TAGS-AT E JAVËS

Kulture 2 Tetor 2024, 17:46

Nga Pekini në Vietnam e Kore, bombardimi ajror që ndërpreu këngën “O i vogël o partizan” në llogoret e luftës

Shkruar nga Afrim Imaj
Nga Pekini në Vietnam e Kore, bombardimi ajror që ndërpreu
Ansambli i Ushtrisë /

Enver Hoxha kishte urdhëruar që ne artistët që jepnim shfaqje në Kinë, të vazhdonim turneun në një nga vendet që aktualisht ishte përfshirë në konfliktin më të nxehtë të globit, Vietnam. Ishte një vendim që në thelb mbarte solidaritetin ndaj një vendi të përzhitur në flakët e luftës së përgjakshme. Porosia na u dha drejtëpërdrejtë: Do të jepnim shfaqje në front!

Vijon nga Pjesa e Parë

Ata nuk do të bënin thjeshtë artin e interpretimit të këngës dhe valleve përtej kufijve të Atdheut, po shumë më tepër se kaq. 150 djemtë dhe vajzat nga Shqipëria gjatë turneut në Lindjen e Largët, do të ishin njëherazi misionarë të solidaritetit dhe miqësisë, duke përçuar te popujtë aziatikë mesazhe njerëzore dhe mbështetje morale në shërbim të lirisë dhe aspiratave humane. Teksa demonstronin pikërisht këtë dimension gjatë koncerteve në qytetet kryesore të Kinës, një urdhër nga Tirana, madje nga maja e piramidës shtetërore, do të ndryshonte destinacionin e turneut të tyre, duke ofruar një adresë të re, Vietnamin.Këtë herë nuk bëhej fjalë për një repertor të zakonshëm, po për një program specifik që lidhej me gjendjen aktuale të vendit ku do të vijonte turneu i artistëve shqiptarë. Vietnami atëherë ishte në kulmin e luftës dhe nga ta kërkohej një art marcial me frymën e marrsheve dhe shpirt luftarak. Ishte privilegj për grupin e artistëve që do të këndonin në frontin e luftës prania e kompozitorit Gaqo Avrazi, njeriu që i kishte pushtuar majat e artit me krijimin e këngëve partizane dhe përvojën për ngritjen e asamblit të ushtrisë në zjarrin e luftës antifashiste. Pikërisht nën drejtimin e tij u përpunua një program i zgjeruar me këngë patriotike dhe vetëm për pak ditë ata u gjëndën në frontin e luftës, aty ku i priste një auditor i zjarrtë që luftonte orë e çast në llogore. Turneun e tyre do ta ndiqte me vëmëndje vet kreu i Vietnamit Ho Shi Min, që do të rezervonte për ta një pritje vëllazërore dhe do tu afronte dhurata tradicionale me dorën e tij. Po si vijuan koncertet në trashet e bombarduara hera herës. Si u pritën këngët partizane shqiptare nga ushtarët vietnamezë. Sa ndikoi jehona e grupit artistik në rritjen e moralit të tyre. Si shkoi më tej shtegtimi i artistëve për në Korenë e Veriut. Në rrëfimin e saj Artistja e Merituar, Violeta Gjura tregon me detaje historinë e atyre ditëve të veçanta ku shqiptarët ishin më afër se asnjëherë me popujt e Lindjes së Largët..

Në Vietnam: Si kënduam në simfoninë e bombave zig-zag

Enver Hoxha kishte urdhëruar që ne artistët që jepnim shfaqje në Kinë, të vazhdonim turneun në një nga vendet që aktualisht ishte përfshirë në konfliktin më të nxehtë të globit, Vietnam. Ishte një vendim që në thelb mbarte solidaritetin ndaj një vendi të përzhitur në flakët e luftës së përgjakshme. Porosia na u dha drejtëpërdrejtë: Do të jepnim shfaqje në front! Kur u nisëm nga Shqipëria, nuk dinim gjë për këtë. Na kishin sqaruar se do të jepnim shfaqje vetëm në Kinë dhe kaq. Po ja që ndodhi ta shtynim më tej turneun, madje në një zonë të nxehtë. Dhe ashtu bëmë. Rrugëtimi do të kryhej përsëri me tren, por këtë herë do të udhëtohej gjithë natën dhe do të kishte më shumë ankth.

