Pas 25 vitesh mungesë, baleti dramatik “Lola” rikthehet në skenën e Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, duke sjellë një histori të fuqishme dashurie, tradhtie dhe hakmarrjeje, në një produksion që premton të frymëzojë publikun artdashës.
I vendosur në sfondin e luftës së popullit spanjoll kundër pushtimit francez, baleti shpalos historinë e Lolës – një vajzë e bukur, krenare dhe e vendosur, e cila përfshihet në vorbullën e ndjenjave të forta dhe sakrificës personale. Në një fshat malor të Katalonjës, festa e korrjes ndërpritet nga hija e pushtimit, ndërsa dashuria mes Pablos dhe Lolës vihet në provë nga xhelozia, krenaria dhe trazirat e kohës.
Ngjarjet marrin kthesa dramatike: Konsuela bie në duart e francezëve, Minguelli përballet me dilema mes pasurisë dhe ndërgjegjes, ndërsa partizanët ngrihen në male për liri. Në këtë panoramë të trazuar, Lola hyn në kampin francez me një mision të qartë – hakmarrjen. Me guxim dhe vendosmëri, ajo e shndërron dhimbjen personale në një akt që simbolizon rezistencën kolektive.
Me muzikë nga kompozitori rus Sergei Vasilenko dhe me një gjuhë të fuqishme koreografike, “Lola” vjen si një balet ku pasioni i dashurisë përplaset me flakën e luftës, duke vendosur në qendër figurën e gruas si simbol force, dinjiteti dhe sakrifice.
Rikthimi i kësaj vepre në skenë përkon me Marsin e Gruas, duke e bërë edhe më domethënës mesazhin që përcjell: historia e një gruaje që sfidon fatin dhe bëhet zëri i lirisë.
Shfaqjet do të mbahen më 6, 7 dhe 8 mars, ora 19:00, në TKOBAP – një ftesë e hapur për të gjithë ata që duan të përjetojnë artin si emocion, histori dhe reflektim kulturor.
Lini një Përgjigje