TAGS-AT E JAVËS

Kulture19 Tetor 2024, 09:11

Revista “MONATO” viti 1982/Shqipëria në skamje, gratë e krerëve të regjimit me veshje e unaza nga Parisi

Shkruar nga Pamfleti

Revista “MONATO” viti 1982/Shqipëria në skamje, gratë

Artikull i gazetarit francez, Roberto Naupont

Pjesa e Parë

 “Kur vendi jeton në kushtet e një mjerimi të jashtëzakonshëm, gratë dhe vajzat e krerëve të regjimit sigurojnë me lehtësi veshje, unaza e byrzylykë të ardhura nga Parisi e Stokholmi” Ky kontrast i thellë, i kostatuar me lehtësi, për Roberto Naupont përbën ironinë e fatit për njerëzit që “kanë për strehë Shqipërinë staliniste”. Më shumë se një përshkrim realist, për mysafirin e ardhur për herë të parë, kjo e vërtetë e dhimbëshme përbën një revoltë shpirtërore,të cilën Naupont nuk mund ta përmbajë. Reportazhi i tij në revistën “Monato” është sakaq dhe një denoncim për jetesën përrallore të “borgjezisë komuniste”, siç shprehet, e cila është sistemuar e tëra në një lagje të bukur në qëndër të Tiranës, që vendasit i thonë “Blloku i udhëheqjes”. Të tjera pasazhe sjellë gazetari francezë nga vizita në Berat, Elbasan, Korçë, nga kontaktet në qëndra prodhimi e istitucione të kultit etj...

Lagjet qendrore

Është vështirë të thuash emrin e rrugëve kryesore, thuajse kudo vetëm rrugët e vockla kanë tabela emërash. Mos vallë për të kursyes para? Mos vallë për të penguar spiunimin? Unë nuk munda të siguroj planet e qyteteve në tërë Shqipërinë. Nuk pashë as libra telefonikë, as në hotele, as në zyrat e postës. Gramafonë, fotoaparate dhe filma nuk i gjen në shitoret e zakonshme. Megjithatë elita partiake ka shpesh fotoaparate ashtu sikurse edhe shumë gjëra të tjera, që nuk i gjen në dyqanet e zakonshme. Është e sigurtë, që ndonëse vizitori s’e provon dot kurrë, një pjesë e këtyre gjërave është blerë jashtë shtetit dhe ka dyqane speciale për elitën , ku qytetarët e thjeshtë nuk mund të hyjnë.

Prapa rrugëve të reja të qendrës ka shumë lagje të vjetra nëpër të cilat shëtis mbrëmjeve; më duket se jeta para revolucionit nuk ka qenë aq e zezë sikurse na thonë, pothuaj se kudo gjen shtëpi të lyera bukur, sigurisht modeste por të rrethuara me gardhe, thuajse të gjitha kanë nga një oborr të vogël me pemë, ku rrin këndëshëm dhe mund të bisedosh gjatë mbrëmjeve të ngrohta të verës. Ujë të rrjedhshëm nuk ka kudo, fëmijët presin para një çesme me bidona metalikë në duar.Kur shëtis në ndonjë rrugë qorre, një grua më pyet me njerzillëk, mos vallë e kam humbur rrugën, më thotë se ka studjuar në Budapest dhe e flet rrjedhshëm hungarishten , pastaj largohet duke u shfajsuar. Mund ta përfyroj mirë që ajo s’ka mundësi të shkojë sërish atje, t’i shohë përsëri miqtë e vet, madje mund të jetë me rrezik t’u shkruajë atyre. Kuptohet që unë mund të hamendësoj shumë gjëra dhe s’mund të provoj asgjë dhe kështu mbetem me një grumbull pyetjesh pa përgjigje, edhe kur përgjigjia zyrtare është e gatëshme.

Në orën tetë në mbrëmje, bulevardi i madh Stalin mbushet me shëtitës, kaq shumë në numër sa kjo i ngjan një manifestimi , për një ose dy orë rryma që po shëtit shkon andej këtej , njerëzit i flasin njëri tjetrit dhe automobilat kalojnë anash rrjedhës, duke çarë rrugën me boritë e tyre. Rinia ka shumë biçikleta; pashë një çift  të martuarish , gruaja e re e veshur me një fustan të bukur nga jashtë shtetit ku i dukeshin paksa nënveshjet; kjo qe shfaqja më erotike që pashë në këtë vend.