Ishte dhjetor 1965 dhe në Vietnam luftohej kudo. Luftohej në qiell, në tokë, në ujë...në shpirtart e njerëzve. Në një natë të mbushur me zhurmat e bombardimeve, do të zbrisnim nga treni shumë pranë kufirit me Vietnamin. Frynte një erë e ngrohtë dhe klima, në përgjithësi ishte e butë. Shoqëruesit vietnamezë erdhën e na morën dhe kufirin që ndante Kinën me Vietnamin e kaluam në këmbë. Kalonim kryesisht në pyje dhe përmes orizoreve, ku hera-herës zhyteshim në ujë deri në fyt sepse nuk e njihnim terrenin. Disa prej nesh rrezikuan të mbyteshin për pak, pasi kishte vënde që uji kishte thellësi, por gjithmonë gjendej një vietnamez që të ndihmonte për të ecur në rrugën e saktë. Ishin shoqëruesit ata që na ndihmonin sepse ishte një ambjent moçalor. Udhëtimi plotë peripeci do të përfundonte në qytetin e Hanoit.

Në kryeqytetin e Vietnamit do të na priste Ambasadorii Shqipërisë bashkë me disa përfaqësues të qeverisë vietnameze. Stacioni i fundit ishte një hotel në Hanoi. Ai ishte qytet që kishte qetësi (për aq sa mund të ruhet në kohë lufte) dhe përgjithësi mbahej si vend i pa ekspozuar nga rreziku. Në atë kohë aty kryhej mobilizimi i rinisë vietnameze për ta çuar në front. Burra e gra, djem e vajza të bukura niseshin orë e çast për në front. Qëndrimi në kryeqytetin e mbushur natë e ditë me lëvizje të nxituara njerëzish, do të zgjaste vetëm dy ditë. Në këtë qëndrim të shkurtër dyditor Ansambli ynë do të jepte vetëm një koncert dhe më pas u bë ndarja për të shkuar në front. Secili nga grupet do të jepte koncert në pika të ndryshme të frontit. Grupit tim, që kryesohej nga mjeshtri Gaqo Avrazi, i qëlloi që të jepte shfaqje në zonën më të vështirë të frontit,pikërisht në pjesën ku ndahej veriu me jugun, në zonën ku luftimet ishin më të ashpra

isht që koncertet nuk do të kishin shumë spektatorë pasi edhe pikat në të cilat kryheshin luftime ishin njësi e reparte e jo publik që kishte prerë biletën për të parë një shfaqje. Për të dhënë shfaqjet do të shfrytëzoheshin momentet kur kishte qetësi dhe nuk kishte bombardime. “Këndoheshin këngë dhe kërceheshin valle qoftë edhe për 4-5 ushtarë, psh nëpër pikat e mbrojtjes ajrore. Ata nuk lëviznin nga kanalet që kishin hapur si llogore ndërsa ne jepnim shfaqje anash kundërajrorëve. Lëviznim nëpër gjithë frontin dhe jepnim shfaqje që nga bazat e deri te pikat që kishin shpërndarë në terren vietnamezët. Kur fillonin bombardimet e ndërprisnim shfaqjen dhe futeshim nëpër strehime. Çdo gjë bëhej vetëm për të ngritur moralin sepse koncertet në terren edhe në kohë paqeje janë të vështirë për tu realizuar. Ka pasur raste kur bombat binin 4-5 metra larg dhe ne nxitonim të futeshim nëpër transhetë e mbuluara, të ndërtuara me dru bambuje e të maskuara me degë pemësh. Në fund kur kalonte bombardimi shikoje vietnamezët që mblidheshin e shihje njerëz që u ishin këputur gjymtyrë apo me pjesë të fytyrës të dëmtuara si veshë të këputura sy të nxjerra etj. Ishin disa predha që shpërbëheshin dhe lëviznin si në formë spirale. Në mos gaboj Kadareja do ti quante ato “bomba zig-zag”. Kur fillonte bombardimi ata na mbronin edhe me trupat e tyre sepse nuk ia lejonin vetes që të na ndodhte ndonjë fatkeqësi.”-tregon Violeta momente nga shaqjet e dhëna në front. Këto shfaqje do të zgjasnin rreth dy javë dhe 150 artistët shqiptarë do të shkonin gati në gjithë pikat e frontit. Në atë kohë në Vietnamin e përfshirë nga lufta, ajo që po bënin shqiptarët konsiderohej si diçka jo vetëm heroike, por edhe shumë humane. “Kur shikonim ndonjë banane apo frut tjetër dhe përpiqeshim ti kapnim, vietnamezët na i hiqnin nga dora dhe nuk na lejonin ti hanim. Herën e parë u habitëm sepse nuk dinim gjë që pemët spërkateshin me helme të ndryshme nga avionët luftarakë. Ata merrnin ato fruta që mendonin se ishin të pastra dhe pasi i kishin provuar vetë, atëherë na i jepnin ne që ti hanim.“Vietnam unam, Vietnam unam”-Rroftë Vietnami, Rroftë Vietnami. Këto ishin vargjet e këngës që dëgjoje kudo, në çdo vend që shkoje. Në shumë raste u mësonim edhe lëvizje nga vallet tona, si të hidhnin këmbët etj dhe ata na tregonin kërcimet e tyre.”-tregon Violeta.

