
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan, për dënimin me burg për jetë të Ramis Micit, i vili vrau me thikë, në korrik të 2022, bashkëjetueses së tij Jetlira Elezin.
Gjykata e Elbasanit e dënoi me burgim të përjetshëm duke e deklaruar fajtor për veprën penale “vrasje për shkak të rrethanave familjare”.
Si ndodhi ngjarja?
Jetlira Elezi, 37-vjeçe mbeti e vdekur në vend pasi u godit me thikë nga bashkëshorti i saj 37-vjeçari Ramis Mici. Ngjarja e rëndë ndodhi në 30 korrik 2022 në Elbasan në një banesë që çifti kishte marrë me qira në lagjen ‘Skëndërbej’. Pronarët e banesës ishin të parët që gjetën gruan e pajetë në mes të dhomës. Sipas pronarit Xhafer Zdrava, dhoma e gjumit ishte e mbushur me gjak, ndërsa 37-vjeçarja ishte gjetur e vdekur në afërsi të dhomës së ndenjës.
Vrasja ka ndodhur për shkaqe xhelozie, ndërsa 37-vjeçari e kishte dhunuar të ndjerën disa ditë para vrasjes dhe i kishte thyer telefonin. Jetlira kishte gjetur mënyrën për të telefonuar policinë për shkak të dhunës dhe Ramis Mici ishte shoqëruar nga efektivët e Elbasanit, por më pas ishte lënë i lirë.
37-vjeçarja kishte kërkuar urdhër-mbrojtje dhe e kishte marrë atë. Në një reagim, policia sqaroi se i ishte kërkuar që të bënte kallëzim, por Elezi kishte kërkuar vetëm urdhrin e mbrojtjes pasi donte të qëndronte larg tij. Kur janë larguar nga komisariati, kanë qëndruar në apartamente të ndara.
Të dy vinin nga martesa të cilat kishin përfunduar në divorc dhe kishin nga dy fëmijë nga lidhjet e mëparshme. Jetlira mbante një nga fëmijët e saj, vajzën, ndërsa fëmijët e Ramisit mbahen nga ish e shoqja.
37-vjeçarja kishte dërguar të bijën tek ish-bashkëshorti, ndoshta për faktin se ishin ndjerë të kërcënuara nga bashkëjetuesi i saj.
Lini një Përgjigje