Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të presë më 19 janar, në orën 19:00, premierën e shfaqjes “Ku ka si Tirona”, një homazh i gjallë artistik kushtuar shpirtit, traditës dhe identitetit të kryeqytetit.
Shfaqja vjen si një mozaik i pasur këngësh, vallesh dhe ngjyrash, përmes të cilit Tirana rrëfehet në mënyrë poetike dhe dinamike, duke ndërthurur ritmin, elegancën dhe kujtesën kolektive. Në skenë do të ngjallen elemente të trashëgimisë kulturore të qytetit, të interpretuara me ndjeshmëri dhe energji bashkëkohore.
Në këtë premierë do të performojnë solistë vokalë, valltarë dhe miq të ftuar, të cilët përfaqësojnë breza të ndryshëm artistësh, duke sjellë një dialog mes traditës dhe së tashmes. Interpretimet synojnë të pasqyrojnë identitetin e një qyteti që ka evoluar ndër vite, por që ka ruajtur gjithmonë shpirtin e tij unik dhe frymëzues.
“Ku ka si Tirona” nuk shënon vetëm një premierë artistike, por edhe nisjen e ciklit të ri “Thesaret e Shpirtit”, një projekt afatgjatë që synon të sjellë në skenë vepra dhe krijime të dedikuara pasurisë sonë shpirtërore dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit fton publikun që të bëhet pjesë e kësaj mbrëmjeje artistike, e cila premton emocion, nostalgji dhe krenari për kulturën dhe traditat e Tiranës.
Shfaqja do të mbahet më 19 janar, ora 19:00, në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Ku ka si Tirona, pak buke, cik gjize dhe nje hudher e njome! Ah se harrova. Edhe nje domote zemer kahu! :D