
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje me akordimin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare me titullin “Oficer i Madh i Legjionit të nderit” nga presidenti francez Emanuel Macron.
Spiropali shkruan se veprat e Kadaresë kanë përmasa mahnitëse dhe ai si shkrimtar meriton të gjithë titujt dhe nderimet.
"Vepra e Tij ka përmasa mahnitëse; disa kontinente në hapësirë, disa shekuj në kohë. Tjetërsimi i qënies njerëzore nën diktaturë përmes një prej personazheve më të skalitur të letërsisë botërore, Ebu Qerimit.
Hamleti i bjeshkëve tona, Gjorgu, i thellë dhe dramatik sa Hamleti i Pallateve. Saga frymëndalëse e një breznie gjirokastrite.
Janë vetëm tre nga Yjet në konstelacionin e pafund të kryeveprave kombëtare dhe botërore të gjeniut tonë.
Shkrimtarit që me zjarrin dhe dritën që solli në kohën më të errët nuk e la mendjen e shqiptarëve të mpihet dhe shpresën për liri t’u fiket; Luftëtarit më të paepur për identitetin europian të shqiptarëve; Maratonomakut që solli lajmin se s’ka vështirësi që s’përballohet dhe zinxhirë që s’këputen, se e drejta dhe e vërteta gjithmonë vonojnë por gjithmonë vijnë - i takojnë të gjithë titujt dhe nderimet", shkruan Spiropali.
Lini një Përgjigje