Figura e artistit shkodran në kryqëzimin e etikës, estetikës dhe kujtesës kulturore, një model orientimi për universitetin dhe shoqërinë shqiptare...
Sot, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, jemi mbledhur për të rikthyer në vetëdijen tonë kulturore një figurë që tejkalon përmasat e historisë së artit: Lin Delija — si fat njerëzor, si ndërgjegje morale, si simbol kulture dhe si model etik dhe estetik njëkohësisht.
I lindur në Shkodër, në një qytet me traditë të pasur shpirtërore, kulturore dhe intelektuale, Lin Delija u formua në një mjedis ku arti, feja, humanizmi dhe dija bashkëjetonin natyrshëm. Rruga e jetës së tij u ndërtua mbi përvojën e mërgimit, të ndarjes dhe të vetmisë, duke e shndërruar krijimtarinë e tij në dëshmi të thellë njerëzore dhe në shprehje të një etike të përjetuar.

Arratisja nga diktatura, jeta në mërgim, ndarja nga atdheu dhe përvojat familjare të dhimbjes u bënë burime të brendshme të një pikture me densitet moral, me thellësi shpirtërore dhe me dinjitet njerëzor. Prej tyre u formua një art me qetësi të brendshme, me përmbajtje, me disiplinë shpirtërore dhe me një gjuhë simbolike të përqendruar.
Në veprën e Lin Delijës, figura njerëzore shfaqet si qenie ekzistenciale; hapësira merr formën e një gjendjeje shpirtërore; ngjyra shndërrohet në gjuhë etike. Ai pikturon kuptimin, ndërton përvojën e brendshme dhe shpreh pasojat e realitetit mbi shpirtin njerëzor.
Për këtë arsye, Lin Delija përfaqëson një figurë të kohës moderne: artist i njeriut të zhvendosur, i identitetit në kërkim të vetes, i vetmisë urbane, i nevojës për kuptim dhe për orientim shpirtëror në një botë me ritme të shpejta dhe transformime të thella.
Këtu, në Shkodër — qytet i kujtesës historike, i trashëgimisë kulturore dhe i rezistencës shpirtërore — figura e Lin Delijës merr një domethënie të veçantë. Ai përfaqëson bijtë e këtij qyteti që u larguan fizikisht, por e ruajtën Shkodrën si kod kulturor, si strukturë etike dhe si kujtesë identitare, për të frymuar në dinamikën e ngjyrës energjinë dëshmuese të dhimbjes jetësore të saj.
Në këtë kontekst, aktivitetet e zhvilluara vitet e fundit në Shqipëri për figurën e tij — ekspozitat në Shkodër dhe Tiranë, rikthimi i veprave të tij për publikun shqiptar, përpjekjet për krijimin e një muzeu dhe iniciativat institucionale për promovimin e trashëgimisë së tij — përfaqësojnë akte të rëndësishme ripërvetësimi kulturor dhe ndërtimi të kujtesës kolektive, një kthim dhe njohje e vetes dhe një afrim me frymën e artistit Delija. (Universiteti i Shkodrës, së shpejti, do të botojë një monografi për Lin Delijën, me kontributin e pedagogut Sidi Kanani.)
Për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, kjo konferencë përfaqëson një moment të rëndësishëm vetëdijeje institucionale. Universiteti sot përballet me sfida shkencore, kulturore dhe shoqërore, që kërkojnë përgjigje të reja, vizion afatgjatë dhe orientim etik. Në këtë realitet, universiteti afirmon rolin e tij si hapësirë e dijes, e kulturës, e formimit njerëzor dhe e përgjegjësisë shoqërore.
Në këtë kontekst, figura e Lin Delijës shërben si model i një arti që ndërton vlera, që ushqen vetëdijen kulturore dhe që forcon përgjegjësinë shoqërore. Ai përfaqëson artistin si ndërgjegje, krijuesin si figurë morale dhe artin si mision kulturor.
Shoqëria shqiptare sot përjeton transformime të thella identitare dhe kulturore, që kërkojnë modele referenciale të qëndrueshme. Në këtë realitet, vepra dhe figura e Lin Delijës ofrojnë një orientim të qartë: një art që forcon dinjitetin njerëzor, një kulturë që ndërton vetëdije dhe një universitet që edukon qytetari.
Prandaj kjo konferencë përfaqëson një hapësirë reflektimi kolektiv, një moment vetëdijeje kulturore, një proces ndërtimi identitar dhe një akt përgjegjësie institucionale.
Sepse “arti konkret i shpirtit” shndërrohet në një orientim për kohën tonë dhe në një horizont vlerash për të ardhmen.
Le të shërbejë kjo konferencë si burim frymëzimi, si platformë dialogu dhe si nxitje për ndërtimin e një kulture universitare që bashkon dijen, artin dhe etikën.
Faleminderit!
Tonin Gjuraj
Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës
Lini një Përgjigje