flakët deri më tani nuk përbëjnë rrezik për banorët pasi janë larg fshatrave.
Përhapja e zjarrit është e madhe dhe janë dëmtuar disa hektarë pyje. Ndërkohë në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Deri në mëngjesin e sotëm, në qarkun e Kukësit është raportuar vetëm një vatër zjarri, e cila ndodhet në zonën pyjore të Majës së Zezë, në fshatin Shëmri, Njësia Administrative Malzi.
Zjarri është izoluar plotësisht dhe po mbahet nën monitorim nga strukturat e bashkisë për të siguruar shuarjen e tij të plotë.

Vijon zjarri në zonën e minuar 'Piramida 12' në kufi me Greqinë, pranë Parkut Natyror të Gërmenjes në bashkinë Kolonjë.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se nga mbrëmë nuk ka përhapje të flakëve por mbetet aktiv dhe me risk, pasi era e favorizon. Në terren ndodhen aktualisht duke punuar rreth 40 forca zjarrfikëse.
Gjithashtu, bëhet me dije se grupi që ka mbërritur mbrëmë nga Tirana, po shkon në vëndngjarje për të bërë bërë demontimin e minave të konstatuara në territor.
"Shërbimi i Bashkisë ka nisur skrep për të hapur rrugë, në mënyrë që të afrohen sa më shumë me mjete zjarrëfikëse në sipërfaqen e prekur. Por duke qenë se është zonë kufitare, ka shumë mina dhe dëgjohen herë pas here shpërthime, ndaj paraqet rrezikshmeri për efektivet e nuk mund të afrohen shumë në perimetrin e zjarrit. Njëkohësisht, grupi xhenjos që ka mbërritur mbrëmë nga Tirana, po shkojnë në vëndngjarje për të bërë bërë demontimin e disa minave të konstatuara në territor", thuhet në njoftim.

Qyteti i vogël i Delvinës në jug të Shqipërisë është gdhirë sot pas një nate ferri. Për herë të dytë brenda pak javësh, banorët u përballën me zjarre që nëse do të kishin vazhduar me të njëjtin intensitet dhe për pak orë, do të kishte bërë shkrumb e hi gjithçka.
Ministri Pirro Vengu ka deklaruar se rreziku për banorët dhe shtëpitë në Delvinë ka kaluar. Zjarri është ndihmuar nga era e fortë dhe situata ka kaluar në nivelin e rrezikut maksimal brenda një ore, duke detyruar evakuimin e shtëpive dhe spitalit.
Fatmirësisht, nga angazhimi i forcave zjarrfikëse dhe i atyre të Ushtrisë, flakët janë ndalur në periferinë e qytetit, ende aktive, por nuk rrezikojnë qytetin.
Gazetari Ermir Hoxha ka publikuar disa fotografi të shkrepura këtë të mërkurë, në të gdhirë në Delvinë, ku shihen shtëpi e sipërfaqe të mëdha toke të bëra shkrumb e hi, ndërsa në rrugë pushojnë të rraskapitur zjarrfikës e ushtarakë të Forcave të Armatosura.
Jas si e përshkruan ai atë se çfarë ka gjetur në orët e para të mëngjesit të sotëm:
"Hataja e zjarreve në Delvinë më gjeti paksa larg, në Kosovë. Udhëtova gjithë natën për të mbërritur në mëngjes herët, te familja ime e traumatizuar. Dhe, duke parë hatanë që ka përpirë dhjetra shtëpi në disa lagje të qytetit, pasi u ka shkrumbuar të gjithë pasurinë natyrore banorëve – qindra rrënjë ullinj e të tjerë drufrutorë – ku ndër më të humburit është im kunat, mu kujtuan fjalët e të ndjerës Drita Çomo te kujtimet e saj, e bija e Liri Belishovës, që pos persekutimit të rëndë komunist u sëmur dhe nga kanceri, e cila thoshte si për t’i dhënë gajret vetes: “Nuk ka asgjë të tmerrshme gjersa ka diçka dhe më të tmerrshme se tmerri që mendon se të ka ndodhur”.
Situata edhe ditën e sotme vazhdon të mbetet kritike në Delvinë, teksa ka nisur ndërhyrja nga ajri. Ka gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike.
Ndërkohë situata nga zjarret në Gramsh vazhdon të jetë shumë e vështirë. Era ka përhapur flakët dhe vatra të reja kanë dalë në zona të ndryshme. Në Skënderbegas për pak po digjet dhe fshati i fundit.
Në njësinë Kodovjat zjarri është shumë afër fshatit Posnovisht dhe pastaj fshatrat e tjerë janë zinxhir afër me njëri tjetrin.
Deri në mbrëmjen e djeshme në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë aktive dhe 7 po mbahen nën monitorim. Situata më problematike vijon të jetë në jug të vendit, me rrezik të lartë për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën.

