TAGS-AT E JAVËS

Kulture28 Shtator 2024, 13:12

“Kur kërcyem “vallen e shqipeve” para Mao Ce Dunit”, rrëfimi i Artistes së Merituar, Violeta Gjora

Shkruar nga Afrim Imaj

 “Kur kërcyem “vallen e shqipeve” para Mao Ce

Si kërceva 12 minuta vals me Çu En Lain

Pjesa e Parë

Ritmet e “Valles së Shqipeve” para disa dekadash në prani të udhëheqjes së lartë, në një nga sallat më komode të Pekinit, do të magjepsin Mao Ce Dunin, që aty për aty do t’i vlerësonte si një nga mrekullitë më të mëdha të ofruara nga miqësia me Shqipërinë dhe shqiptarët. Si rrallë ndonjëherë, kreu i Kinës komuniste do të ulej pastaj e do të shkruante në librin e shfaqjeve për “çastet e shkëlqyera në shoqërinë e valles shpërthyese”. Në momentet e mëtejshme, Mao Ce Duni do t’i përqafonte me radhë artistët që i kishte çuar nga larg “vëllai i tij, Enver Hoxha” dhe do ta shfrytëzonte këtë rast për t’i dërguar atij të fala të përzemërta...

Për herë të parë, një nga protagonistët e turneut artistik që zhvilloi Ansambli i Ushtrisë në vitin 1965 në Lindjen e Largët, rrëfen të plotë historinë e çuditshme me të papriturat e shumta të atij shtegtimi jo të zakonshëm të artistëve shqiptarë. Çastet befasuese mes “vëllezërve”, dekoret me të verdhën e pjekur në skenat e ndryshme, duartrokitjet e ngrohta të udhëheqësve të lartë, valsin origjinal të Çu En Lait me “artistet shqiptarka”, pritjen e Mao Ce Dunit, marshet partizane mbi trashet e luftës të ushtarëve vietnamezë, dhuratat miqësore të Oshiminit, habinë e koreano-veriorëve për përvetësimin e artit të tyre nga shqiptarët dhe mjaft përjetime të tjera të mbushura me emocion, art, respekt, miqësi, duartrokitje, keqardhje, gjak, luftë, lot, dhimbje etj. E gjithë kjo për Artisten e Merituar, Violeta Gjura, është koleksionuar në kujtesë si një pjesë e veçantë e karrierës artistike, por edhe jetëshkrimit që përmbledh tashmë shtatëdhjetë vite. Ndërsa i bashkëngjitej përpara 60 vitesh grupit prej 150 artistëve, që do të merrnin pjesë në atë turne të largët kur ishte vetëm 20 vjeçe dhe dilte për herë të parë nga Shqipëria, por edhe vendlindja, Gjura nuk do të shkëputej për asnjë çast nga ai rrugëtim i gjatë, që nga Muri i Madh Kinez e deri te trashet e përgjakura të frontit të luftës në Vietnam. Takimet me Mao Ce Dunin, Hoshiminin, valsi me Çu En Lain, kishin qenë të papritura e befasuese, ndërkohë që në Tiranë fati i kishte rezervuar një takim vetëm me kryetarin e frontit të lagjes(!) Fotot nga ato çaste fatlume për Violeta Gjurën i kapërcenin kufijtë e kujtimeve të zakonshme, por gjithsesi nuk do të vijonin gjatë kësisoj, pasi aty nga fundi i viteve ‘70 do të vinte divorci historik dhe diçka do të binte nga “aksionet” e atyre vegimeve mbresëlënëse....

Nisja: Këngët shqiptare që do të përshëndesnin çlirimin e Kinës

“Ne ishim shqiptarët, që do të merrnim pjesë në festën e Kinës”. Kështu e nis rrëfimin e saj për turneun drejt Lindjes së Largët Artistja e Merituar, Violeta Gjura, ndërsa kujton çastet e nisjes në atë shtegtim të largët. Ishin ato vitet e miqësisë së ngushtë shqiptaro-kineze, madje periudha më e nxehtë e tyre, e për rrjedhojë do të vazhdonin në të njëjtën linjë edhe marrëdhëniet kulturore. Këtë radhë ishte ftesa e kinezëve për një prani të artistëve shqiptarë në festën e çlirimit të tyre ajo që vuri në lëvizje palën tonë, për të formësuar një grup të zgjeruar me njerëz të artit, të cilët do të kishin privilegjin për të përshëndetur jubileun e miqve aziatikë...