Ligjërata

Në orën gjashtë hymë në sallonin e hotelit. Një lektor partiak filloi të ligjërojë përmendësh në gjuhën tonë një teks që fliste për fitoret e Shqipërisë. Fjalë pas fjale, si të ishte robot, ai vazhdonte: “Kulti i individit te ne nuk ekziston. Shoku Enver Hoxha është truri ynë i përbashkët. Me mësimet e tij mprehim shpatën e revolucionit. Kush nuk është dakort me ne, në fillim i presim gishtin; po nuk mjaftoi kjo, edhe krahun. Po qe se edhe kjo është e pamjaftueshme, i presim kokën (!)...” Ligjërata zgjat pafund, aq sa na duket sikur nuk do mbarojë kurrë. I vështroj gishtrinjtë e mi të zverdhur prej nikotinës. Tash po e kuptoj përse burrat në këtë vend pinë kaq shumë duhan..

Pejsazh fshati

Dy herë gjatë qendrimit tim na u propozua një “vizitë” në një  kooperativë ose fermën shtetërore. Na përcollën midis rreshtave të portokalleve dhe fiqve dhe kishim të drejtë të mbanim një ligjëratë, më pas ikëm pa parë qoftë edhe një stallë të vogël apo pulari. Një herë na çuan në një fshat. Autobuzi ndali para shkollës dhe drejtuesit i larguan banorët që shpejtuan për të na parë dhe disa sekonda më pas ishim në hyrje të shkollës ku sekretari i partisë na mbajti një ligjëratë për jetën në fshat. Pas dy orësh ligjëratë nga e cila mbaj mend që fshatarët fitojnë 14-21 lekë në ditë pune, vizituam një shtëpi që ishte e sekretarit të partisë. Në atë shtëpi të lyer bukur, gjithçka e pastër pa njolla, na pritën shumë fshatarë me nga një gotë raki, biskota dhe këngë revolucionare; gjysëm ore pas këtij takimi “spontan” shkuam në hotel

Rrugëtimi në Jug

Udhëtuam nëpër rrugën kryesore nga Durësi drejt jugut të Shqipërisë. Si mund të jetë jetesa në fshatrat e shumënumurta që nuk na treguan? Gjatë vjeshtës dhe dimrit me shi ato me siguri janë krejt të izoluara, sepse rrugët janë të pashtruara dhe  me baltë. Në rrugën kryesore duken shumë ara. Në përgjithësi ato lërohen me traktorë, megjithatë në shumë rajone kam parë kuaj e qe të tërheqin plugjet, që s'ishin gjithnjë prej hekuri. Kombajnat duken rrallë. Kositja, mbjellja bëhen me dorë. Shumica e traktorëve është në gjëndje të keqe, ato mund të tërheqin vetëm rimorkiot. Qetë dhe kuajt në përgjithësi i tërheqin këto, rrotat janë shpesh prej druri. Fëmijët dhe pleqtë vështrojnë lopët e dobësuara (nuk ka rënë shi që prej shumë kohësh sivjet). Më befason që disa fshatarë flenë nën pemët. Në fshat nuk ka kaq shumë antena televizori si në qytet, sheh disa kioska të vocka druri, që janë shitore perimesh dhe frutash, por ato rrinë pothuaj tërë kohën mbyllur.

Kësaj tablloje fshatare ia vlen t’i shtoj bunkerët që rriten kudo; ndanë rrugës, në mes të fushës, mbi kodra; ndërtesat e fermës  janë të mbuluara nga parrulla. Sa orë janë dashur për t’i ndërtuar bunkerët, sa shumë i kushtojnë ato vendit?  Ndanë rrugës ka shpesh kasolle me degë pemësh, ku vendoset prodhimi në arka druri dhe mandej peshohet. Shumë vetë punojnë këmbëzbathur (e çmova disi numrin e tyre nga 10-20 % sipas rajonit; nga ana tjetër vetë në Tiranë kam parë fëmijë këmbëzbathur, disa syresh edhe bjondë që do të thotë se s'janë kështu vetëm romët).   Rrugës duken shumë ushtarë, qerre me kuaj dhe gomarë. Pashë madje një fshatar që rrinte sipër një gomari ndërsa gruaja që i shkonte pas ishte ngarkuar me një barrë shkarpa.

Në rrafshnaltën bregdetare ka edhe sera; çatia e tyre është shpesh një fletë e tejdukshme plastmasi, në shumë fusha mbetën vetëm trarët dhe copat e shqyera të fletëve të plastmasit. Shumë fshatarë hanë pranë rrugës: bukë dhe fruta, në përgjithësi rrush dhe shalqi. A mjaftojnë këto ushqime për punën e lodhshme? Ja sërish një varg pyetjesh pa përgjigje.  

