Korrespodenca e panjohur e ish-ministrit të Brendshëm me kreun e regjimit
Pjesa e Parë
Në historinë e spastrimeve nga radhët e lidershipit komunist, goditja e Kadri Hazbiut, ministrit historik të Sigurimit të Shtetit, ka qenë ndër më të bujshmet. Njeriu që i kushtoi jetën luftës kundër tradhtisë, agjentëve e agjenturave, të shpallura të tilla nga regjimi dhe kaloi në gijotinë përfaqësuesit e tyre, më në fund mbeti edhe vetë viktimë e këtij mekanizmi vrastar, duke u goditur fatalisht si të gjithë “armiqtë e partisë dhe të pushtetit popullor”. Metamorfoza “Hazbiu” u shfaq menjëherë pas aktit tragjik të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, vetëvrasja misterioze e të cilit e vuri në listën e të dyshuarve kryesorë të grupit famëkeq që do eliminonte Enver Hoxhën. Gjithçka pas kësaj iu nënshtrua rrjedhës së spastrimeve që partia u bënte “tradhtarëve” dhe “agjentëve potencialë”, të dalë nga radhët e liderëve të rëndësishëm. Përtej sqarimit zyrtar, sipas të cilit ish-ministri më jetëgjatë i Ministrisë së Brendshme kishte qenë agjent i KGB dhe agjenturave të tjera, autoritetet artikuluan akuza nga më të çuditshmet për të përligjur ndëshkimin fatal të njeriut të dekoruar si askush për besnikëri të lartë ndaj Partisë dhe Enver Hoxhës. Në distancën 40-vjeçare nga epilogu i kësaj historie, janë publikuar mjaft detaje të panjohura, janë zbuluar aspekte të veçanta nga hetimet dhe gjykimi i çështjes nëpërmjet dokumenteve sekrete dhe rrëfimeve të njerëzve afër ngjarjes, janë zbardhur momente të padëgjuara nga pozicioni i vështirë i të akuzuarit “VIP” etj. Sidoqoftë, dosja “Hazbiu”, për specifikën dhe misteret që përmban, mbetet potencialisht intriguese, sidomos në pjesën e raporteve të kreut të regjimit me ish- ministrin e kryqëzuar gjatë kohës që ky i fundit priste ekzekutimin në qeli. “Pamflet” publikon letrat që Hazbiu i shkruante nga burgu diktatorit, duke u munduar t’i mbushë mendjen se shënjimi i tij “armik”, “tradhtar”, “komplotist”, “besëprerë” etj, ishte “produkt” i qarqeve antishqiptare, që këtë radhë operonin në Byronë Politike dhe KQ. Korrespodenca misterioze që monitorohej nga afër nga ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, nis me letrën e datës 1 nëntor 1982, kur Hazbiu kishte dy javë banor i qelive të burgut 313 dhe vazhdon gati ditë pas dite deri më datën 17 nëntor 1982, ditën kur është njohur përfundimisht me akuzën e Prokurorit, që është fund e krye ajo e artikuluara në plenumin e KQ dhe Byronë Politike. Në pjesën e parë botojmë teksin e letrës së datës 1 nëntor…
Letra e parë, 1 nëntor 1982
I dashur udhëheqës Enver,
Kërkova dhe më lejuan t’ju shkruaj. E di që tani ju më urreni. Unë ju kam dhënë shkas për këtë. Por tek unë as kurrë nuk do të lëkundet besimi ndaj Partisë dhe ndaj jush. Prandaj edhe po ju shpreh ndjenjat e mendimet e mia ashtu siç i kam. Nuk do të jetë mirë që t’i përbuzni ato vetëm pse më urreni tani.