Dhe kështu, një ditë shtatori të vitit 1965, grupi prej 150 artistësh i Ansamblit të Ushtrisë, do të hipte në Rinas në bordin e një avioni, për të lënë pas hapësirën shqiptare e për t’u drejtuar në stacionin e radhës, Budapest. Instrumentistë, këngëtarë, valltarë e koristë, që deri atëherë kishin interpretuar vetëm për njerëzit e uniformave të blerta dhe kishin demonstruar në Dekadat e Majit në Tiranë zhanre të ndryshme të artit, tashmë do të kishin rast të provonin talentin e tyre në një mjedis tjetër, madje në një jubile të veçantë. “Në prag të nisjes na thanë se turneu ynë do t’i destinohej fund e krye festës së Kinës dhe koncertet do të ishin vetëm në Pekin”, kujton Violeta...

Stacioni i parë do të ishte Budapesti. Ai do të ishte për artistët shqiptarë edhe fillimi i një rrugëtimi të gjatë e të lodhshëm drejt Lindjes së Largët. Stacioni i dytë do të ishte Moska, aty do të ndërroheshin edhe trenat e udhëtimit. Ishte koha kur kishte perënduar dashuria me gjigandin e komunizmit dhe shqiptarët që udhëtonin për në Kinë ishin instruktuar që mos t’i kushtonin vëmendje çasteve të qëndrimit në vendin e sovjetëve. “Në ato vite nuk kishim marrëdhënie të mira me BRSS,- kujton Artistja e Merituar Violeta Gjura,- prandaj edhe nuk prisnim gjë nga të zotët e shtëpisë. Në Moskë na pritën ata që na kishin ftuar, kinezët, të cilët ishin përkujdesur për gjithçka dhe ne nuk na mbetej gjë tjetër vetëm sa të ndërronim trenin, për të vijuar pastaj vetëm me të, pa zbritur fare në tokë, deri në destinacion”. Për mjeshtren e valleve që ka pasur rastin të jetë pjesë e atij turneu, kanë qenë të veçanta çastet e provave në vagonët e trenit. Njeriu që kishte marrë porositë nga udhëheqja në Tiranë këmbëngulte për të përqendruar në repertor të shfaqjes këngë marciale, marshe, himne partizane dhe valle kryesisht me karakter luftarak. Edhe provat destinoheshin përgjithësisht rreth këtyre gjinive. “Marrshi i Brigadës së Parë”, “Himni i çlirimit”, “O i vogël o partizan”, “Vallja e shqipeve”, “Parti e Punës, Parti e trimave”, ishte një pjesë e reporterit që ishte përcaktuar nominalisht qysh në Tiranë. Për herë të parë Shqipëria socialiste “eksportonte” për te miqtë e të njëjtës ideologji matanë stepave të Azisë një pjesë të artit të saj të motivuar madje si tematikë qysh në vitet e luftës nacionalçlirimtare.

Gjithsesi, ata djem e vajza që kishin marrë këtë mision jo të lehtë ndiheshin të sigurt e të vendosur për realizimin e tij, edhe pas shumë të papriturave e vështirësive të atij rrugëtimi të gjatë e të lodhshëm, që zgjati gati një muaj përgjatë gjithë Siberisë dhe Mongolisë...

Prezantimi në festë: “Na nderojnë me praninë e tyre djemtë dhe vajzat e Enver Hoxhës!”

Më në fund, shqiptarët që shkuan për të nderuar festën e Kinës Popullore, mbërritën në Pekin në ditën e caktuar. Çdo gjë në mikpritjen për mysafirët e largët do të ishte perfekte. Një protokoll special do të rezervohej për ta sidomos të nesërmen, ditën e festës, ku do të befasoheshin me dimensionet e paimagjinueshme të saj. Surprizë për të ftuarit nga Tirana do të ishte prezantimi i tyre në mikrofonin e festës nga një prej personaliteteve të larta të Partisë Komuniste, zëri i të cilit do të kumbonte anë e mbanë sheshit të madh: “Na nderojnë me praninë e tyre djemtë dhe vajzat e Enver Hoxhës, që kanë ardhur nga Shqipëria, mijëra kilometra larg!”...

