TAGS-AT E JAVËS

Kulture15 Nëntor 2023, 10:22

Sot nis Panairi i 26-të i Librit

Shkruar nga Pamfleti

Sot nis Panairi i 26-të i Librit

Panairi i Librit ka çelur sot edicionin e 26-të, nën moton “Libri na bashkon të gjithë”. Një nga ngjarjet më të rëndësishme të letërsisë dhe të librit në Shqipëri ka hapur dyert për të gjithë lexuesit.

Botime të reja, libra me ulje dhe aktivitete të ndryshme, seminare, dhënie çmimesh, biseda me autorë do vazhdojnë përgjatë 5 ditëve në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Si çdo vit të pranishme me botimet e tyre të reja e të vjetra do të jenë shtëpitë botuese, të cilat të vendosura në stenda në dy katet e Pallateve të Kongreseve, ofrojnë për lexuesit libra me çmime të reduktuara.

Gjithashtu të pranishëm në këtë panair do të jenë disa autorë e përkthyes të huaj si: përkthyesja Ilide Carmignani, shkrimtarja Viola Ardone, shkrimtari Alessio Puleo, futbollisti tashmë edhe shkrimtar Lilian Thurman, etj.

Panairi do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh promovuese, ndërsa në 18 nëntor do të ndahen edhe 4 Çmimet e përvitshme, të përzgjedhura nga juria e kryesuar nga gazetarja Arta Marku.

Ndërsa vitin e kalur autorja Zija Çela fiton çmimin ‘Shkrimtarja më e mirë’.

Panairi i parë i librit në Tiranë ishte panairi “Tirana 1998”, i organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht.

panairi i librit edicioni i 26

Lini një Përgjigje