Kombinati 'Mao Ce Dun'

Në Berat vizituam kombinatin e tekstileve,që ishte ndërtuar nga kinezët. Më parë (në kohën e miqësisë me Kinën) ai kishte emrin Mau Ce Dun. Maqinat janë shumë të zhurmëshme dhe veshët e punëtoreve të pambrojtura, bobinat me rrotullime nuk janë të mbrojtura fare me zgarë. Në një nga fabrikat po bëhet pushimi i mesditës.Ndërsa drejtoresha e fabrikës na sqaron se ushqimet në mencë janë të lira për punëtoret, unë shoh dhjetëra syresh që hanë bukë dhe fruta jashtë mencës, ulur nën pemë. Po kështu edhe në zyrat e administratës. Në tryezat e shkrimit shoh nëpunëset që hanë bukë aty. Një pamje që nuk mund ta kuptosh me vështrimin e parë...

Berati

Hoteli më i mirë është në qendër të Beratit. Qyteti duket   më i varfër se Durrësi ose Tirana. Nuk ka pothuaj asnjë automobil. Të gjithë më kqyrin mua, unë shpejtoj të bëj disa fotografi; ka pak antena televizive, nën hijen e xhamisë prej plumbi të mbyllur ku është muzeu që do vizitojmë bisedojnë disa pleq. Disa kamionë të vjetër po presin aty, disa janë rusë, të tjerë kinezë, shumë goma janë të amortizuara, radiatori pikon. Nis ta kuptoj pse shohim rrugës shumë autombule të difektuar. Në Berat ka dy xhami dhe një kishë ortodokse, të gjitha të mbyllura që nga viti 1967. Të gjitha pikturat murale janë zhdukur, dhe muret janë lyer në të verdhë. Xhamia tjetër ka një shitore sendesh përkujtimorë për turistët. 

Feja

Në faqen e malit një kishë ortodokse duket si një depo mallrash. Nga ana tjetër numri i xhamive është befasishëm i vogël; në Tiranë unë pashë vetëm një, po ashtu në Korçë, dhe kjo është tepër pak në krahasim me Jugosllavinë ose rajonet e tjera të pushtuara dikur nga turqit. Në vitin 1973 u pushkatuan tre priftërinj, midis tyre edhe prifti katolik Shtjefen Kurti, u pushkatua sepse kishte pagëzuar një fëmijë. Në Sarandë kam parë një kishë ortodokse, ku kishin parkuar biçikletat. Në përgjithësi në to vënë nga një tabelëzë me mbishkrimin: “Monument kulture-mbrohet nga shteti” dhe me përjashtim të vendeve ku vinë turista, e lënë faltoren të rrënohet. Kur autobuzi kaloi pranë disa varrezave, pashë gurë varri me formë tradicionale myslimane dhe ortodokse, disa madje kishin edhe kryq ose gjysëm hënë dhe ishin të reja, sepse ende s'ishin zverdhur. Ja gjithçka që munda të shoh për fenë në këtë vend.

Qyteti- Muze

Pjesa e vjetër e Beratit është qytet- muze. Shtëpi të bukura të bardha, rrugica të vockla në faqe të malit janë me siguri të vizitueshme. Për këtë qytet të bukur nuk më mungojnë fotografitë. Mbi malin pranë mund të lexojmë emrin e “shokut të madh” Enver Hoxha të shkruar me gërma të mëdha prej guri. Ndërsa turistat blejnë në dyqanin e përkujtimoreve disa vepra artizanale me valutë përëndimore, një nga drejtuesit largohet hapur. Pas një çerek ore ai kthehet dhe ne vizitojmë në këmbë dy ose tri rrugica, ku nuk takuam kërkënd; të gjitha dyert ishin të mbyllura, disa ishin të hapura një centimetër, prapa tyre pashë sy që përpiqeshin të vështronin të huajt pa u vënë re.  

Muzetë

Muzetë rrinë hapur veçanërisht për turistët. Asnjëherë nuk pashë njerëz në muzetë e hapura, me përjashtim të Galerisë së Artit Modern dhe Muzeut Etnografik në Tiranë.  Duke folur pakëz me drejtorin e muzeut i cili u gëzua që e njihja disi shqipen, mbaj mend habinë e tij kur i thashë se pothuaj askush nuk interesohet për Shqipërinë në Evropën Përëndimore. Propaganda zyrtare përpiqet t’i bëjë shqiptarët të besojnë se vendi i tyre gëzon një prestigj shumë të madh në botë dhe disa nga grupet e pakta të turistëve përmënden në gazeta jo si turistë, por sikur vijnë në Shqipëri me idenë për të mësuar në këtë fener të socializmit për tërë njerëzimin, sepse ajo është vendi i vetëm socialist dhe demokratik i vërtetë.