“Ishte diçka madhështore,- tregon Artistja e Merituar, Violeta Gjura, e çuditshme dhe e paparë ndonjëherë. Bukuritë dhe vezullimet e jashtëzakonshme kishin pushtuar sheshin e madh dhe tërë Pekinin. Parakalime kuadratesh pa fund, demonstrime aerobike, shfaqje, kërcime, cirk, lule e drita shumëngjyrëshe nga të gjitha anët. Një peizazh i stërmadh në një lëvizje e dinamikë plot ritëm”. Për vajzën nga Shqipëria dhe kolegët e saj ky do të ishte një privilegj i papërsëritshëm. Të vendosur në qendrën e një podiumi të madh, ku ishte sistemuar udhëheqja kryesore e Partisë dhe e shtetit, ata patën rastin t’i ndiqnin nga afër dimensionet gjigande të festës që i kushtohej jubileut të çlirimit dhe do ta memorizonin pastaj si një ngjarje të rrallë...

Gjithsesi, orët e festës do të rridhnin pa u ndjerë, për t’i lënë radhën programit tjetër me pritje, koncerte, vizita, shfaqje e takime me artistë e personalitete të larta të artit e kulturës kineze. Plotë katër muaj do të vazhdonte kësisoj një turne me një intensitet të lartë dhe me një larmi të gjerë veprimtarish, që do të përshkruanin gati tërë gjeografinë e Kinës. Ndërsa u rikthehet tani pas 60 vjetësh përjetimeve nga to, Voleta Gjura ka dëshirë të rrëfejë duke shfletuar një album të madh me fotot bardhë e zi nga veprimtaritë e atyre ditëve. Në shënimet pas tyre, veç identifikimit të njerëzve që kanë pozuar, është edhe një kronologji e detajuar ku janë nënvizuar ditët dhe emrat e vendeve me të cilat janë të lidhura ngjarjet nga turneu i paharruar. Teksa ndalon në njërën nga fotot ku dallohet trupi elegant i një valltareje kineze, Violeta saktëson se ajo ishte kërcimtarja më e mirë e Kinës gjatë asaj periudhe. “Eshtë pikërisht protagonistja kryesore e valles së famshme “Vajza e thinjur”, e cila asokohe, madje edhe për shumë vite me radhë, u bë një nga emrat e mëdhenj të artit kinez”, shton Violeta. Artistes shqiptare i ka qëlluar të rrijë për ditë të tëra me të. Interesimit të saj për kërcimtaret shqiptare i është përgjigjur, se trupa e tyre është në fillimet e veta dhe mund të përfitojë shumë nga përvoja e motrave nga Kina. “Vajza e thinjur” i ka deklaruar se do të ishte e lumtur të kërcente në skenat shqiptare e të punonte për të ndihmuar koleget, që sa kishin filluar ta ngrinin këtë lloj arti...

“Albania”, “Albania”,”Hoxha”,”Hoxha”, refreni që na ndiqte ngado

Për ditë e javë të tëra 150 artistët shqiptarë “mysafirë” në Kinë do të përshkonin të gjitha qytetet kryesore dhe do të gjenin ngado një mjedis të ngrohtë e vëllazëror. Përkujdesja për ta do të ishte drejtpërdrejtë nga maja e piramidës së Partisë Komuniste që e vlerësonte turneun e miqve të largët shumë herë më tepër se një gjest kulturor. “Albania” “Albania” “Hoxha” “Hoxha”, ishte refreni që na ndiqte kudo, kujton Violeta përshëndetjet e grupeve të ndryshme që aty për aty e identifikonin Shqipërinë me emrin e liderit të Partisë Komuniste, Enver Hoxha...

