TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Mars 2024, 10:10

Zbardhen detaje nga atentati ndaj avokatit në Memaliaj, policia gjen armën dhe thesin me fishekë në pyll

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhen detaje nga atentati ndaj avokatit në Memaliaj, policia gjen
Avokati Andrea Zotaj

Policia e Gjirokastrës ka dhënë detaje nga atentati i dështuar mbrëmjen e djeshme ndaj avokatit Andrea Zotaj dhe nipit të tij në Memaliaj.

Policia njofton se menjëherë pas denoncimit se në fshatin Qesarat ishte qëlluar me armë zjarri në ajër, oficerët arrestuan autorin e sulmit 41-vjeçarin Fatos Lamaj, banues në Memaliaj.

Sipas policisë, për motive të dobëta Lamaj ka kërcënuar me armë avokatin A. Z., 54 vjeç dhe nipin e tij  E. Z., 34 vjeç, të dy banues më fshatin Anë Vjosë.

Më pas, ai ka fshehur armën e zjarrit, në një zonë të pyllëzuar, në fshatin Qesarat. Arma u gjet dhe u sekuestrua nga blutë, së bashku me fishekë.

"Menjëherë pas njoftimit të marrë më datë 28.03.2024, rreth orës 19:30, se në fshatin Qesarat, ishte qëlluar me armë zjarri, në ajër, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e autorit/ëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të këtij rasti, shtetasin F. L., 41 vjeç, banues në Memaliaj. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri (pushkë), në ajër, me qëllim kanosjen e shtetasve A. Z., 54 vjeç dhe E. Z., 34 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit, të dy banues më fshatin Anë Vjosë. Më pas, ai ka fshehur armën e zjarrit, në një zonë të pyllëzuar, në fshatin Qesarat.

Arma e zjarrit u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me disa fishekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.

Zbardhen detaje nga atentati ndaj avokatit në Memaliaj, policia gjen
Arma dhe fishekët e sekuestruar

Sipas avokatit Zotaj, Lamaj ka tentuar ta ekzekutojë, por fati ka qenë me të, pasi përmes një manovrimi të rrezikshëm të automjetit që drejtonte arriti t'i shmangej goditjeve të plumbave të shkrehura nga ana e agresorit Lamaj.

Zotaj është shprehur se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës pasi 2 netë më parë agresori ishte kapur nga policia dhe ishte mbajtur 1 ditë në paraburgim duke e liruar më pas, për shkak të një konflikti me një të afërmin e tij. Avokati ka treguar si ka arritur që t’i shpëtojë plumbave.

“Kur e pashë Fatos Lamajn me armë ndeza dritat e gjata për ta verbuar. Më pas u largova në kthesë dhe bëra denoncimin në polici”, mësohet të ketë thënë ai.

Lini një Përgjigje