Pas triumfit në Festivalin e Këngës me këngën “Nân”, këngëtari Alis Kallaci është përballur me akuza në rrjetet sociale se materiali muzikor mund të ishte i kopjuar.
I ftuar në emisionin “Dita Jonë”, Alis i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara.
Këngëtari u shpreh se nuk ka pasur asnjë arsye për t’u përfshirë në replika, pasi sipas tij, këngët janë “nata me ditën” dhe nuk ekziston asnjë shkëmbim apo frymëzim mes tyre. “Nuk ka pasur asnjë replikë, sepse nuk ka diçka të tillë. Ishte e panevojshme,” tha Alis.
Ai shtoi se përqafimi i publikut dhe reagimi pozitiv ndaj këngës janë përgjigjja më e fortë ndaj çdo akuze. Sipas Alisit, zërat për kopjim mund të jenë pjesë e një sulmi të organizuar ose një “antifushate” nga kundërshtarët, por ai ka zgjedhur të mos ndalet tek kjo pjesë.
“Nuk jam ulur të mendoj kush e nisi dhe pse. Vendosa të fokusohem te gjërat e rëndësishme: performanca, përgatitja vokale dhe rrugëtimi i këngës,” shtoi ai, duke theksuar se energjinë e tij e kanalizon vetëm aty ku i shërben.
Në fund, Alis falënderoi publikun për mbështetjen dhe ritheksoi se “Nân” meriton të mbështetet edhe në garën e Eurovizionit, duke e konsideruar këtë një moment krenarie dhe përgjegjësie të madhe artistike.
Lini një Përgjigje