I
Për më tepër se 15 ditë i arrestuar, po jetoj me këto preokupime, të cilat nuk më lënë për asnjë minutë të qetë. Ç’janë këto preokupime? Të reflektoj sa më thellë e të përcaktoj drejt gabimet, shkeljet apo fajet e mia në tërë aktivitetin tim. Vështirë e kam, sepse është një periudhë kohe e gjatë dhe e ngjeshur, por do ta bëj. Unë e shoh se kam të tilla të cilat kanë dëmtuar punën në rastet e kohën e dhënë. Të gjitha i gjej se nuk janë bërë me qëllim për të dëmtuar Partinë, përgjegjësinë patjetër do ta përcaktoj drejtësia e Partisë. Përveç kësaj, më preokupon akuza “për tradhti të lartë”, e cila nga ministri i Punëve të Brendshme m’u specifikua “si agjent jugosllav” (kurse sipas hetuesve mundet dhe amerikan, rus e ndonjë tjetër), si komplotist në organizimin e konferencës së Tiranës dhe si bashkorganizator me armikun Mehmet Shehu në komplote e që duhet të jap shpjegime për këtë komplotin e fundit”. Ajo që më tmerron këtu, është se si mundet që të ndërtohet kjo akuzë ndaj meje kur s’kam qenë kurrë e s’jam i tillë. Prandaj ajo(akuzë) u bë sinjali i alarmit tek unë për të mundur të gjykoj thellë se ç’po ndodh kështu me mua e jo vetëm me mua! Pse po ngjet kjo! Kjo më shtyn para së gjithash t’ju bëj këtë letër e t’ju shfaq hapët mendimet e mija mbi këtë çështje. Më preokupon gjithashtu familja. E krijova atë në sajë të Partisë. I rrita dhe i edukova fëmijët me frymën e Partisë dhe u bënë të mire (gjë që nuk mund ta bëjë një agjent e armik konsekuent). Tani ajo u shpartallua dhe pllakania e zezë e tradhtisë që po më vihet mua, do t’ju rëndojë gjithë jetën. Së fundi më preokupon njolla që po i vë fisit nga kam lindur. Ai tradicionalisht nuk ka nxjerrë tradhtarë, përkundrazi.
II
Unë nuk i di konkluzionet e Plenumit të KQ për mua, por gjatë hetimit nga hetuesit në rëndim të akuzës thuhet se: “Ministria e Brendshme dhe organet e saj janë bërë çerdhe banditësh e spiunësh, se ato nuk kanë zbuluar e goditur armiqtë, por përkundrazi, kanë shkelur sistematikisht ligjet e, për rrjedhim, janë burgosur njerëz në masë, janë vrarë e terrorizuar të tjerë, të cilët tani duhet të rehabilitohen e lirohen etj.”. Mundet që këto të jenë edhe interpretime të hetuesve për presion mbi mua, por sidoqoftë dhe duke pasur parasysh se edhe vetë ministri i Brendshëm ka shprehur konsideracione të tilla, marr guximin t’ju them se këto janë të rrezikshme-sepse bëjnë më vehte goditje në vijë, qoftë kjo edhe me plasje të vonuar. Në fakt, ato nuk kërkojnë e synojnë vetëm dënimin tim si ish-ministër i Punëve të Brendshme, por shumë më tepër: “të hidhen poshtë vlerësimet që janë bërë zyrtarisht për arritjet e këtyre organeve nën udhëheqjen e Partisë, të liberalizohet lufta klasore-sidomos ajo me armiqtë e keqbërësit. T’u jepet goditje hutonjëse organeve të punëve të brendshme dhe, së fundi dhe më kryesorja, të ligjërohet pastaj pyetja se kush ish Partia dhe udhëheqësi i saj, i cili dika të ndërtojë një vijë të drejtë, por që s’ka qenë i zoti të sigurojë zbatimin e kontrollin e zbatimit të saj në këto organe”. Të më falni, unë i ngre këto jo se dua që t’ju jap juve mend për këto çështje, por t’ju bëj të njohur faktin se si po trajtohen ato dhe siç i gjykoj unë pasojat e një trajtimi të tillë.
