
Psikozë lufte me armë e bunkerë për çdo qytetar, marrshe ushtarake në të gjitha qendrat publike...
Pjesa e Dytë
Vijon nga Pjesa e Parë
“Çdo gjë ka armonën e luftës. Madje edhe televizioni shtetëror jep “non- stop” marrshe luftarake. Çdo qytetarë këtu është edhe një ushtar, që ka një pushkë dhe një bunker. Nga ky ritual nuk përjashtohen as gratë” E veçon këtë realitet Roberto Naupont nga vëzhgimet e bëra gjatë ditës së tretë të vizitës në vendin tonë, teksa udhëton në zonat e jugut të Shqipërisë. Kjo psikozë lufte për të, është produkt i propagandës së regjimit për të tërhequr vëmëndjen e opinionit nga varfëria e madhe që sundon në vend pas krizës që ka pllakosur atë sidomos me prishjen e marrdhënjeve me Kinën. Të tjera përjetime nga rrugëtimi në qyete dhe fshtara të Shqipërisë, zbulojnë aspekte të veçanta të mjerimit që ka pushtuar “Shqipërinë staliniste”. Gjithësesi, për Robero Naupont, fisnikëria e njerëzve të thjeshtë, mbetet një virtyt që për shumkënd nga mysafirët e huaj, do të kujtohet gjatë...
Gratë
Gjatë qendrimit tonë në Korçë, vizituam shtëpinë e Bashkimit të Grave. Në selinë vendore të komitetit që e hapën veçanërisht për ne, ka përveç gjërave propagandistike të zakonshme (një bust i madh dhe citatet e shokut të madh), një ekspozitë për pjesëmarrjen e grave në luftën partizane dhe në ndërtimin e rendit të ri. Në bibliotekën aty pranë pothuaj të gjithë librat janë politikë, të tjerat janë revista gjysëm politike. Një botim i ri i veprave të shokut të madh qendron në një vend të mirë. Një shtresë e trashë pluhuri mbi to regon që askush s'i ka lexuar ato prej kohësh. Në njërën nga fotot e ekspozuara duket një pikë boje e zezë, që ka të ngjarë se fsheh diçka. Vështroj albumin e bukur për Shqipërinë e Re, nga dyqind faqe tetë faqe janë këputur (është botim i vitit 1969); është një foto që bie në sy e disa anëtarëve të Komitetit Qendror: mbi dy fytyra kanë bërë një kryq me bojë të zezë, në mënyrë të tillë sa nuk mund të njihen dot. Bëhet fjalë për dy nga udhëheqësit e pushkatuar! Për çdo armiqsim ka ndodhur një varg i tërë burgimesh dhe pushkatimesh kryesisht në Komitetin Qendror, por janë zhdukur edhe mijëra të panjohur. Sipas metodës së mirëfilltë staliniste, ata janë fajësuar për tradhëti. Emrat e viktimave të armiqësimit me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik janë të njohur mirë poashtu edhe ato të karrocës të fundit plot me njerëz që do të ekzekutohen. Enver Hoxha ka denoncuar shumë antarë të lartë të qeverisë gjatë kongresit të 7-të të Partisë për komplot, që synonin të përmbysnin pushtetin popullor, t’i hapnin rrugën revizionizmit dhe të rivendosnin kapitalizmin në Shqipëri!!!
Në shtëpinë e lindjes së Enver Hoxhës në Gjirokastër, një shtëpi e madhe luksoze, që shumë shqiptarë duhet ta kqyrin me zili, emërat e shumë partizanëve të dikurshëm janë ngjyer me bojë ose janë mbuluar nga emëra të tjerë.
