TAGS-AT E JAVËS

Kulture 7 Tetor 2024, 10:49

“E dinim të vdekur, e takuam të gjallë”, kunata: Çfarë nuk u tha kurrë për fatin e gruas së zhdukur

Shkruar nga Afrim Imaj

 

“E dinim të vdekur, e takuam të gjallë”, kunata:
Në foto: Dizi Dyrmishi

Nuk jeton asnjëri nga personazhet e historisë së jashtëzakonshme me të vdekurën që ngjallet rishtas pas katër vitesh. Madje janë rrënuar plotësisht dhe themelet e shtëpisë-kasolle, strehëzës së tyre në skaj të qytetit të Memaliajt. Është shuar më në fund dhe kunata e gruas me fatin e trishtë që u zhduk dhe u shfaq si në legjendë, e cila ka treguar çfarë nuk dihej për ngjarjen misterioze. Rrëfimi i Dizi Dyrmishit, përveç dokumetave të sigurimit, është e vetmja dëshmi autentike për historinë e pabesueshme...

Pjesa e Tretë

Vijon nga Pjesa e Parë dhe nga Pjesa e Dytë

“Kur dëgjuam se është shfaqur Erveheja në Lushnjë, nuk e besuam. S’kishim si ta besonim. Se s’kishte ndodhur tjetër herë të ngrihej i vdekuri nga varri”.
Njëherazi me mbresat nga çastet dramatike kur familjarët e Ervehesë janë njohur me lajmin e pabesueshëm, Dizi Dyrmishi, një e afërme e tyre, kujton përjetimet nga takimi me “të vdekurën” e ngjallur rishtas dhe tre familjarët që ishin dënuar për vrasjen e saj. “Jam tronditur jashtë mase kur kam dëgjuar nga këta të fundit, rrëfen 80-vjeçarja, si ishin detyruar të pranonin krimin që s’u kishte shkuar kurrë në mendje”. Nga mënyra si ia kanë treguar këtë pjesë të mistershme, ajo ka fiksuar në kujtesë çastet kur njërës prej grave të arrestuara i kanë çuar në qeli një grumbull me kocka kafshësh dhe i kanë thënë se ishin të Ervehesë. Hetuesit që pretendonin se i kishin nxjerrë nga varri ku i kishte çuar Çerçizi, kërkonin t’i bashkoheshin dhe ato dëshmisë së tij, ndryshe kryefamiljarin e priste litari. Në këto kushte, shton e afërmja e familjes Dyrmishi, të gjorat gra, bënë çfarë u thanë. Më pas ndodhi ajo që ndodhi…” Po çfarë kujton tjetër nga kjo histori e pazakontë 80-vjeçarja Dyrmishi.

Në vitin 1959, tre nga të afërmit tuaj janë dënuar se kanë vrarë vajzën e shtëpisë, Ervehenë. Në çfarë rrethanash ka ndodhur kjo ngjarje dhe si e keni përjetuar atë?

Ajo ka qenë një ngjarje e rëndë dhe na ka tronditur shumë. Fisi ynë, Dyrmishi, është një fis i madh. Asokohe pjesa më e madhe jetonin në Koprenckë të Skraparit. Kishte që kishin ardhur në Tiranë, sidomos ata që ishin shkolluar dhe punonin në ushtri. Vetëm familja e Çerçizit kishte shkuar në Memaliaj.
Varfëria dhe kushtet e vështira në fshatin e lindjes e kishin detyruar të shkonte për të punuar e jetuar aty. Një lëvizje kjo për bukën e gojës, për jetë më të mirë, por që i doli për keq. Aty Çerçizi u martua. U martua më pas dhe Erveheja. Kur gjërat sikur shkonin mirë, ndodhi divorci i Ervehesë. Pas kësaj, ndodhi ajo që ndodhi. Më tej, ç’të të them. Gjërat shkuan keq e më keq. Pastaj vrasja…

Si jeni njohur me lajmin se Ervehenë e vrau Çerçizi me nënën?