Ditë pas dite repertori i artistëve shqiptarë do të zgjeronte larminë e vet. Në mjaft raste këngët e vallet tona do të ndërthureshin me ato të kinezëve, dhe artistët nga Shqipëria do të bëheshin herë interpretues në skenë e herë spektatorë në sallë. Do vazhdonte kështu, jo pak, por gati katër muaj pa ndërprerje. Dhe ishte vetëm fillimi i një turneu që do të vijonte më tej, me të tjera impresione dhe të papritura. Mjeshtret nga Shqipëria do të dinin si të fitonin duartrokitjet e kinezëve, që nga njerëzit më të thjeshtë deri te anëtarët e udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste. Nga më të bukurat dhe më të veçantat do të mbeteshin vizitat te Muri i Madh kinez, koncertet në sallat e qendrave të mëdha industriale në Shangai, Pekin dhe në ato të dhjetëra qyteteve nga më të mëdha të gjigandit aziatik. Gjithsesi, monotonia e shfaqjeve për “vëllezërit” kinezë një ditë do të ndërpritej, ndërkohë që artistët e ambientuar tashmë me mjedisin e ri do të njiheshin me një program të ri, për të cilin deri në ato momente nuk dinin gjë. Mijëra kilometra larg prej tyre, në Tiranë, sapo ishte dhënë një urdhër i cili ndryshonte planet e Ansamblit. Itinerari nuk ishte më ai i pari. Destinacioni kishte ndryshuar. Tashmë artistët nga Shqipëria do të udhëtonin për një turne në Vietnam, madje në zonat e luftimit. Dhe prej andej do të riktheheshin sërish në Kinë...

Viti i Ri në Pekin. Kinezët ndryshojnë traditën shekullore për shqiptarët

Rikthimi në Kinë pas turneut në llogoret e luftës në Vietnam, ishte edhe më i bukur, kujton Violeta. Për kinezët tashmë shqiptarët që guxuan të shkonin e të këndonin në frontin e bombardimeve, nuk ishin thjesht artistë, por edhe heronj. Në rrëfimin e mëtejshëm, valltarja që kërcu nën breshërinë e plumbave, vë në dukje surprizën e rrallë që rezervuan kinezët atë fund dhjetori, duke organizuar enkas për ta festën e Vitit të Ri, ndërkohë që për vete festën e ndërrimit të viteve e kanë sipas një kalendari tjetër, që korrespondon me një tjetër datë.

“Në atë mbrëmje të madhe kishte ardhur vetë Mao Ce Duni, kujton Violeta dhe na takoi me përzemërsi një nga një me radhë.Mbaj mend interesimin e tij për zhvillimet në Shqipëri dhe shëndetin e Enver Hoxhës, që sipas kreut të Kinës, “ishte një udhëheqës i madh i një vendi të vogël. ”Ndenji për orë të tëra bashkë me ne. Në krahë të tij ishin edhe shumë udhëheqës të tjerë të lart. Kënduam e kërcyem për orë të tëra motive shqiptare e kineze në prani të tyre. Mao ndiqte i përqendruar sidomos vallet, pasi me sa dukej nga këngët nuk mund të kuptonte gjë. Arriti një çast në mbarim të “Valles së shqipeve” që nuk mundi të përmbahej dhe u çua në këmbë duke duartrokitur pa ndërprerje. Nga aq sa fliste ato momente, përkthyesi na thoshte se na përshëndeste me fjalët “Ju lumtë!” “Bravo!”...”

Deri në të gdhirë 150 shqiptarët e atij turneu jo të zakonshëm do të përcillnin vitin e vjetër dhe do të përshëndesnin të riun, në një atmosferë të papërjetuar ndonjëherë. Vet Mao Ce Duni në fund do të kujtohej për t’u bërë nga një dhuratë simbolike çdonjërit. Pastaj shqiptarët do të mësonin fjalën kineze “Gëzuar!” dhe do t’u drejtoheshin me të miqve që i kishin nderuar mrekullisht. Të njëjtën gjë do të bënte edhe Mao, që aty për aty përkthyesi do t’i mësonte në shqip urimin “Gëzuar!”, dhe pasi do të përqafohej me ta do të largohej i qetë e entuziast...

Gjora: 12 minuta kërceva vals me Çu En Lain

Nuk është e rastit që Artistja e Merituar, Violeta Gjura, veçon nga përjetimet e turneut katërmujor në vendet e Lindjes së Largët vallëzimin 12 minuta me Çu En Lai. Partneri jo i zakonshëm, kryeministri i Kinës që kishte iniciuar një mbrëmje të përbashkët të miqve shqiptarë me kolegë të tyre të Pekinit ishte çuar i pari dhe i kishte kërkuar me mirësjellje valltares Gjura të vallëzonin vals bashkë...

