Historia e kërkesave lutëse dhe të njëpasnjëshme të drejtuesve të shtetit shqiptar, në adresë të NATO-s, për të instaluar baza ushtarake në territorin e Republikës së Shqipërisë, e ka një "déjà vu" identike, edhe pse të vendosur në kohë tjetër.
Nisur nga viti 2013, ministra e ministre të Mbrojtjes dhe në një rast vetë Kryeministri, i kanë ofruar NATO-s edhe aerodromin e Kuçovës, edhe bazën detare të Pasha-Limanit dhe atë të Porto-Palermos.
Në vitin 1957, ekzektësisht të njëjtën gjë ka bërë, me entusiazëm të madh, edhe Enver Hoxha, këtë radhë me armiqtë e NATO-s, me sovjetikët.
Oferta i është bërë, më 26 tetor, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Ministrit të Mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik, Mareshallit Georgi Kostantinoviç Xhukov.
Gjatë një takimi në rreth të ngushtë, Enver Hoxha, i kërkon Zhukovit që propozimin për bazën e Vlorës ta vendoste në vëmendje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Zhukovi i përgjigjet Enver Hoxhës duke i thënë se Komiteti Qendror i PKBS i kushton rëndësi të madhe pozicionit strategjik të Shqipërisë dhe se, pa dyshim që propozimi shqiptar do të shqyrtohej ashtu si duhej.
Dihet që baza ushtarake e Vlorës, funksionoi si pjesë e Paktit politiko-ushtarak të Varshavës nga viti 1958 deri në vitin 1961, duke i bërë komunistët shqiptarë të ndiheshin më të sigurt dhe më të mbrojtur në rrugën e tyre të pushtetit.
Përmbajtja e informacionit që Zhukovi i dërgoi Moskës.
Nr.19 TELEGRAM I G. K. ZHUKOVIT NË KOMITETIN QENDROR TË PARTISË KOMUNISTE TË BASHKIMIT SOVJETIK PER NEGOCIATAT ME E. HOXHËN
26 tetor 1957
Rreptësisht sekret
Vetëm anëtarëve të Presidiumit
Sot, më 25 tetor, me kërkesën personale të shokut Enver Hoxha, pata një bisedë konfidenciale me të në godinën e Komitetit Qendror të Partisë. Të pranishëm në bisedë, nga pala shqiptare, ishin shokët Mehmet Shehu, Beqir Balluku dhe Hysni Kapo. Nga ana jonë ishte ambasadori i BRSS në Shqipëri, shoku Ivanov.
Në fillim të bisedës shoku Enver Hoxha shprehu opinionin për qëndrimin tim në Shqipëri. “Populli ynë, partia dhe qeveria jonë e konsiderojnë ardhjen tuaj si një ngjarje shumë të rëndësishme. Jemi të bindur se vizita juaj ka forcuar shumë autoritetin e partisë sonë dhe do të ndikojë pozitivisht në punën e mëtejshme të partisë dhe qeverisë në ndërtimin e socializmit dhe forcimin e mbrojtjes së vendit”, tha ai…
…“Ne e kuptojmë mirë, thotë shoku Enver Hoxha, se e gjithë e ardhmja jonë, jeta jonë është e lidhur ngushtë me Bashkimin Sovjetik. Në do të dëshironim, që sot, këtu në një rreth të ngushtë, në emër të Komitetit tonë Qendror dhe të Qeverisë, të bëjmë propozimet tona për një bazë luftarako-detare në Vlorë.
Ne vlerësojmë se Deti Mesdhe ka një rëndësi shumë të madhe nga pikëpamja ushtarako-strategjike për kampin tonë socialist, pasi në të operojnë Flota e 6-të Amerikane dhe forca të tjera të rëndësishme të vendeve të NATO-s, të cilat janë të drejtuara rreptësisht kundër Bashkimit Sovjetik dhe kampit tonë socialist. Shqipëria, e cila është pjesë e kampit socialist, shtrihet në bregdetin e Adriatikut dhe për këtë arsye ka një status të rëndësishëm.
Nisur nga kjo, Komiteti Qendror i Partisë së Punës i kërkon Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (PKBS) dhe Qeverisë Sovjetike që ta shndërrojnë bazën detare në Vlorë në një bazë detare të fuqishme për operacionet kundër forcave detare të NATO-s në Detin Mesdhe.
Ne besojmë se linja e parë e mbrojtjes së Odesës dhe Sevastopolit duhet të kalojë këtu, përgjatë bregut të Adriatikut.
Një vendim pozitiv për shndërrimin e Vlorës në një bazë të fuqishme luftarako-detare është ëndrra e gjithë popullit tonë shqiptar dhe do të pritet me entuziazëm.
Për të gjitha çështjet praktike, që lidhen me këtë propozim, ne do të biem dakord paraprakisht. Për këtë propozim tonin, ne ju kërkojmë, shoku Zhukov, që ta vendosni në vëmendje të KQ të PKBS.
Një vendim i favorshëm për këtë çështje do të ndikojë pozitivisht edhe në marrëdhëniet tona me Jugosllavinë, e cila do të duhet ta marrë më shumë seriozisht Shqipërinë”.
Pasi dëgjova shokun Enver Hoxha, e falënderova për informacionin e detajuar dhe u pajtova me vlerësimin e tij për rëndësinë strategjike të Shqipërisë.
Unë thashë se Komiteti Qendror i PKBS i kushton rëndësi të madhe pozicionit strategjik të Shqipërisë dhe pa dyshim që propozimi juaj do të shqyrtohet ashtu si duhet.
Si përfundim, i kërkova shokut Enver Hoxha që të bisedonte personalisht me kryesinë e KQ të PKBS për këtë çështje kur të jetë në Moskë për Festën e Tetorit.
G. ZHUKOV /Pamfleti


Lini një Përgjigje