Natyrisht që ky lajm ishte shpërndarë dhe ngado që shkonin shqiptarët priteshin si miqtë më të mirë.

Megjithatë, shprehja më e madhe e falenderimit erdhi nga vetë kryetari i shtetit të Vitnamit dhe udhëheqësi i luftës, Oshimini. Në pallatin presidencial të Oshiminit do të organizohej një pritje e veçantë për shqiptarët. Turneu kishte mbaruar dhe në momentet e para që katër grupet u takuan me njëri-tjetrin, pyetja e parë që bëhej ishte : -A janë gjallë të gjithë? “U përqafuam duke qarë kur pamë se ishim shëndoshë e mirë që të gjithë. Treguam për ato që kishim parë e se si e kishim kaluar.”-thotë Violeta për momentet e para të bashkimit me pjesën tjetër të Ansamblit.

Pavarsisht se varfëria e vendit ishte e thellë, vietnamezët shtruan një darkë modeste në krahasim me pritjet luksoze të Kinës, por që kuzhina franceze nuk mungonte dhe ushqimet ishin të larmishme. Vetë Oshimin do të prekej nga veprimi i solidaritetit që kishin demostruar shqiptarët. “Ju jeni femra të argjenta, të gjithë ju jeni njerëz të mrekullueshëm. Unë nuk di si t’ju falenderoj, nuk di me se t’ju shpërblej për këtë që keni bërë për Vietnamin.”-na tha Oshimin gjatë pritjes, rrëfen Violeta për momentin në rezidencën presidenciale vietnameze. “Megjithë pamundësinë ekonomike që kishin për shkak të luftës, ai kërkoi që të na shpërblente me para, por ne nuk pranuam në asnjë mënyrë që të merrnim asnjë lloj shpërblimi, pavarsisht insistimit të tij. Pranuam të merrnim vetëm disa dhurata simbolike. Na dhuruan nga një kuti bambuje, një kapele tradicionale kashte (shumë e bukur, por që ma vodhën në një aksion), të cilat kishin punime shumë të veçanta dhe një byzylyk argjendi me punime dhe figura tradicionale vietnameze të gdhendura mbi të (nga të gjitha shoqet vetëm unë e kam akoma këtë byzylyk pasi shumica i shiti këta të fundit edhe për dy mijë lek kur erdhëm në Shqipëri.) . Këto dhurata i ruaj edhe sot. Këto do të ishin momente nga ditët e fundit të qëndrimit në Vietnam.            