Lufta dhe Izolimi
Udhëtimi për Gjirokastër zgjat katër orë, nga ku ne shkojmë nëpër malësi për në Sarandë. Zgjedhja e kësaj rruge nuk i bindet kritereve shumë të arsyeshme, sepse s'është më pak e gjatë dhe mundësisht më e bukura rrugë pranë detit, por hamendësoj se në veri të Sarandës ka një bazë ushtarake. Gjatë këtij udhëtimi të gjatë ke mundësi të shohësh përveç bunkerëve të zakonshëm shumë gjëra të tjera ushtarake, kazerma, të rrethuara me tela me gjemba, të ruajtura nga ushtaraë të armatosur, disa herë të fshehur prapa drurëve apo prapa kodrës, ndërtesa misterioze të ruajtura me ushtarë, të rrethuara me tela me gjemba dhe kulla vrojtimi. Një herë ndesha në një repart të tërë ushtarësh që kthehej nga stërvitja; pyetjet e disa udhëtarëve për gjëra ushtarake nuk merrnin përgjigje nga drejtuesi, i cili po këndonte një këngë lavdie për Enver Hoxhën. Armët janë të vjetra dhe duket se me prejardhje kineze, mitralozët e lehtë janë kopje të të famshmit Kallashnikov.
i tërë vendi përjeton një psikozë lufte. Të gjithë vendet e tjera përshkruhen nga propaganda si armiq, kundër të cilëve vendi i vetëm socialist duhet të qendrojë fort. Shërbimi ushtarak zgjat 2-3 vjet (nuk e di sipas cilëve kritere), pastaj janë të detyruar të bëjnë çdo vit shërbim ushtarak dyjavor. Në shkolla jepet mësim i detyrueshëm ushtarak edhe për vajzat. Në fabrika bëhen edhe ushtrime ushtarake, ka sinjale me zë në rast sulmi kimik, gazi ose atomik. Gra me uniformë janë një shfaqje e shpeshtë në qytetet shqiptare. Në përgjithësi ushtrimet e detyrueshme ushtarake i shtohen kohës së punës. Në uzina disa panelë tregojën se si të mbrohemi nga sulmi atomik, gazi apo bakterial, ndonëse kundërgazet e bëra vetë prej një shamie hundësh përmbushin për mendimin tim vetëm një rol psikologjik sigurimi. Duke udhëtuar nëpër qytete e fshatra sheh kohë pas kohe grumbuj dheu, nga ku dalin disa oxhaqe, të mbyllur me dyer të hekurta. Për shumë kohë nuk e kuptova rolin e tyre, më në fund e mora vesh se ato ishin strehime kundër atomit..
Me një psikozë të tillë lufte vëmëndja e njerëzve kthehet jo nga problemet e vërteta. Regjimi, me anën e mijëra parrullave,dhjetëra romaneve patriotike, përpiqet që njerëzit t’i harrojnë dështimet ekonomike. Në se mungojnë mallrat, për këtë fajin e ka “blokada” armike. Fajësohen madje edhe kinezët për sabotim në instalime industriale, që i kanë ndërtuar vetë (shpesh pa u paguar), sikurse bënin më parë me jugosllavët dhe sovjetikët. Tablloja që japin për një të huaj është po ajo: vendet e qeverisura nga komunistët e kanë tradhëtuar socializmin pas vdekjes së Stalinit, kanë rivendosur kapitalizmin, të gjitha vendet e tjera shfrytëzohen egërsisht nga padronët dhe popujt e botës e kqyrin Shqipërinë plot shpresë. Vendet me të cilat Shqipëria ka lidhje të mira, janë të pakta, këto janë përjashtimisht ato të Vjetnamit, Koresë së Veriut dhe regjimit fetar iranian(!). Pak prishje e izolimit do të shkatërronte tërë ngrehinën propagandistike, megjithatë për të dalë nga katastrofa ekonomike, vendi pa shpresë kërkon ndonjë huadhënës. Industrialista përëndimorë vizitojnë Shqipërinë për këtë qëllim, bëhet lëshim për pak turizëm për të marrë valutë (kryesisht në se si rezultat do të vijnë entuziastë që do përhapin tabllonë “pozitive”).
Sidoqoftë kjo është vetëm një shmangie taktike, e diktuar vetëm nga nevoja ekonomike. Deri në vdekjen e Enver Hoxhës regjimi nuk mund të ndryshonte absolutisht (ai qe 73 vjeç-) midis të tjerash për arsye sepse ai ishte partia, regjimi. Fakt i çuditshëm: u armiqësua me aleatin kur vendi mik u liberalizua.