Teksa u rikthehet emocioneve të atyre çasteve të veçanta, kërcimtarja që u duartrokit nxehtësisht gjatë turneut në skenat kineze, kujton rrjedhën e atij vallëzimi me partnerin Vip që pakkujt mund t’i shkojë ndërmend se ishte i pasionuar pas vallëzimeve. ”Ai kërcente shumë bukur dhe dukej që e kishte pasion vallëzimin. Vazhdimisht diçka më thoshte në gjuhën e vet dhe bënte kujdes për të ruajtur ritmin. Herë pas here më tërhiqte vëmendjen për të parë vajzat kineze duke kërcyer me djemtë tanë dhe mërmëriste nëpër dhëmbë diçka që aty këtu e përziente me shqiptimin “Mao Ce Dun”. Në fund të valsit, që zgjati plot 12 minuta, zgjati dorën te një pemë aty pranë, këputi një lule prej saj dhe ma dhuroi me përzemërsi. Kur po uleshim mori përkthyesin dhe filloi të më shprehë falënderime të sinqerta për vallëzimin, por edhe turneun, që e vlerësonte tepër të suksesshëm. Më tha se Kina e tyre kish filluar të mendonte për të bërë vepra madhështore për shqiptarët, se shumë shpejt do të dërgonin tek ne avionët dhe tanket e parë që ishin modernë për kohën etj. Kur po largohej më porositi t’u bëja të fala Enverit dhe Mehmetit, dy njerëzve, sipas tij që do ta bënin Shqipërinë kopsht me lule...

Ishte kjo mbrëmja, përmbyll rrëfimin Artistja e Merituar, Violeta Gjura, që do të përkonte me mbylljen e turneut artistik në Kinë. Pas saj, në dhomat e hotelit në qendër të Pekinit, artistët shqiptarë i prisnin dhuratat tradicionale, të realizuara me përkujdesjen e drejtpërdrejtë të udhëheqjes së lartë kineze. Tashmë për misionarët e këngës dhe valleve kishte ngelur edhe stacioni i fundit, Korea e Veriut. Dhe do të vazhdonin përsëri në tren, përsëri në rrugëtim...

Kush është Violeta Gjora?

Artistja e Merituar, Violeta Gjora, ka lindur në vitin 1944. Që nga viti 1958 deri në vitin 1990 ka punuar kërcimtare-soliste në Ansamblin Artistik të Ushtrisë, Tiranë. Pranë këtij institucioni filloi punë në moshën 13-vjeçare dhe gjatë një karriere artistike 32-vjeçare ka realizuar me dhjetëra valle si soliste e kërcimtare, në interpretimin e të cilave ka spikatur për origjinalitet dhe profesionalizëm të lartë. Numri i koncerteve në të cilat ka demonstruar artin e saj të preferuar arrin shifrën 6300 dhe i përket një gjeografie të larmishme në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Për vite e dekada të tëra ka qenë protagonistja kryesore e grupit të valltarëve të Ansamblit të Ushtrisë, ndërkohë që ka kontribuar me përvojën dhe aftësitë e saj profesionale në reporterin e gjerë të trupës së Ansamblit Kombëtar të Këngëve e Valleve, të ansambleve popullore të Tiranës, Beratit, Fierit, Korçës, në përbërje të të cilave ka interpretuar jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe jashtë shtetit si në Turqi, Suedi, Norvegji, Danimarkë, Bullgari, Itali, Jugosllavi, Rumani, Siri, Egjipt, Kinë, Vietnam, Kore etj. Me natyrën e saj modeste, me thjeshtësinë karakteristike dhe zërin e qetë, është e respektuar në rrethin e gjerë të artistëve, por edhe të atyre që e njohin. Mban mjaft urdhra e medalje të klasave të ndryshme për figurën e shkëlqyer që ka demonstruar në artin e valles dhe kërcimit. Në vitin 1978 i është dhënë titulli i nderit "Artiste e Merituar"./Pamfleti

Pjesa në vijim

Urdhri i Enver Hoxhës për të zgjeruar gjeografinë e turneut në Lindjen e Largët. Marshet shqiptare në llogoret e ushtarëve vietnamezë. Bombardimi ajror që ndërpreu në mes këngën “O i vogël o partizan”

Artistët shqiptarë tre orë në pallatin presidencial në Hanoi. Mirënjohja e Hoshiminit për mbështetjen e shtetit tonë në luftën e popullit vietnamez

Të papriturat e rrugëtimit për në Korenë e Veriut. Çudia e koreanëve për interpretimin e këngëve dhe valleve të tyre nga artistët tanë. Kthimi pas katër muajsh dhe përshëndetja e veçantë e Mehmet Shehut

violeta gjora

Lini një Përgjigje