III
Këtu në burg dhe përballë një akuze që nuk e di me saktësi se nuk qëndron, po bindem dhe e shoh si në ekran se veprimtaria armiqësore e M. Shehut ishte e gjerë dhe që është zhvilluar në bazë të një plani kompleks. Unë kam gabuar rëndë që e konceptova atë ngushtë, vetëm si thjesht agjenturor të mirëfilltë, dhe këtë në një rreth të ngushtë, kurse efektet e saj, përveç komplotit, i pashë kryesisht në metodën e punës, në trajtime të çekuilibruara problemesh e njerëzish, në veprime arbitrare e prepotente. Në fakt, ajo është një veprimtari e madhe, që është zhvilluar e që zhvillohet në bazë të një platforme të plotë dhe të një plani kompleks. Në këtë platformë e plan kuadratohen bashkëpunëtorët politikë e ideologjikë të njohur ose jo, por që janë në rezonancë dhe agjentët e mirëfilltë, të cilët ndoshta përbëjnë edhe nervin ngacmues, në mos komandues të gjithë kësaj pune. Armiku M.Shehu, si konspirator i vjetër dhe agjent i disa padronëve, ish në krye dhe e drejtonte këtë plan si të thuash me të dy degët e frerit (me spiunët dhe me orientimin e bashkëpunëtorëve ideologjikë e politikë)-duke pasur një perspektivë e temp ecjeje të caktuar. Dështimet e pësuara në këtë rrugë nuk e rrezikuan as këtë vetë, as rrjetin agjenturor kryesor, por as edhe tërë forcën tjetër që inkuadrohesh e vepronte në këtë plan. Vetëm vitin e kaluar, për arsyet që tani dihen, M.Shehu e shpejtoi tempin dhe përgatiti komplotin për të uzurpuar udhëheqjen e Partisë me terror e puç. Këtu ai, me sa duket, u mbështet tek agjentët e tij të provuar dhe adapt, po prapë dështoi. Përpara kësaj gjendjeje ai vrau veten, jo se u nxitua, po se nuk kish tjetër rrugë. Edhe në këto raste ai duke vrarë veten, vazhdoi të plotësojë detyrat në bazë të planit. Në këtë rast ato ishin dy: njëra ishte t’i jepte padronit jugosllav sodisfaksionin politik të mundshëm (vetëvrasjen e Kryeministrit të diskredituar e pa vlera për të udhëhequr tani punën armiqësore) dhe tjetra, t’u vërë kapak gjërave e t’u thotë kolaboratorëve të tij-“vazhdoni pa frikë rrugën”. Siç gjykoj unë, në këtë kontekst, në letrën që la M.Shehu kur vrau veten gjithë bashkëluftëtarëve në rrugën e tij armiqësore, u jep kusurin që duhet të ndjekin: “Të vazhdohet pa asnjë lëkundje puna(pa hequr asnjë presje), objektivi-Enveri, ndaj të cilit asnjë sentimentalizëm (i cili nuk më dha asnjë mundësi të bisedoj)… lufta të vazhdojë, por goditjet të jepen siç të shihet, por edhe të shkallëzuara sipas teorisë së tij të njohur, të asgjësimit të armikut pjesë-pjesë (prandaj dhe tek i keni piketat Jagua- Hrushovi i Shqipërisë-e me radhë”. Unë gjykoj se në këtë letër ai jep edhe orientimin pse e si të sulmohet në fillim “Jagua” i duhet eliminuar sepse është i rrezikshëm “gjarpër” (këtu ai ndoshta ka parasysh edhe postin, edhe besimin që ka udhëheqësi te “Jagua”): të hakmerreni ndaj tij sepse të paktën na është bërë ferrë nëpër këmbë. Tani kjo ferrë duhet qëruar e të lihet bosh shtegu-të cilin po mundët, zëreni (kapeni) ju rreth, për të pasur sukses në dominimin e tij-(Jagos) u la mundësitë: vetë cilësimi “Jago” që ndjell vetëm dyshimin si njeri me dy fytyra: “gjarpër” që do të thotë se duhet të likuidohet shpejt dhe së fundi “agjent i K.Xoxes”, që orienton se për eliminimin e tij, kapuni e kërkoni gjëra që larg. Këto orientime morën, si agjentët e mirëfilltë, padronët e tyre, ashtu edhe bashkëpunëtorët në planin politiko-ideologjik- të cilët armiku M.Shehu i quan “shokët e mirë”. Dhe në fakt kështu u veprua. Krahas aktivitetit tjetër, si agjentët e spiunët, ashtu edhe “shokët e mirë” e drejtuan zjarrin fillimisht mbi mua (Jagon) dhe patën sukses. Si prushi nën hi “shokët e mirë” filluan të kërkojnë, qëmtojnë e të nxjerrin gjëra nga një jetë e punë e gjatë imja dhe dokumente gjysmake ose të bëra me kohë e me qëllim nga këta spiunë të vjetër, i frynë hirit dhe dolli prushi, kurse procesi i spiunëve shërbeu si kova me benzinë për t’i hedhur flakë zjarrit në momentin e duhur. Kështu e përfytyroj zhvillimin e gjendjes për rrokullisjen time të shpejtë në greminën ku jam tani. Nuk mundet të shpjegohet ndryshe që, përveç besimit të vazhdueshëm që Partia dhe ju keni pasur tek unë, vetëm gjatë këtij viti më afruat besimin më të madh, folët dy-tri herë pozitivisht për punën time. Në fillim të pushimeve më thirrët me një rreth të ngushtë shokësh, ku dhatë porosi të posaçme për punët e kjo është e qartë se humbja e besimit dhe pastaj tatëpjeta, të gjitha ngjanë gjatë kohës që ju ishit me pushime dhe ditët e para pas kthimit prej tyre. Unë kështu e analizoj çështjen dhe në këto konkluzione arrij. Megjithëse këndi i shikimit tim është më i ngushtë se ai juaji dhe i Partisë, prapëseprapë unë kam një avantazh në gjithë arsyetimin që bëj. Dhe ky avantazh konsiston në atë se e di me siguri absolute që nuk jam tradhtar e armik i çdo lloji qoftë. Mendoj se ky është çelës në gjithë arsyetimet që bëj-edhe në përcaktimin e trajtimit tim në këtë rast (sipas akuzës).