Në ato ditë edhe Hanoi, edhe pse jo me të njëjtin intesitet si pjesa tjetër e Vietnamit, do të fillonte të bombardohej prej amerikanëve. “Mbaj mend se si në një nga ditët e fundit, gjatë një bombardimi mbi qytet jemi frikësuar për vdekje. Filloi alarmi dhe ndërkaq bombardimi filloi menjëherë. Unë me disa shoqe e shokë, ndodheshim në ashensorin e hotelit dhe ngelëm të bllokuar brenda sepse u ndërpre energjia elektrike. Kemi qëndruar për tetë orë të bllokuar në ashensor duke thirrur për ndihmë. Ndërkohë dëgjonim sesi binin bombat mbi qytet.”-thotë Violeta. Këto ishin çastet e fundit të vizitës pasi synimi ishte realizuar dhe fillimi i përkeqësimit të situatës në Hanoi përkoi me nisjen e pjestarëve të Ansamblit të Ushtrisë për në Kinë. Buqeta me lule, përqafime, këngë dhe fotografi. Ky ishte momenti i fundit para nisjes për në Kinë. Një turne prej 17 ditësh në pikat më të nxehta të frontit kishte mbaruar pa dëme. Ata po largoheshin nga Vietnami duke marrë me vete keqardhjen për një popull mikpritës. Në muajt e mëvonshëm Vietnaimin ata do ta shikonin vetëm nëpër kronikat televizive, apo shumë vite më pas, në filmat e shtrembëruar me heronj amerikanë plot muskuj e me fytyra të qeshura.

“Do vij të fotografoj rivierën tuaj të mrekullueshme”

Në ato ditë të mbushura me luftime dhe koncerte nga njëra pikë e frontit në tjetrën, një gazetar italian do të bëhej mik me shqiptarët. Ai quhej Mario dhe ishte gazetar. Duke qenë se aktiviteti artistik i ansamblit kryhej në zonën ku po zhvilloheshin luftimet më të ashpra, natyrisht që edhe vëmendja e shtypit të kohës do të përqndrohej në ato zona. “E mbaj mend si tani. Ishte një tip shumë i qeshur dhe nuk pushonte kurrë së folur e së bëri shakara. Në ditët që ne zhvilluam aktivitetet artistike në front ai na ka bërë shumë fotografi. Në disa prej tyre është edhe shkrimi tij ku shënon datën dhe vendin në të cilin kemi dalë. Ne ishim si familje sepse ishte luftë e rrezikonim të gjithë, prandaj ndiheshim edhe më të afërt me njëri-tjetrin. Ai ishte gazetar dhe fotograf njëkohësisht dhe vazhdimisht bënte fotografi luftimesh.”-thotë Violeta. Megjithatë kjo do të ishte një miqësi shumë e shkurtër edhe pse asnjë nuk e dinte. Në një ditë të zakonshme si gjithë të tjerat, ku bombardimet nuk mungonin, pyetjes se ku është Mario, vietnamezët do ti përgjigjeshin vetëm me një të ulur të kokës dhe me shtërngimin e buzëve. Mario ishte vrarë. Ishte një djalë i ri rreth të njëzetepestave, një djalë i ri ku në bisedat që bëheshin gjatë momenteve të ngrënies së ushqimit nën pemë, qeshte e tregonte ëndrrat që kishte.

“Do të vij edhe në Shqipërinë tuaj të bukur. Kam shumë dëshirë të vij e të fotografoj rivierën e mrekullueshme shqiptare. Është gjëja e parë që do të bëj pasi të jem kthyer nga Vietnami në Itali. Kështu na thoshte, por nuk arriti që të shkonte as në shtëpinë e tij i gjallë. E mbaj mend edhe sot ditën kur e pamë për herë të fundit tek largohej me aparatin e tij duke na përshëndetur të gjithëve që nga larg.”-tregon Violeta. Kjo ishte vetëm një nga historitë me përfundim tragjik që mbushën atë luftë. Në foton e fundit që kishte bërë Mario për shqiptarët, duket Violeta e zbehur plotësisht, dalë me dy oficerë vietnamezë. Ishte një moment kur bombat e rëna mbi pozicionet vietnameze nuk kishin kaluar pa lënë gjë pas. Kishin vdekur disa persona. Ishte një çast në të cilin Violeta, duke qenë se ishte edhe shumë e re, vetëm 16 vjeç, nuk i rezistoi dot tronditjes. Kjo ishte dhe arsyeja për të cilën, njëri prej oficerëve vietnamezë duke bërë një sforcim të madh, me buzëqeshje në fytyrë, e merr dhe për ti hequr mendjen nga ajo që ngjau i kërkon që të bëjnë një foto.

