
Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori i njohur Anastas Nika. Mësohet se Nika vuante prej 1 viti nga një sëmundje e rëndë.
Pavarësisht përpjekjeve të familjes dhe donacioneve të mbledhura për kurimin e tij, nuk ka mundur të fitojë betejën me sëmundjen. Lajmi u bë i ditur nga djali i tij në rrjetet sociale.
"Të dashur miq, Me keqardhje ju lajmëroj që babai, Anastas Nika sot në mëngjes u bashkua me Zotin në spitalin e Athinës. Presim ngushëllimet te “Shtëpia funerale Bebri” (në limion përballë varrezave). Varrimi do jetë nesër në orën 13:00 në varrezat e Sarandës. Me respekt familja Nika!", shkruan djali i tij.
Aktori Anastas Nika lindi në Sopik të Sarandës më 5 janar të vitit 1960. Filloi studimet e mesme në Shkollën e Kulturës në Tiranë, në degën e regjisurës. Përjashtohet në vit të tretë, pasi këndonte dhe u mësonte të tjerëve këngë të huaja, gjë e cila, nuk lejohej në sistemin e atëhershëm monist.
Si rrjedhojë, dënohet dy vite, duke u punësuar, si punëtor, në fabrika të ndryshme. Më pas, kryen dy vite shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke hapur tunele e ndërtuar bunkerë për makina e mjete të rënda ushtarake.
Pasi përfundoi shërbimin ushtarak, për pesë vite punoi punëtor në një fabrikë tullash, ku aty, për pak desh humbi jetën, si rrjedhojë e punës në kushte tepër të vështira.
Gjatë kësaj kohe punonte natën, për t’u aktivizuar ditën me trupën e Teatrit të qytetit të Sarandës, një nga ëndrrat dhe pasionet e tij.
Përfundoi shkollën e mesme për Agronomi. I jepet mundësia për të kryer një kurs për regjisor, pranë Teatrit Kombëtar, Tiranë. Në periudhën 1986-1990, iu plotësua një nga dëshirat e tij të mëdha jetësore, përfundoi me shumë sukses dhe i dalluar për rezultate, studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë, për aktor. Pas diplomimit emërohet aktor në Teatrin Profesionist të Elbasanit.
Me fillimin e proceseve demokratike, u rikthye në qytetin e Sarandës dhe filloi ushtrimin e profesionit të tij në Teatrin e Estradës, ku vijon edhe sot si regjisor, aktor dhe skenarist.
Ka realizuar me shumë profesionalizëm dhe pasion rreth 130 role në skenë, kinema dhe televizion.
Ka interpretuar në vepra të mëdha klasike si: “Mbreti Lir “ (Shekspir), ‘’Shtrigat e Salemit” (Artur Myler), “Mikroborgjezët “ (Maksim Gorki), “ Antigona ( Sofokliu),” Njeriu që pa vdekjen me sy “( Viktor Eftimiu),’’ Jo të gjithë hajdutët vijnë për të keq” ( Dario Fo), “Ditari i një të çmenduri “ (Nikollaj Gogol), “Fejesa “ ( Anton Çehov), “Burri i gruas sime “ (Miro Gavran, kroat), e tjera. Është shquar në interpretim në disa filma si: “Ugolini”, “Dritat e qytezës”, “Një zemër në dy jete”, ”Mysafiri” si dhe “Amnisti” (ky i fundit ka arritur deri në nominim për çmimin “Oscar”) .
Është shquar dhe shquhet në veprimtarinë kreative duke shkruar e vënë në skenë, si regjisor, mbi 70 vepra e shfaqje të gjinive dhe llojeve të ndryshme. Ka realizuar rreth 50 minifilma poetikë me autorë të shquar shqiptarë dhe nga bota si: Shekspiri, Kipling, Omar Khayam, Fan Noli, Naim Frashëri , Ismail Kadere, Dritëro Agolli , Lasgush Poradeci, Sergej Esenin, Ali Asllani, Pashko Vasa, Xhevahir Spahiu, Ali Podrimja, Fatmir Gjata, Teodor Keko, Bardhyl Maliqi e tjerë.
Lini një Përgjigje