Këtë e kemi mësuar kur i arrestuan, por aty për aty nuk e besuam. Nuk kishim arsye ta besonim. Një gjëmë e tillë s’kishte ndodhur tjetër herë, së paku deri në atë kohë. Që nëna të vrasë djalin, që vëllai të mbyste motrën. Ca më shumë ta bënte këtë Çerçizi me të ëmën, dy njerëz të dashur e punëtorë në hallin e tyre që s’u bënte dora të shtypnin qoftë edhe një mizë. Megjithatë, mënyra si u hap fjala, na ra si bombë…

Arrestimi i Çerçizit dhe familjarëve të tjerë është bërë tri vite pas largimit të Ervehesë nga shtëpia. Deri atëherë, kishit dijeni për fatin e saj?

Ne dinim pak a shumë se jetonin në varfëri. Dinim gjithashtu se kishin edhe ndonjë problem me Ervehenë. Kishim dëgjuar se ajo ishte konfliktuar me të shoqin në Progonat dhe ishte larguar nga shtëpia e tij, duke lënë aty dy fëmijët. Çerçizi me të ëmën bënë përpjekje për t’i bashkuar, por nuk ia dolën. Kjo e tronditi familjen, ndezi debate pa fund. Në debat e sipër, pastaj Erveheja u largua. U largua pa thënë se ku po shkonte.
Familjarët menduan se do të kthehej. Kaloi një ditë, dy, tri, një javë, një muaj. Ajo s’u duk më. Çerçizin dhe të tjerët i mbuloi turpi dhe u strukën në hallin e tyre, pa bërë zë. Një situatë e tillë vazhdoi tri vite. Vetëm pas tri vitesh, zhdukja e saj vuri në lëvizje policinë. Shkak për këtë, me sa më kujtohet, u bë një i afërmi ynë nga Skrapari. Pas sinjalit të tij, filluan kërkimet. Po të nisnin ato në kohë, historia e saj do të kishte rrjedhë tjetër…

Pra, pas tri vitesh morët vesh se e kishte vrarë Çerçizi me të ëmën…

Pas tri vitesh që e dinim të zhdukur, na erdhi lajmi që e ka vrarë Çerçizi. Ajo që na dukej e pabesueshme në fillim, fatkeqësisht po provohej si e vërtetë. Gjatë procesit gjyqësor, Çerçizi i pari, e pas tij nëna me gruan pohuan me gojën plotë se e kishin vrarë me duart e tyre në fshehtësi dhe e kishin groposur nëpër natë buzë lumit. Këtu merrte fund çdo lloj dileme për vrasjen e Ervehesë.Askush më tej nuk shfaqi dyshime të tjera. Ata ikën në burg dhe pak nga pak jehona e ngjarjes u shua. Me sa më kujtohet, Çerçizin prokurori e dënoi me vdekje. Nënën me 25 vite dhe të shoqen me 15.

Si e pritët lajmin se Erveheja ishte gjallë?

Në atë kohë ne jetonim në Tiranë. Një i njohuri ynë nga Skrapari, që kishte ardhur për një hall në spital, na tha se kishte dëgjuar që ajo historia e Ervehesë nuk kishte qenë e vërtetë. Fillimisht s’ia vumë veshin, e morëm për lajthitje të një njeriu të sëmurë. Se nuk mund ta besonim një marrëzi të tillë, pas katër vitesh nga ngjarja e rëndë. Ca më tepër që deri atëherë s’kishim dëgjuar as dyshimin më të vogël. Gjithçka ishte pranuar si e mirëqenë. Ca më tepër që të tillë e përjetonte edhe nëna dhe vëllai i Ervehesë, tashmë prej kohësh në burg në Gjirokastër. Megjithatë…

Megjithatë, lajmi kishte qenë i vërtetë…

I vërtetë, por i pabesueshëm. Si mund ta pranonte arsyeja diçka të tillë. Se s’kishte bërë kurrë vaki të çohej nga varri një i vdekur! Kur e saktësuam, u tronditëm pa masë, po edhe u gëzuam po kaq. Kunati që ishte takuar me Ervehenë në Lushnjë, na tha se ngjarja kishte qenë shumë më e ngatërruar nga sa e dinim…

Si ia kishte treguar Erveheja kunatit kur ishin takuar?

