Midis mitit fetar dhe ironisë moderne, si e kthejmë emocionin në ceremoni kalendarike...
Më 14 shkurt, bota mbushet me zemra të kuqe, lule dhe premtime përjetësie. Shën Valentini, një martir i hershëm i krishterimit, është shndërruar në padronin global të dashurisë romantike. Ai nuk u shpall kurrë zyrtarisht “shenjt i të dashuruarve” nga ndonjë dekret i posaçëm teologjik. Letërsia mesjetare dhe kultura pop e bënë këtë. Legjenda për martesat e fshehta dhe simbolika e zogjve që çiftëzohen në shkurt krijuan një mit që sot ushqen një industri të tërë. Martiri i lashtë romak që nuk la pas asnjë manual për buqeta dhe darka me qirinj, sot mban mbi supe ekonominë e luleve dhe ankthin e atyre që harrojnë të rezervojnë tavolinë.
Të nesërmen, me 15 shkurt, rrjetet sociale shpikën një kundërshenjt: Shën Faustin. Në të vërtetë, Shën Fausti ishte një martir i hershëm i krishterimit, pa asnjë lidhje me vetminë moderne. Etiketa e tij është një shpikje ironike, një kundërpeshë kulturore për ata që nuk festuan një natë më parë. Ai nuk ka kërkuar kurrë të përfaqësojë vetminë. Historia nuk ia ka dhënë këtë mandat. Por kultura moderne ka nevojë për ekuilibër. Nëse një ditë i përket dashurisë, një tjetër duhet t’i përkasë atyre që mbetën jashtë festës. Shenjtëria shpërndahet sipas kërkesës së tregut.
Kultura bashkëkohore e ka kthyer shenjtërinë në metaforë të konsumueshme. Një ditë festojmë çiftin si triumf. Ditën tjetër ironizojmë vetminë si dështim të përkohshëm. Në këtë mes, ndjenja reale rri në heshtje, larg hashtagëve dhe buqetave me çmim të rritur.
Këtu nuk kemi përballje shenjtorësh. Kemi përballje narrativash. Njëra feston çiftin, tjetra e relativizon festën. Njëra është mit i romantizuar, tjetra është reagim humoristik ndaj presionit kolektiv për të qenë “në çift”.
Në fund, as Valentini nuk ishte shenjt i trëndafilave, as Fausti nuk është shenjt i vetmisë. Të dy janë shndërruar në simbole të nevojave tona bashkëkohore. Njëri për të besuar te dashuria. Tjetri për të mos u ndier jashtë saj.
Shenjtëria, në këtë rast, nuk është çështje doktrine. Është çështje kulture./Pamfleti
Lini një Përgjigje