Ballshi
Udhëtojmë nëpër fushën naftëmbajtëse të Ballshit. Rafineria, pak modeste sipas kritereve përëndimore, është ndërtuar nga kinezët. Por ata nuk e përfunduan atë, sepse ndodhi më para tij armiqësimi. Zyrtarisht tregojnë që ata “u përpoqën të sabotojnë” gjë që unë dyshoj. Ajo sot funksionon pjsërisht. Lumi që përshkon Ballshin, është krejt i zi, i ndotur nga nafta. Regjimi kërkon të besojmë se s'ka ndotje në vend. Kjo është pjesërisht e vërtetë..sepse ka pak industri. Por ku ka industri, atje ka edhe ndotje. Ekologu i respektuar francez R.D. dikur kandidat i pasuksesshëm për president republike, ka shkruar se Shqipëria e mbron modelisht natyrën e vet. Nga ana tjetër ai bashkëkryeson shoqatën e miqësisë Francë –Shqipëri (është për t’u vënë re se pak para udhëtimit për në Kubë ai pat shkruar se atje s'ka të burgosur politikë; një vit më pas Fidel Castro liroi vetë zyrtarisht 600 të burgosur politikë..) Instalimet e shpimit dhe të pompimit janë të vjetra, ato duken mirë që nga autobuzi, tubat e naftës pikojnë dhe toka është nxirë prej naftës. Shumë pompa nafte nuk funksionojnë, minimumi një e dhjeta. Mos vallë shtresat po shterojnë? Mos vallë makineritë po vjetërohen? Nëpër tërë vendin stacionet e benzinës mbajnë parrulla për kursimin e naftës.
Saranda
Vijmë në fund të pasdites në Sarandë. Psi bëmë banjë para hotelit, që është paksa jashtë qytetit, mbetet shumë pak kohë për të shëtitur në grup në qendrën e qytetit. Për kriteret shqiptare, ai është i pasur, me ndërtesa të shumta të reja të ngjyera në të verdhë, që ë kujtojnë disi Greqinë dhe i bëjnë të hareshme blloqet e banimit. Qendra është kryesisht një vendqendrim pushimor për elitën partiake, që mbush plot hotelin e mirë ku banojmë ne. Në qendër është një lagje e tërë me shtëpi të mjera, por s'kam mundësi ta lë grupin e të shkoj atje për vizitë. Zgjedhja e mallrave në shitore është e madhe në krahasim me qytetet e tjera provinciale. Shëtisin shumë ushtarë të marinës luftarake. Në port nuk ka absolutisht asnjë anie peshkimi ose varka peshkimi. Mos vallë për shkak të afërsisë me Korfuzin, që duket mirë nga këtu? Në shitore nuk ka peshq të tjerë përveç sardeleve nga Vlora. Në vend që të flija unë dola të shëtis krejt vetëm herët në mëngjes. Në port ka vetëm një anie mallrash shqiptare, më pas vjen një anie ushtarake e shpejtë me motor nga ana e jugut; hamendësoj që ajo kontrollon detin për të pamundësuar ikjen në Korfuzin e afërt.