“Njëri prej këtyre oficerëve, ai në të majtën time, i cili është duke buzëqeshur, mu afrua kur me pa se si më iku gjaku nga fytyra dhe me premtoi se nuk do të lejonte kurrë që ne mysafirëve të na ndodhte ndonjë gjë. Ishte një moment shumë i trishtuar. Ai qeshte e më jepte zemër, por njëri nga ata njerëz që sapo vdiqën nga bombardimi, kishte qenë shoku i tij më i ngushtë. Ishin njerëz shumë të fortë dhe e vlerësonin shumë atë që ne po bënim.”-tregon Violeta duke shikuar foton e vogël që mban në dorë. Megjithatë ndër fotot e atyre ditëve është një foto në të cilën Mario ka fiksuar një moment të veçantë që atij i kishte bërë përshtypje. Është një çast kur është fotografuar nga sipër një transheje vietnameze. Mes helmetave të ushtarëve dallohen Violeta dhe një pjestar tjetër i grupit, Nexhmi Hyka. “Këtu ndodhemi në një repart kundërajror, në bazën HA-BAC. Dhamë koncert dhe një prej vietnamezëve pas një bombardimi të shkurtër u plagos. Është momenti kur vietnamezët na dhanë medalje të gjithëve për guximin e treguar. Duket edhe në foto se si po na vënë në jaka disa distinktive. Ata e quanin nder të madh respektimin që shqiptarët po u bënin.”-vijon ajo. Tani, pas 41 vjetësh nga ato ditë, fotgrafitë risjellin në njëfarë mënyre në jetë atë që i fiksoi në celuloid. Mario italiani ( ata as mbiemrin nuk ja mësuan kurrë) vdiq i ri dhe një prej dëshirave të tretura në ajrin e verdhë të ngopur me erë baruti ishte edhe ardhja e tij në Shqipëri.

Koreanoveriorët: Po ju ku i dini vallet tona??!!

Vendi i tretë aziatik në të cilin do të shkonim për të dhënë shfaqje ishte Korea e Veriut. Edhe aty, ashtu si në të gjitha zhvendosjet që bëmë do të shkonin me tren. Dhënia e shfaqjeve në Kore bëntë pjesë në urdhërin që kishte ardhur për të dhënë koncerte në Vietnam. Bashkë me Vietnamin në hartën ku shënoheshin destinacionet do të shtohej edhe Korea e Veriut. Turneu zgjati rreth njëzet ditë, por nuk krahasohej as me madhështinë kineze dhe as me dinamikën që kishte turneu në Vietnam. U zhvilluan koncerte e pritje nga personalitet më të larta të Koresë, që nga presidenca e deri te njerëzit më të njohur të artit. Natyrisht që kurioziteti për të parë miqtë evropianë nuk mungonte. Larmishmëria e kostumeve dhe e valleve tona popullore arriti që të shkëpusë duartrokitje, por nuk ishte kjo ajo që la pa fjalë koreanët. Ata nuk dinin që shqiptarët fshihnin diçka që do ti habiste. “Në Kore dhamë koncert në sallën më të madhe të teatrit të kryeqytetit. Në repertorin tonë ne kishim edhe kërcime koreane, të cilat i kishim mësuar në Shqipëri pasi në atë kohë na kishin sjellë disa pjesë koreografike koreane. Normalisht që aty ishte vendi i duhur për ti vënë në përdorim. Koreanët lëvizën nga vendi kur na panë duke kërcyer vallet e tyre tradicionale.

–Po ju ku i dini kaq mirë kërcimet tonë-thoshin.”-kujton Violeta duke qeshur. Vizita nëpër qytete,koncerte, fotografi dhe takime me miqtë e Koresë. Në këtë mënyrë kaluan e u mbushën ditët e turneut korean. Ishte vendi i fundit aziatik në të cilin do të jepnin koncert dhe pas tij do të ktheheshin në bazë, në Kinë. Më pas udhëtimi do të vijonte në të njëjtën mënyrë që ishte kryer kur erdhën. Në Shqipëri do të dilnin që nga Mehmet Shehu e deri te familjarët për ti pritur në aeroport. Shteti shqiptar do ti jepte urdhërin Naim Frashëri i Klasit të dytë Ansamblit të Ushtrisë. Kjo ishte historia e atyre ditëve mbushur me art, luftë, fotografi e pse jo dhe me nostalgji./Pamfleti

ansambli i ushtrisë llogoret e luftës

Lini një Përgjigje