Një fushatë e pazakontë nga Suedia po ofron përdorimin e një ishulli privat për 12 muaj; pa luks artificial, pa internet, por me një mesazh të fortë politik dhe turistik...
Në një kohë kur turizmi global po përballet me mbingarkesë, komercializim ekstrem dhe inflacion çmimesh, Suedia zgjedh të shkojë në drejtimin e kundërt. Përmes agjencisë kombëtare të turizmit ‘Visit Sweden’, Stokholmi ka hapur një konkurs ndërkombëtar që i jep mundësinë pesë personave të bëhen “kujdestarë” të një ishulli suedez për një vit të plotë.
Nuk bëhet fjalë për pronësi. Nuk ka kontrata shitblerjeje dhe as investitorë offshore. Fituesit marrin të drejtën e përdorimit të ishullit, një diplomë simbolike dhe një mbështetje financiare. Por thelbi i ofertës është tjetërkund: izolim, natyrë e paprekur, jetë “off-grid” dhe rikthim tek elementarja.
Ishujt e përzgjedhur janë pjesë e arkipelagëve suedezë; territore shkëmbore, me pyje të ulëta dhe horizont të hapur mbi Baltik. Nuk ka energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo Wi-Fi. Në thelb, është një test modern për njeriun urban: a mund të jetojë pa zhurmën dixhitale?
Interesant është edhe kriteri përjashtues: miliarderët nuk mund të aplikojnë. Mesazhi është i qartë; kjo nuk është një lodër për super të pasurit, por një simbol i aksesit të barabartë në natyrë. Në një botë ku ishujt privatë janë kthyer në trofe të elitës globale, Suedia po promovon një model tjetër: përvoja mbi pronësinë.

Nga këndvështrimi diplomatik dhe ekonomik, iniciativa është një manovër e zgjuar e “soft power”-it nordik. Në vend që të shesë luks tradicional, Stokholmi shet qetësi, qëndrueshmëri dhe filozofinë e ligjit suedez të aksesit publik në natyrë. Është një mënyrë për të forcuar markën kombëtare si vend i balancës, barazisë dhe respektit për mjedisin.
Fushata është raportuar fillimisht nga Forbes dhe media të tjera ndërkombëtare, duke i dhënë jehonë globale një projekti që në thelb është marketing inteligjent territorial.
Në një epokë krizash klimatike, pasigurish gjeopolitike dhe urbanizimi të pakontrolluar, ideja e një “ishulli personal” për një vit tingëllon si arratisje romantike. Por përtej romantizmit, ajo është një deklaratë: natyra nuk është luks për pakicën, por e drejtë për të gjithë.
Nëse ky model do të frymëzojë vende të tjera europiane, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë; Suedia ka arritur ta kthejë izolimin në ofertë turistike dhe thjeshtësinë në strategji kombëtare./Përgatiti Pamfleti
model perfekt per Sazanin.