Gjirokastra
Në restorant kaluam pothuaj tërë pasditen, ai është larg çdo fshati, e vetmja gjë për t’u parë ëshët plazhi i bukur, që fsheh pakëz kushtet e jetesës së shqiptarëve. Vijmë në Gjirokastër në mbrëmje dhe duhet të shpejtojmë për në shtëpinë –muze, ku ka lindur shoku i madh. Është natë pasi bëmë vizitën dhe nesër duhet të udhëtojmë. Si zakonisht zgjohem herët në mëngjes dhe shëtis nëpër qytet. Ai është një qytet- muze me shtëpi të vjetra dhe ndërtesa të pakta të reja. Në qendër pranë hotelit të mirë, ku banojmë ne janë shitoret, rrugicat dhe shtëpitë e vjetra të ngjyrosura hareshëm shumë të këndëshme, rrugicat e shtruara dhe të pjerrëta që më përcjellin për në lagjet e tjera. Ka vetëm një banak druri për të shitur fruta dhe perime. Ngarkesa sillet me kuaj ose gomerë, nganjëherë ndonjë kamion i vjetër kalon nëpër rruget e pjerrëta. Pata mundësi të kem disa kontakte me popullsinë tepër të përzëmërt, por ajo si zakonisht kufizohej për disa sekonda shkëmbim muhabetesh banale. Si në Turqi aty ka hamej, pashë edhe romë të leckosur. Megjithatë për shkak të mosqenies së lagjeve të reja proletare qyteti është i këndëshëm dhe parrullat ngrihen vetëm në qendër. Në kështjellën qendrore ka një muzeum armësh, që e vizitova, me të gjitha llojet e pushkëve dhe shumë gjëra të tjera jo interesante sikurse një citat dhe një bust i shokut të madh, një statujë partizani plot urrejtje në fytyrë.
Patosi
Qendrimi dyjavor përfundoi. Nuk kam parë kaq shumë muzera, nuk kam humbur kaq shumë kohë duke pritur autobuzin ndonjëherë tjetër si këtu. Janë përpjekur më shkathtësi të na pengojnë kontaktet me anë të zhvendosjeve të çmëndura. Atë që pata mundëis ta shoh për dy javë, mund ta realizoja i vetëm brenda 2-3 ditësh. Në fund të qendrimit, duke ardhur në qytet, kur shikoja një fabrikë të re, ndërtesë të re apo një hotel të ri thoja: atje do të shkojmë. Dhe nuk gaboj se unë tash e njoh mirë Shqipërinë zyrtare. Pranë Patosit është një restorant i ri buzë rrugës. Dhe kuptohet që ne ndalëm atje. I bie rrotull restorantit dhe shkoj në guzhinë, ata që shërbenin aty dalin njëri pas tjetrit dhe ..Epo unë flas shqipm jo shumë mirë por mund të më kuptojnë. Nga vij unë? Ata duan të shohin paret e huaja, habiten nga filigrani dhe cilësitë e monedhës së huaj. Në përgjithësi kartmonedhat shqiptare janë shumë të pista për shkak të përdorimit të gjatë. Mos vallë këtë e mundëson stabiliteti çmimeve? Nuk e di, megjithatë kam parë një herë një shishe me raki të mirë, çmimi i të cilës (12 lekë) ishte hequr dhe zëvëndësuar me 17 lekë. Populli nga ana tjetër flet me lekë të vjetra ( një lek i ri-= 10 lekë të vjetër), a ishte nevoja ta rivlerësonin lekun në se çmimet absolutisht nuk do ndryshonin?
Kontaktet me ata njerëz janë për mua burim i një gëzimi shumë të madh, sikur të kisha dalë nga ndonjë çmendinë dhe të kisha gjetur njerëz normalë. Ata më dhuruan fruta. Sikurse kudo në Shqipëri, njerëzit e harrojnë budallallëkun e sistemit. Më në fund autobuzi lëshon burinë, duhet të nisemi. Kryekamarieri më pyet në një gjuhë shqipe pa theks, në se di disa fjalë greqisht. Kur largohem më përshëndet në greqisht. Ai është grek dhe dëshiron të më tërheqë vëmëndjen se këtu jetojnë grekë.
Fieri
Ndalim në Fier për të ngrënë. Në vend që të pijmë një kafe unë dalë të shëtis pranë hotelit. Rruga kryesore mban emërin e shokut të madh. Ajo është relativisht e re me fasada të shumta të lyera rishtaz, në mes ndën pemët është një bust i Stalinit. Shoh automobilin ku rri një familje e tërë. Një grup prej tridhjetë njerëzish po vështron një motorçikletë Honda me targë të Tiranës. Pranë, dy djem njëzetëvjeçarë me Jaëa duken të veshur thjeshtë. Para hotelit parkon një veturë dhe një karrocë me kalë. E fotografova rrugën kryesore. Rrugët pranë saj janë më modeste, njerëzit rrinë në trotuar pranë një restoranti të varfër ku janë parkuar edhe disa karroca të tjera me kuaj. Ndërkohë dëgjohet buria e autobuzit.