IV
Nga akuza që më bëhet, kërkohet që të jap shpjegime për komplotin si bashkorganizator në të me armikun M.Shehu. Është e qartë që kur nuk jam i tillë, s’ka edhe se ç’shpjegime të jap. Zemra nuk çahet, sepse nuk duron, por hetimi objektiv (në qoftë se do të bëhet i tillë) do ta nxjerrë të vërtetën. Megjithëkëtë, ju them dhe një milion herë ju them ju dhe Partisë se kjo kërkesë e akuzës ndaj meje nuk qëndron, se ajo është kryekëput e gabuar dhe e orientuar keq. Kështu, duke e kërkuar komplotin nga unë, komploti e komplotistët lihen të qetë e ndoshta të lirë të veprojnë. Ju lutem shumë këtu tregoni kujdes të veçantë, jo aq sa për të lehtësuar mua, por për interesat e Partisë. Unë jam i bindur se në cilësimin tim si komplotist ka çuar zhvillimi me sukses i intrigës së kurdisur sipas planit që u mundova të shpjegoj më lart. Por gjykoj se përballë kësaj intrige duhet të kundërvihen e të qëndrojnë edhe disa arsyetime logjike. Ju ndoshta i keni bërë ato edhe më të thella e të plota, por unë do t’jua paraqes ashtu siç i bëj e realizoj tani. Që në fillim e them se duke e ballafaquar akuzën me cilësimet që më bënë në letrën e famshme që la armiku M.Shehu-dhe duke e rrahur çështjen në disa variante, arrihet në konkluzione logjike plotësisht të qëndrueshme. Sipas dy varianteve të marra së bashku, domethënë sikur M.Shehu mendoi se Partia e njihte ose nuk e njihte se kush ishte ai, kurse unë isha bashkëkomplotues me të e, për më tepër, vazhdues i tij (siç thotë akuza), nuk ka asnjë logjikë që as të ndillte mbi mua dyshimet që bëjnë më vehte cilësimet (në letër) “Jago”, “Gjarpër”, “Agjent i Koçi Xoxes”-të cilat po t’i deshifrosh, do të thonë-njeri me dy fytyra, i rrezikshëm dhe konspirativ i vjetër-bile edhe direkt bashkëpunëtor më vete me këtë armik (M.Shehun) e padronin e tij jugosllav (në këtë rast, sipas variantit që M.Shehu mendoi se Partia e njihte atë kush ishte). Asnjë logjikë nuk ka që ai ta bënte këtë, pra dhe akuza sipas këtij konkluzioni nuk qëndron. Sipas një varianti tjetër, kur agjenti i disa padronëve M.Shehu më njohu në rrugë e sipër si agjent i dikujt tjetër, por që bëmë kauzë të përbashkët, duke e organizuar e udhëhequr së bashku komplotin, të cilin në fund ma besoi ta drejtoja unë, prapëseprapë nuk ka asnjë logjikë të më minonte me cilësimet që bëri. Pse nuk ka logjikë? Së pari sepse ai-si armik i egër i Partisë e rendit socialist, ish i interesuar të ndryshonte kjo gjendje me çdo kusht. E dyta, sikur ta zëmë që për rivalitet midis padronëve-ish i detyruar ta bënte këtë (që kjo nuk ka arsye të ndodhë), atëherë legjenda mund të ish e tillë që të më vinte në goditje të menjëhershme. Dhe këtë spiunazhet nuk e kanë të vështirë ta bëjnë, pra edhe sipas këtij varianti, akuza si bashkëpunëtor e vazhdues i komplotit nuk qëndron. Në fund, unë e analizoj çështjen edhe sipas një varianti tjetër, në bazë të të cilit M.Shehu deshi që me këto cilësime të përforconte më tej pozitën time që të vazhdoja me sukses veprën e tij të ndyrë e armiqësore. Edhe këtu nuk ka as arsye, as dhe logjikë të vepronte kështu, sepse në fakt unë pozitat e besimit i kisha bile të qarta e të plota. Këtë ai e dinte deri në ditën e fundit, prandaj s’kish