TAGS-AT E JAVËS

Kulture29 Dhjetor 2025, 17:13

Brigitte Bardot, ikona që nuk kërkoi kurrë falje!

Shkruar nga Pamfleti
Brigitte Bardot, ikona që nuk kërkoi kurrë falje!
Brigitte Bardot

Trashëgimia e pamundur e Brigitte Bardot

Do të ketë breza që nuk do të dinë vërtet kush ishte Brigitte Bardot. Për shumëkënd, ajo do të mbetet thjesht një emër i përmendur me ironi, një referencë pop pa kontekst. Por shumë pak do të kuptojnë çfarë përfaqësonte Bardot kur shpërtheu në skenë në vitet ’50, në një Evropë të mbyllur, konservatore dhe të plagosur nga Lufta e Dytë Botërore.

Bardot nuk shpjegonte, nuk justifikohej, nuk kërkonte leje. Thjesht ekzistonte. Dhe kjo mjaftonte për të provokuar, për të tërhequr, për të tronditur. Sensualiteti i saj nuk ishte i ëmbël apo i padëmshëm, ishte një shpallje e lirisë, që sfidonte njëkohësisht vështrimin mashkullor dhe moralin shoqëror.

Brigitte Bardot, ikona që nuk kërkoi kurrë falje!

Lindur në Paris më 1934, e rritur në një familje borgjeze të rreptë, Bardot ndoqi mësime baleti dhe ëndërronte për një karrierë në Operë. Por jeta mori një drejtim tjetër kur u fotografua e re për një revistë mode. Fillimisht mori role të vogla në kinema, por prania e saj në ekran ishte ndryshe – e egër, e lirë, e pakategorizueshme.

Një grua që nuk kërkonte falje për dëshirën

Filmi që i ndryshoi jetën ishte “Dhe Zoti... krijoi gruan” (1956). Roli i Juliette nuk ishte thjesht skandaloz, por revolucionar: një grua që e jeton dëshirën pa faj, që nuk ndëshkohet për lirinë e saj. Filmi u censurua, u kritikua, por Bardot u bë menjëherë ikonë botërore. Për herë të parë, sensualiteti nuk vinte nga distanca aristokratike, por ishte trupor, i ndjeshëm, i shqetësuar.

Brigitte Bardot, ikona që nuk kërkoi kurrë falje!

Në vitet që pasuan, ajo punoi pa ndalur. Nga drama e fortë në “La Vérité” ku luan një grua të akuzuar për vrasje, tek reflektimi meta-kino në “Le Mépris” të Godard, Bardot provoi se ishte më shumë se një simbol seksual. Edhe në komeditë si “Viva Maria!” me Jeanne Moreau, tregoi një ironi që shpesh u nënvlerësua.

Nga ikonë kinemaje në forcë politike për mbrojtjen e kafshëve

Bardot ndikoi modën, stilin dhe kulturën vizuale: flokët e lëshuar, buzëkuqi natyral, këpucët balerina, bikinit, gjithçka në të u kopjua. Por fama, për të, ishte një kurth. Jetën private ia shkelën fotografët, dhimbjet e saj, nga shtatzënitë e padëshiruara te tentativat për vetëlëndim, u bënë konsum publik. Ajo nuk e ndiente më veten si pronare të trupit të vet. Ishte kthyer në imazh, jo në njeri.

Brigitte Bardot, ikona që nuk kërkoi kurrë falje!

Në vitin 1973, në kulmin e karrierës, në moshën 39-vjeçare, Bardot vendos të largohet përfundimisht nga skena. Refuzon çdo rol të ri. Nuk ka nostalgji. Nuk do të shihet më si “objekt”. Ky vendim e dallon nga shumë aktore të kohës së saj, është një akt lirie, jo tërheqje.

Prej asaj kohe, Bardot e ktheu veten në aktiviste radikale për të drejtat e kafshëve. Në vitin 1986 themeloi fondacionin që mban emrin e saj, sot një nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve. Ajo nuk foli si fytyrë reklamuese, por si militante. Gjuhë e drejtpërdrejtë, pa filtra, shpesh e ashpër.

Një ikonë e pakomodueshme, që nuk u zbut kurrë

Qëndrimet e saj mbi emigracionin, fenë dhe identitetin kombëtar e çuan në gjyq dhe e bënë figurë të përçarë. Por Bardot nuk kërkoi kurrë ndjesë. Nuk u përpoq të ndajë ikonën nga aktivistja. Dhe nuk u struk pas emrit të saj.

Brigitte Bardot, ikona që nuk kërkoi kurrë falje!

Në vitet e fundit jeton e tërhequr, në shtëpinë e saj në jug të Francës, e rrethuar nga kafshët që mbron. Nuk përdor botoks, nuk fshihet pas nostalgjisë, nuk i trembet plakjes. Rrudhat janë forma e saj e rezistencës. Bardot nuk u bë kurrë një “e bukur e dikurshme” e domestikuar nga kujtimet, mbeti e egër, kontradiktore, e papërshtatshme.

Ajo vdiq siç jetoi: pa kërkuar të kuptohej, pa kërkuar falje. /Përshtatur nga “Inside Over”

brigitte bardot ikona e kinemase

3 Komente

  1. P
    Patricia Plani

    Brigitte Bardot është një nga artistet me të preferuara të kohës sonë,të viteve 60-70.zako ishte një idhull per brezin tonë. Jeta e artistëve,në atë periudhë,nuk ka qenë e kollajtë.Femrat e bukura kanë qenë të lakmuara nga të gjithë meshkujt artiste,rregjizore e superior të hollivudit.Mashkulli lakmues është edhe abuzues.Kot nuk është shkeputur Brigitte nga kinematografia dhe i është përkushtuar kafsheve sepse vetëm tek ato ka gjetur dashurinë naive te sinqerte pa hile të cilën nuk e ka gjetur tek njeriu. Të më falin disa nga meshkujt që bëjnë përjashtim por gjinia mashkullore është e eger e dhuneshme deri në krim karshi femres,kur don të plotesoje tekat e tija mashkullore.Mashkulli është qenie e veçantë,nuk ka lidhje fare me gjinin femerore.Por ja që,në shoqërinë njerëzore duhet të bashkejetojne këto dy krijesa të ndryshme.

    1. A
      A. B.

      Vitet 60. Koha e artë, kur bota kish shpëtuar nga egërsia e luftës dhe e kishte marrë veten. Koha kur rusët nisën të respektojnë amerikanët dhe amerikanët rusët. Pastaj kapitalizmi vrau më të mirin e presidentëve, Kenedin, dhe komunizmi flaku më të mirin e sekretarëve Hrushçovin. Dhe tashti kemi ata që meritojmë halabakun Tramp, kriminelin Putin dhe ne palaçon Rama.

      1. p
        putini

        ok, patricia por jo 100%

        Lini një Përgjigje