Elbasani

Udhëtimi për Korçë, një qytet i madh provincial (me 60000 banorë) në pjesën jugpërëndimore të vendit është mjaft interesant, ndonëse ne ndalëm vetëm gjysëm ore në Elbasan për të pirë kafe. Elbasani duket jo shumë i pasur, disa fëmijë na kërkojnë çamçakiz  dhe stilolapsa. Kam parë edhe llustraxhinj, sikurse edhe në qytetet e tjera. Para librarisë kryesore janë ulur disa njerëz. Me sa duket e kanë zgjedhur vetëm si vendqëndrim, pasi nuk shprehin ndonjë interes për librat. Bashkëudhëtari më tërheq vëmëndjen me një libër në gjuhë të huaj.Vështroj kopertinën dhe lexoj aty për aty titullin e tij: “Me Stalinin”. Autori “është shoku i madh” Enver Hoxha. Njerëzit që më shikojnë me të në dorër dhe buzëqeshin me një ironi që deshifrohet lehtaz. Me pamjen e tyre të mendueshme sikur duan të thonë: “Askush s'e lexon këtë te ne!”.

Korça

Në Korçë ka shumë pak trafik. Në hotel pashë disa kuadro partie, njëri nget një Peogeot 505, një tjetër një Volvo, që më pas e pashë para ndërtesë së Partisë. Klima është mjaft e ftohtë dhe gjatë qendrimit tonë bie shumë shi. Megjithatë hijeshia e Korçës është për mua një mundësi për të shëtitur gjatë dhe pa drejtues. Uzina e mjeteve të precizionit “Petro Papi” dhe shtëpia e bukur e pushimit mbase përcaktuan vendimin për të na treguar Korçën, neve turistëve. Si në Tiranë njerëzit shëtisin në mbrëmje në rrugët kryesore. Edhe ne shëtisim atje në grup. Shumë shëtitës nuk kanë pulovera megjithë kohën e ftohtë. Në një shitore aty pranë ka pulovera që kushtojnë ndërmjet 250 dhe 350 lekë (rroga e 2-3 javëve). Si në Tiranë shtëpitë e vjetra janë tepër të pashme, megjithëse jo të mirëmbajtura.

Liderët me syze amerikane “RAY BAN”

Para disa kohësh, një akademik francez shkroi në një libërth për Shqipërinë: “Shqipëria ecën drejt shoqërisë së barabartë, më e barabarta që ekziston tashmë në Evropë(!)”. Në hotelet e mira ka më së shpeshti kuadro të lartë që lëvizin me shërbim. Të veshur mirë, sipas kritereve shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre mbajnë orë dore të bukura dhe pëlqejnë syze të kompanisë amerikane “Ray Ban” që nuk pata mundësi t’i vërej në shitoret shqiptare. Ata udhëtojnë me automobilë të bukur; shpesh me shoferë, që i përdorin për familjet e veta. Gratë e tyre kanë unaza dhe bylyzykë të bukur, veshin fustane të modës dhe lyhen me parfume perëndimore. Në Butrint pashë shumë syresh me qese plastmasi që mbanin adresat e shitoreve në Paris, Athinë dhe Stokholm, shënjë që tregonte se poseduesit e tyre udhetojnë shpesh jashtë vendit, gjë që është absolutisht e pamundur për qytetarët normalë. Për këta të fundit perëndimi dhe produktet që mund të vijnë prej aty, janë “mollë e ndaluar” siç thonë vendasit nën zë./Pamfleti

Në pjesë e dytë

Çfarë fshihet pas psikozës së luftës që ushqen regjimi i Tiranës.

Si është mundësuar armatosja e çdo qytetari dhe bunkerizimi total i vëndit.

Shqipëria në miqësinë e Vietnamit, Koresë së Veriut dhe Iranit.

Ëndrrat e Enverit me tradhëtarë e puçist çuan në gijotinë tërësinë e figurave historike të Partisë Komuniste.

Preçedenti i rishkrimit të historisë pas çdo gjyqi politik.

Izolimi në kafazin e stalinizmit dhe Shqipëria si një bunker i madh.

shqipëria në skamje gratë e krerëve të regjimit

Lini një Përgjigje