Situata paraqitet ende kritike në Delvinë. Tymi ka pushtuar zonën për shkak të flakëve masive ndërsa ka edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Ndërkohë zjarri ka vijuar me intensitet të lartë edhe gjatë orëve të natës. Flakët vijojnë ende në kodrat përreth qytetit, ndërsa pritet ndërhyrja nga ajri.
Zjarri mori përmasa të mëdha gjatë orëve të mbrëmjes. Flakët, e nisura fillimisht në Finiq, kaluan në territorin e Delvinës. Banorët u evakuuan, ndërsa zhvendosje u bë edhe për pacientët e stafin mjekësor të spitalit.
Prej godinës së spitalit u zhvendosën edhe bombolat e oksigjenit, pasi rrezikoheshin nga zjarri. Transferimi i pacientëve, mjekëve dhe pajisjeve u bë përkohësisht në Pallatit të Kulturës.
Zjarri rrezikoi edhe puset e naftës. Banorët rrëfyen se flakët u përhapën shumë shpejt. Ata thonë se shumë banesa u dogjën, ndërsa autoritetet shprehen se nuk ka më rrezik për banesat.
Më herët, gjatë mesditës së djeshme, situata u paraqit kritike edhe në disa fshatra të Gramshit. Në Kullollas, u shënua dhe viktima e parë në Gramsh, një 80 vjeçar, i cili humbi jetën nga asfiksia. Ishte zjarri që ai ndezi në oborrin e shtëpisë së tij dhe u përhap me shpejtësi duke përfshirë dhe fshatra të tjerë të zonës.

Një tjetër viktimë dyshohet se është regjistruar në qarkun e Elbasanit si pasojë e zjarreve që kanë pushtuar vendin. Pas 80-vjeçarit i cili humbi jetën një ditë më parë, pasi ndez zjarr në oborrin e banesës së tij, duke shkaktuar përhapjen e flakëve në terren dhe rrezikun e madh për banorët dhe pronat e zonës, A2 CNN mëson se tjetër person dyshohet se ka ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë nga zjarri.
Ndërsa raportohet edhe për shumë të tjerë janë asfiksuar, sipas A2 CNN dhjetëra banesa janë të shkrumbuara plotësisht, ndërsa fshatrat të cilat u rrethuan nga flakët një ditë më parë; Kullollas, Bletëz, Skënderbegas, Menkollare, Zenelas, Harunas u dogjën.
Deri mbrëmjen e djeshme në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë aktive dhe 7 po mbahen nën monitorim. Situata më problematike vijon të jetë në jug të vendit, me rrezik të lartë për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën.

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me situatën e rënduar nga zjarret në Shqipëri.
Gjendja u deklarua si kritike pasi përmasat e zjarrit ishin të frikshme. Vatrat e zjarrit rrezikuan edhe qytetet, e favorizuar nga era.
Jorida Tabaku bën thirrje për reagim të menjëhershëm pasi situata paraqitet kritike në disa qytete ku aktualisht janë 37 vatra zjarri në vend, ndërsa ka nisur evakuuimi masiv i banorëve në Delvinë.
Ajo thekson se nuk mjafton propaganda dhe deklaratat e qeverisë pas çdo zjarri, pasi duhet një strategji serioze, investime të qëndrueshme dhe një administratë që punon për qytetarët, jo për tendera klientelistë.
“Këtë vit, Shqipëria është përballur me një bilanc të rëndë nga zjarret: pas Borshit, Kaninës, Vlorës, tashmë edhe Gramshit e Tiranës. Është e dhimbshme të shohësh se, përballë fatkeqësive të tilla, shteti mbetet i pafuqishëm, pa mjetet dhe infrastrukturën e domosdoshme për t’i përballuar.
Çdo verë, pas çdo tragjedie, dëgjojmë të njëjtat premtime për blerje helikopterësh dhe investime në pajisje. Por vit pas viti, ato mbeten vetëm fjalë, ndërsa flakët përpijnë pyje, shtëpi e jetë njerëzish. Menaxhimi i këtij sezoni turistik ka treguar se, nga turizmi te emergjencat, mungon një strategji serioze dhe funksionale.
Punonjësit që luftojnë me zjarrin meritojnë mirënjohje të veçantë: në kushte ekstreme dhe temperatura përvëluese, ata punojnë me përkushtim në vijën e parë të rrezikut. Por sakrifica e tyre nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë e shtetit.”, shkruan Tabaku.
Zjarri në Delvinë ka vazhduar me intensitet të lartë edhe gjatë orëve të natës, duke u përhapur me shpejtësi drejt fshatit Vllahat. Zjarri me përmasa të mëdha përfshiu disa zona, duke rrezikuar jetët e banorëve.
Zjarri i nisur fillimisht në Finiq kaloi në territorin e Delvinës, duke përfshirë disa fshatra. Banorët u evakuuan ndërsa zhvendosje u bë edhe për pacientët e stafin mjekësor të spitalit të Delvinës pasi flakët iu afruan edhe godinës së spitalit.
Prej spitalit u zhvendosën edhe bombolat e oksigjenit, pasi rrezikoheshin nga zjarri. Transferimi i pacientëve, mjekëve dhe pajisjeve u bë përkohësisht në Pallatit të Kulturë.
Zjarri rrezikoi edhe puset e naftës. Banorët rrëfyen tmerrin që u panë sytë, ndërsa theksuan se flakët u përhapën shumë shpejt. Banorët flasin edhe për disa shtëpi të djegura, ndërsa autoritetet theksojnë se nuk ka më rrezik për banesat.
Më herët, gjatë mesditës së djeshme, situta u paraqit kritike edhe në disa fshatra të Gramshit.
Në Gramsh, u shënua dhe viktima e parë në Gramsh, një 80 vjeçar, i cili humbi jetën nga asfiksia. Ishte zjarri që ai ndezi në oborrin e shtëpisë së tij, që u përhap me shpejtësi duke përfshirë dhe fshatra të tjerë të zonës. 9 fshatra u evakuuan.
Siç mund ta shihni në fotot e mëposhtëme të publikuara nga fotoreporteri Florion Goga, pamjet janë trishtuese.
View this post on Instagram
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se aktualisht janë 37 vatra zjarri në vend, teksa konfirmon se ka nisur evakuuimi masiv i banorëve në Delvinë.
“Në Delvinë, zjarri i nisur në Finiq ka kaluar në territorin e bashkisë, duke rrezikuar qytetin pas shkatërrimit të disa fshatrave përreth. Ka nisur evakuuimi i banorëve, ndërsa në terren po punojnë mjete zjarrfikëse dhe avionë nga Greqia, Çekia dhe Sllovakia”, thuhet në njoftimin zyrtar.
“Për shkak të flakëve që po i afrohen pranë qytetit, shumica e forcave të bashkive Sarandë, Gjirokastër, Konispol dhe Finiq, së bashku me Brigadën e Mbështetjes së Emergjencave Civile të Forcave të Armatosura, janë dislokuar në terren për të luftuar vatrat e rrezikshme të zjarrit dhe për të ndihmuar në evakuimin e banorëve”, thekson Ministria.