pse shqetësohej- por përkundrazi, i interesonte të vazhdonte kështu. Po edhe sikur të mendohet se gjithsesi ai deshi të m’i përforconte akoma pozitat me anë të disa “mallkimeve”, atëherë as mund të bënte ndryshe, duke më cilësuar si armik i tij, si karrierist, shpifës etj. Të këtij lloji e jo cilësime dyshimndjellëse si ato që bën në letër, por edhe sipas këtij varianti akuza nuk qëndron. Në përfundim edhe të kësaj analize, d.m.th. të ballafaqimit të akuzës me kursin e caktuar në letrën e armikut M.Shehu, nuk ka logjikë që të pranojë se unë qenkam bashkëpunëtor në komplot dhe vazhdues i tij. Rrjedhimisht, shpreh bindjen time të patundur se akuza është intrigë dhe kërkesë ndaj meje që të zbërthej unë komplotin, është dezorientim i plotë, me qëllim që të largohet vëmendja, kërkesat dhe masat nga autorët dhe vazhduesit e vërtetë të tij. Edhe këtu, i dashur udhëheqës, një milion herë kërkohet kujdesi juaj i posaçëm-sepse mund të kanosen rreziqe të mëdha. Unë le të hetohem si do gjykohet këtu në qeli, ku jam vetëm zbërthimi i këtij komploti dhe ndjekja e tij të kërkohet atje ku duhet.
V
Gjatë kohës që jam në burg, kam krijuar bindjen se procesi i spiunëve e konspiratorëve që janë në hetuesi ka devijuar dhe po devijon. Këtë e bazoj si në shpifjet mbi të cilat ngrihen akuzat ndaj meje, ashtu dhe në metodën e hetimit që zbatohet ndaj meje. Pse të ndodhë kështu, me gjithë porositë e dhëna nga ju për të bërë kujdes? Kam bindjen se ka një lehtësi relative si në hetim, ashtu dhe në analizën e të dhënave, në raport kjo me spiunët e regjur që ka përballë hetimi. Kjo i lë shteg dizinformacionit që, siç dihet, në këto raste mund të bëjë dëme me pasoja shumë të rënda. E kam ngritur këtë çështje dhe me të drejtë u tha që duhet t’i verifikojmë. Por a bëhet kjo? Këtë nuk e di, por sa kam konstatuar sa isha jashtë dhe sa shohë këtu, them se nuk bëhet në kohë dhe i plotë ky verifikim. Ndoshta do të verifikohen çështjet që më atribuohen mua, por kur? E humba Partinë, e humba familjen, pra humba gjithçka, kurse hetuesi thotë “këtu jemi, kemi kohë edhe 25 muaj do rrimë”. Mendoj se duhen ndaluar mirë thëniet e ndyra këtyre spiunëve për të mos infektuar nëpërmjet dizinformimit. Të më falini, por po krijohet mendimi se na mbuluan agjentët e huaj. A mos ka ekzagjerime këtu që në proces? A mos don më tepër kujdes shpleksja e këtij rrjeti spiunësh që janë në hetim? Në hetimin tim ka sugjerim. Nuk ka pse mos të ketë edhe për në tjerët, madje jo indirekt, por sugjerim në formën më vulgare. Dhe kjo ndodh se nuk konceptohet mirë si realizohet sugjerimi dhe rreziqet e tij. Vetë ministri i Punëve të Brendshme në Plenum e quajti taktikën time atë që “nga një anë kam thënë t’i ruhemi sugjerimit, kurse nga ana tjetër kam sugjeruar vetë duke biseduar në udhëheqje kur ka qenë rasti për mundësi e njerëz të ndryshëm, kjo e fundit është normale dhe nuk ka aspak të bëjë me sugjerimin në hetim, i cili sjell me vete shumë rreziqe. Agjentë e konspiratorë të vjetër e që kanë qenë në vende drejtuese, siç janë këta që hetohen, nuk kanë si t’i fshehin varianet dhe dinë që sipas oreksit të hetuesit të lëshojnë me dozaturë të caktuar helmin e nepërkës. Prandaj dhe