
Zbulohet projekti i studios arkitekturore për të ndërhyrë te Muzeu Historik Kombëtar...
Zbulohen prapaskenat e planit për të mbyllur me 4 vite Muzeun Historik Kombëtar. Që herët në mëngjes, drejtuesit e muzeut dolën me një njoftim të çuditshëm, ku bënin me dije se deri në vitin 2028 Muzeu do të jetë i mbyllur, pasi do t’i nënshtrohet restaurimit. Padyshim që reagimet ishin të shumta, pasi për 4-vite e ndërton Muzeun nga e para, jo më ta restaurosh. Muzeu më pas e hoqi nga Facebook njoftimin, duke shtuar akoma më shumë dyshimet mbi atë që gatuhet në prapaskenë. Por, cili është projekti për Muzeun Historik Kombëtar?
Në dhjetor të vitit 2023 u zhvillua një aktivitet dhe aty u prezantua projekti për restaurimin dhe rimodelimin e Muzeut. Plani është hartuar nga studioja arkitekturore “Casanova + Hernandez architects”, kliente e qeverisë.
Nëse futemi te faqja e kësaj studioje, tregohet dhe projekti për Muzeun. Dhe nëse shohim planin, nuk paskan faj drejtuesit se duhen shumë vite që të bëhen gati baret dhe restorantet. Madje do të ndërhyhet dhe te sheshi brenda Muzeut, teksa do të bëhet dhe një kat nëntokësor. Pra, për të qenë më të qartë, projekti parashikon restorante dhe bar kafe brenda Muzeut.
“Programi i ri publik përbëhet nga një kafe-restorant, një bibliotekë, një bar-kafe dhe një hapësirë multifunksionale dhe disa dhoma edukative të vendosura në një bodrum të ri të vendosur nën oborr”, theksohet në projekt.

Sipas planit: Salla e ekspozitës zgjerohet në hapësirën publike me një hapësirë ekspozite të jashtme të pajisur me ekspozues në rrugë; Restoranti vendoset në tarracë; Salla e historisë zgjerohet me një sallë pritjeje historie në natyrë; Bar-kafeja zgjerohet në tarracë, e vendosur te pjesa përpara Muzeut; Biblioteka dhe hapësira shumëfunksionale zgjerohet me një auditor të jashtëm; Dhomat edukative zgjerohen me një hapësirë edukative të jashtme në oborr.

Pra me pak fjalë, do bëhet një kat nëntokësor, do të ndërhyhet te hapësira boshe në mes të Muzeut dhe do të ndërtohen restorante dhe bar-kafe. Ky është plani, i cili do të marrë 4-vite punë. Nga një Muze Historik, i cili tregon historinë e popullit shqiptar që në lashtësi, tani do kthehet në një ambient ku hahet e pihet. Kjo tregon qartë aferën që është duke u përgatitur. Po ashtu duhet thënë se ky është plani fillestar, pasi nuk i dihet se si përfundon rrugës, nuk është çudi të kemi një kullë te hapësira boshe brenda Muzeut. /Pamfleti

Lini një Përgjigje