Vendi ynë prej disa ditësh është përfshirë nga vala e të nxehtit afrikan, ku pothuajse në të gjithë territorin janë regjistruar temperatura të larta.
Ditën e sotme, sipas parashikimit të motit nga Shërbimi Metereologjik ushtarak, moti parashikohet i kthjellët dhe me kohëzgjatje të orëve me diell në të gjithë territorin.
Temperaturat maksimale do të regjistrohen në Shkodër, 42 gradë, Tiranë, Elbasan, Berat, Fier e Gjirokastër përkatësisht 41 gradë Celsius. Ndërsa temperaturat e mëngjesit dhe të mbrëmjes do të vijojnë të jenë në vlerat 20 gradë në zonat malore dhe 25-26 gradë në zonat e ulëta dhe në bregdet.
Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi 7-14 m/s.
Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në fshatin Hormovë, Bashkia Tepelenë, pranë kufirit me Gjirokastrën.
Që prej orës 04:00 të mëngjesit, forcat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi Gjirokastër po punojnë në terren për izolimin e flakëve, me synimin që ato të mos kalojnë në territorin e Bashkisë Gjirokastër.
Zona paraqet rrezik të lartë për shkak të bimësisë së dendur dhe afërsisë me disa fshatra, ku pasojat mund të ishin katastrofike.
Ky është një operacion emergjent i ndërmarrë vetëm nga efektivët e MZSH Gjirokastër, për të parandaluar përhapjen e zjarrit në një territor me potencial të madh dëmesh.
Situata mbetet problematike në Gramsh, Finiq, Lekël dhe Hormovë të Tepelenës, Terpan dhe Plashnik të Poliçanit.
Ministria jep detaje edhe nga zjarri në Delvinë, ku rrezikohet edhe qyteti, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Po vijon evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Në terren kanë operuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak.
E rëndë paraqitet situata në fshatin Lekël të Tepelenës, ku zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Nga raportimet e gazetares Brikena Metaj, mësohet se flakët kanë përpirë disa hektarë me pyje dhe të mbjella, ndërsa janë djegur disa banesa. Po ashtu, flakët kanë ‘përpirë’ tre stane dhe tre krerë gjedhë.
Ndër objektet e prekura rëndë është edhe kisha ortodokse “Shën Ilia”, e shpallur monument kulture i kategorisë II.
Kisha, e ndërtuar rreth viteve 1800 nga Thanas Vaja, ish-komandat i Ali Pashë Tepelenës, është shkatërruar plotësisht nga flakët. Sakaq, situata u përshkallëzua dhe më tej, pas shpërthimit të dy bombave të mbetura në zonë që nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat janë aktivizuar për shkak të temperaturave të larta të zjarrit. Duke marrë shkas nga situata, u kërkua evakuimi urgjent i popullsisë në fshatrat Lekël dhe Hormovë.
Lini një Përgjigje