sugjerimi, veçanërisht në këtë proces, kërkon një kujdes të veçantë. Më falni në qoftë se po duket sikur po ju jap mend, por e them se po i vuaj pasojat në lëkurën time. Në hetimin tim shoh sesi ai bëhet i njëanshëm, qëmtohet e hidhen (në përforcim të akuzës) medoemos gjëra negative, por ndaj tyre nuk lejohen arsyetime. Kështu hetimi nuk mund të dalë objektiv. Gjithashtu, në hetim kërkohen shpjegime të hollësishme për një kohë dhjetëravjeçare që janë të pamundura, pse janë jashtë mundësive të kujtesës dhe kur përgjigjesh me përafërsi ose heziton, vepra nuk mbahet mend, këto konsiderohen me ashpërsi si vazhdim në rrugën armiqësore. Përveç këtyre, ndaj meje në hetim ka ofendime, poshtërime e brutalitet. Unë i kam duruar, megjithëse i nervozuar në ndonjë rast kam mbajtur qëndrim ndoshta jo brenda rregullit të korrektësisë në marrëdhëniet hetues -i pandehur. Në rrethana të tilla, spiuni që nuk ka as ideale, as karakter e dinjitet, nuk e ka për gjë që të kënaqë orekset e të japë gjëra që pastaj hajde e vërtetoi. Me sa shoh unë, mbi hetuesit nuk ka kontroll në punë dhe në marrëdhëniet me të arrestuarin. Këtë ligja e bën të detyruar. Pasi kërkova disa herë nga hetuesi të mos ofendohem e poshtërohem, por pa rezultat dhe kur ai më cenoi nderin duke sharë me nënë, i bëra kërkesë Ministrisë së Brendshme e prokurorit të Përgjithshëm të përjashtohet ky hetues nga hetimi im. Përgjigja m’u dha po nga hetuesi në emër të drejtuesit të hetimit (?) se kërkesa nuk pranohet. Kështu nuk është drejtë, përgjigjen duhet ta japin përfaqësuesit e atyre të cilëve u drejton kërkesën, e jo hetuesi që akuzohet vet. E ngre çështjen jo për ankim, por sepse mungesa e kontrollit që është prezent në këtë hetim, lë shteg për shkelje e devijime që mund të kenë pasoja jo të mira. Nuk di a bëhet me të tjerë të arrestuar, por në dy raste kam dëgjuar se në qelitë afër ka pasur të bërtitura, përplasje dhe rënkime. Ç’ndodhi? Nuk di gjë. Së fundi, kam bindjen se në këtë proces ka devijim edhe sepse ka një predispozicion euforik për t’i marrë gjërat shpejt e pa i gjykuar mirë e kështu serviren më lartë në piramidën e hetimit. Sigurisht ky entuziazëm po nuk qe i matur, dëmton, por më e keqja është kur ky predispozicion shoqërohet me tendenciozitet, siç ndodh në rastin tim. Tani për mua është fare e qartë se në këtë fund timin ka një lidhje të padiskutueshme midis këtij procesi dhe parullave që janë hapur për mua prej kohësh. Aty nga mesi i qershorit u fol se “unë nuk do ta kisha të gjatë” dhe se kjo “ish fare e sigurt”. Këto fjalë u hapën nga njerëz të afërm me fëmijët ose familjarët e Pali Miskës e Prokop Murrës. U ndoq e si u ndoq dhe u mbyll e si u mbyll çështja, unë nuk di, por di që ai që denoncoi pas ca kohësh, u pezullua nga detyra- dhe për çudi ndenji në dispozicion deri sa përfundoi çështja ime. Mendoj se po të verifikohet mirë çështja, do të dalin gjëra deri në shkeljen e procedurave të caktuara nga Partia. Fill pas kësaj u fol se unë isha shkarkuar në vend si ministër dhe se isha arrestuar. Këto zëra u përhapën nga Ministria e Punëve të Brendshme, kurse mua më thanë se i përhapin legatat e huaja. Më vonë, gati për dy muaj, u mbush Tirana me parulla, të cilat