Ajo nuk dinte gjë çfarë kishte ndodhur me nënën dhe Çerçizin. S’dinte gjë për çfarë ishte folur për të që nga dita që ishte larguar. Erveheja çuditej nga habia që shprehnin të njohurit kur takohej me ta. Ajo i kishte treguar se prej tre vjetësh ishte e martuar dhe jetonte në Leskovik, bashkë me burrin dhe një fëmijë. Kohët e fundit kishte ardhur në fermë në Lushnjë.

Besoj se lajmi për Ervehenë riktheu qetësinë në familjen Dyrmishi…

Një farë qetësie, por prapë familja e Çerçizit dhe Ervehesë mbeti e goditur dhe e ndarë më dysh. Drama që kishin kaluar kishte qenë e fortë, e tmerrshme. Fati i tyre shkoi keq edhe më vonë, pavarësisht gëzimit që shkaktoi rishfaqja e Ervehesë dhe lirimi nga burgu i nënës dhe Çerçizit. Me sa duket, s’kishte qenë e thënë t’u qeshte buza. Sidoqoftë, nga fakti që iu kthyen jetës normale dhe sidomos sqarimi për të vërtetën e atij krimi të pakryer, diçka për mirë lëvizi në jetën e tyre. Se s’ishte e lehtë të të tregonin me gisht si vrasësin e motrës dhe vajzës së shtëpisë…

Si i shpjegonte Çerçizi rrethanat në të cilat kishte pranuar vrasjen dhe varrosjen e motrës?

Ai nuk kishte dëshirë t’i kthehej kësaj historie. Kur doli nga burgu, rrinte i vetmuar dhe i heshtur. Ato pak gjëra që mësuam rreth kësaj, i tregoi nëna dhe gruaja e tij, Fatimja. Kur flisnin, çuditeshin edhe vetë me atë që kishte ndodhur. Kishin pranuar gjëra të tmerrshme, të pabëra, në kushtet e presionit dhe frikës…

Pra, u kishin bërë presion, i kishin torturuar…

Nuk mund ta marrësh me mend çfarë u kishin bërë. Presion të jashtëzakonshëm, tortura. Vetëm të pranonin se kishin bërë vrasjen. Kishin arritur deri aty sa t’u sillnin në qeli kocka kafshësh, duke u thënë se janë të Ervehesë.

Kush ua solli kockat, çfarë kërkonin nëpërmjet tyre?

Një sajesë bajate, por tronditëse. Hetuesve të çështjes, një ditë prej ditësh, duke parë qëndrimin e tyre, u shkoi mëndja te kjo djallëzi. Shkuan diku, morën një grup me kocka kafshësh dhe me to në dorë mbërritën në qelinë e tyre. -Shikojini me vëmendje, u thanë grave të mjera, -janë eshtrat e Ervehesë, i nxorëm nga varri që na tregoi Çerçizi. Dëshmitë tuaja e shpëtojnë atë nga pushkatimi, ndryshe… Ja në të tilla kushte u “dorëzuan” ato dhe bënë, ç’bënë firmosën. Ca më keq kishte vuajtur Çerçizi, i cili më në fund kishte pohuar çdo gjë që i kishin diktuar. Me këtë mesele mizerje shkuan në gjyq dhe u dënuan./Fund! /Pamfleti

e dinim të cdekur e takuam të gjallë fati i gruas së zhdukur

Lini një Përgjigje