Përshtypje e fundit
Jam sërish në aeroportin e Rinasit, të rrethuar nga ushtarët ashtu sikurse erdha. Përsëri po ato foto të shokut të madh që më duken të çuditshme. Muzika si më parë ka melodi ushtarake. Në doganë nuk më kontrollojnë rreptë. Para shkallares së avionit një polic ma kontrolloi pasaportën me kujdes, krahasoi foton në të me fytyrën time, pranë i rri një ushtar i armatosur me uniformë të re fringo që stonon me unifomat e vjetëruara që kam parë gjithëandej. Këtë e bëjnë për të ndaluar ndonjë që don të ikë. Çdo javë në verë ka 4-5 fluturime për në Shqipëri, kryesisht të kompanive lindore. Këtu vijnë kryesisht disa të privilegjuar e të filtruar më parë nga agjentët turisrtikë. Avioni hungarez nis fluturimin, toka poshtë nis e bëhet më e vogël, edhe bunkerët nuk duken më. Po ashtu ato tri Mig-ët në fushën e aeroportit dhe shumë topa kundërajrorë. Shtëpitë zvoglohen , njerëzit duken si miza. S'e kisha parë asnjëherë kështu tokën që lija poshtë duke u larguar me fluturim. Avioni drejtohet për kah deti, ndonëse ka edhe rrugë tjetër, por nuk na lejohet të fluturojmë mbi tokë..
“Djemtë e elitës fishkëllejnë melodi perëndimore, të tjerët burgosen për to”
Pas një udhëtimi të ngadalshëm në një rrugë të ngushtë, ku ndeshëm në shumë ushtarakë me gomarë transporti, mbritëm në Butrint. Që këtej autobuzi na çoi në një restorant luksoz pranë detit, ku me sa duket është i rezervuar kuadrot e lartë. Disa bij të elitës shkuan të bënjë banjë duke fishkëllyer melodi përëndimore që s'i kam dëgjuar kurrë në radion shqiptare. Mos vallë ata dëgjojnë stacionet përëndimore apo kanë sjellur gramafonë dhe disqe?! Për të tjerët kjo lloj muzike është e ndaluar dhe kush guxon ti dëgjojë ndëshkohet. Asnjëherë s'kam dëgjuar nga radioja vendase program tjetër, veç atij në shqip. Ndërkaq asnjëherë nuk pashë ndonjë antenë televizive të drejtuar nga ndonjë stacion tjetër, përveç atij shqiptar, ndonëse në atë rajon mund të kapësh edhe sinjalet e televizonit grek.
Nga ana tjetër atje jetojnë pakica greke, të cilat sipas thënieve të të ikurve kanë vuajtur nga përndjekjet. Mund vetëm të them që të gjitha mbishkrimet janë në gjuhën shqipe, zyrtarisht grekët kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën e vet gjatë viteve të para të shkollës. Në librari pashë disa libra në gjuhën greke të gjitha të shtypura në Shqipëri, kryesisht përkthime të autorëve shqiptarë apo të veprave të shokut të madh. Ishte edhe gazeta “Lajko Vima” në greqisht, kopje e Zerit të popullit dhe e kontrolluar rreptësisht. Pashë vetëm një numër ku kryeartikulli i kushtohej librit të fundit të udhëheqësit të dashur “Kur lindi Partia”, po atë ditë kishte recenza për të në të gjitha gazetat shqiptare. Duke vështruar një hartë të re të Shqipërisë mora vesh që emri i qytetit grek Theollogo (fjala e Zotit) është ndërruar në “Partizan”. Mbi një kodër pranë gjirit duket diçka, që ngjan me një kullë vrojtimi. Ndërmjet dy rradhëve të portokalleve, një kuadër po reciton për mua një varg të gjatë të statistikave përrallore për bujqësinë. I mërzitur largohem për në restorant. Ky numër i programit quhet “vizitë në fermën shtetërore të Ksamilit”./Pamfleti
Lini një Përgjigje