pastaj u shpërndanë në gjithë vendin dhe jashtë, ku viheshin në diskutim uniteti në udhëheqje-kurse unë ofendohesha në mënyrat më poshtëruese (si tradhtar). Por, asnjë kundërvënie aktive dhe e organizuar, derisa në fund ndërhyri sekretari i KQ (R.Alia).Pse kjo “mefshtësi” nga drejtuesit e Partisë në Tiranë (Prokopi-Xhelili e Menzenxhiu si dhe nga M.P Brendshme), të cilët nuk njihen si të tillë? A është kjo mefshtësi? Unë gjykoj, jo. Në këtë kontekst, unë nuk e quaj aspak rastësi dhe “gabim shprehjen” e Prokopit në Pezë. Mundet ta kem gabim, por e them se kuzhinierja që më ushqeu për 10-15 vjet dhe e kishim si njeri të shtëpisë, iku pa na lajmëruar e pa u takuar as me mua, as me fëmijët. Pse? A mos ajo u përdor me ndonjë detyrë kundër meje e familjes dhe nuk kish forcë të na delte në sy? Ky është thjesht supozim, por e ngre për të evidentuar se ministri i Punëve të Brendshme mundet dhe të bëjë gjëra të tilla pa leje.
Unë kam vënë re dhe ia kam thënë, se në disa raste ai nuk përfillte as kërkesat e platformës, as ato të ligjës për marrje sanksioni ose heqje imuniteti. Kjo është e keqe dhe me rreziqe. Kam bindjen se midis P.Miskës, H.Isait, P.Murrës dhe Ll. Gegpriftit ekziston një shoqëri që diçka fsheh në të vërtetë. A është kjo një shoqëri për pije e tallava, apo ka diçka më tutje? Nuk them dot gjë. Koha do ta tregojë. Në hetuesi po pyetem për disa gjëra që duken se serviren nga rrethe dibranësh, duke përfshirë këtu dhe Haxhi Lleshin e M.Pezën. A mos H.Isai e ka grurë me këtë rreth dhe ndikohet prej tyre dhe në trajtimin e çështjes sime? Ndoshta vlen që edhe kjo të kihet në kujdes. Për sa shoh e gjykoj, marr guximin t’ju them hapur se me çdo kusht e pa humbur kohë, duhen vënë në duar të drejtuesve më të sigurt e më të partishëm Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes. Unë u gabova që ju propozove si ministër të Punëve të Brendshme H.Isain. M’u duk i thjeshtë, m’u duk i çiltër, por është turjelë. Ju e shikoni vetë këtë vendim. Në përfundim të gjithë sa ju shkruaj, shpreh mendimet dhe bindjet e mia që m’u krijuan këtu. U mata shumë para se sa t’jua paraqes se si mund të merren dhe për konsekuencat që mund të kem, por vendosa t’ju shkruaj siç i ndjej dhe sepse kam bindje se gjendja është serioze e me rrjedhime të rrezikshme, po të lihet kështu. Dhe para kësaj bindjeje që kam do të bëja poshtërsi po të mos jua parashtroja atë Juve dhe Partisë. Kërkoj ndjesë për qëndrimet në Byro e në Plenum, kërkoj ndjesë nëse u zgjata si dhe për shprehjet jo të qarta.
Me respekt
I arrestuari
Kadri Hazbiu
Tiranë.1.11.1982
P.S. Këtu (tani) po e marr vesh se për t’ju shkruar letër Juve, si udhëheqës i Partisë e shtetit, duhet marrë miratimi nga ministri i Punëve të Brendshme. Ky kufizim nuk është i ligjshëm.
Kadri Hazbiu
LETRAT E HAZBIUT
Letra e datës 1 nëntor 1982.
Origjinali 6 faqe. E datilografuar 14 faqe
Letra e datës 5 nëntor 1982.
Origjinali 4 faqe. E datilografuar 7 faqe.
Letra e datës 13 nëntor 1982.
Origjinali 1 faqe. E fotozmadhuar 4 faqe.
Letra e datës 14 nëntor 1982
Origjinali 3 faqe. E fotozmadhuar 12 faqe.
Letra e datës 17 nëntor 1982
Origjinali 2 faqe. E fotozmadhuar 6 faqe.(Vijon...)/Pamfleti
Lini një Përgjigje