Ekspozitë fotografike "open air" Gorzegno, Cuneo, Itali
Nga data 15 korrik deri me 15 shtator 2023

Lexoj një shkrim në të cilin autori thotë "kafshët nuk na kqyrin më" por jemi ne që i vështrojmë e fotografojmë ato, jashtë këndvështrimit të një ekzistence të pavarur, ku shoqëria bashkëkohore kërkon pandërprerë, t'iu japë, formën e vet. Kjo duke iu hequr lidhjen e vjetër mes dimensionit njerëzor dhe jo njerëzor, të kafshëve të egra, këtyre bashkë udhëtarëve tona historike!
Me pak fjalë nuk na befasojnë mrekullisht më kafshët si pjesë kryesore e spoteve publicitare duke na drejtuar në prodhimet e konsumit të thjeshtëzuar, ose që marrin poza në selfi ironike të gatshme për ti shpërndarë nëpër rrjetet e shumta sociale!
Në këndvështrimin e sotshëm të kafshëve, ato po përcaktohen thjeshtë si ikonat foshnjarake të maceve, apo këlyshëve të vegjël të qenve, që mbushin rrjetet me pamje të kafshëve të hedhura në hapësirë e kohë krejt tjera nga të qenit reale!
Na paraqitet kështu një botë e kafshëve në të cilën mbretëron ligji i absurdit, një natyrë e zhytur në një hiç vend, në një hapësirë të kufizuar, të papërcaktuar, të panjohur! Ndërsa ne, spektatorët, kemi gjithmonë e më shumë idenë e një bote kafshësh të përqendruar në një përmasë të çuditshme, në mes realitetit dhe përçartjes!
Ndërmjet këtyre pikë vështrimeve ndërhyn Edmond Kaçeli. Ai, me shkrepjet e aparatit fotografik, na rivendos krejt thjeshtë në natyrën e egër tërheqëse pa dorashka e paragjykime, që përkthehet dukshëm tek nevoja për të prezantuar anën tjetër tonën: Kafshën e egër!
Në ndryshim të asaj çka shohim në imazhet e reklamave të modës, kafshët e Kacelit nuk janë metafora të veseve apo virtyteve njerëzore por një gjarpër është një gjarpër, një derr i egër është thjeshtë një derr i egër; e kështu me radhë, sekush me domethënien e tyre të qartë simbolike; në rastin konkret "origjina e jetës -gjarpri" dhe "forca e jetës -derri i egër"!
Fotografitë e Edmondit braktisin klishetë tradicionale të skemave e egra/objekt i rregullave të një reportazhi thjeshtë përshkrues e ilustrues të një fotografie të jetës së egër militantiste.
Edmondi thjeshtë i fotografon, i sjell të gjalla në habitatin e vet, pa i shqetësuar, me mjeshtërinë tipike që e dallon! Thënë ndryshe i prezanton duke iu kushtuar respekt gjallesave të egra si "tjetri që ekziston si gjithkush prej nesh"
Së mbrami, siç shkruante poeti Fernando Pessoa, "Njeriu nuk din më shumë se kafshët e tjera; por din më pak! Ato (gjallesat) dinë atë që duhet të dinë! Njerëzit, jo!"
Claudio Lorenzoni
Kurator i ekspozitës
Drejtor i Muzeut në Qiell të Hapur, Camo, Itali
Lini një Përgjigje