Gjykata e Vlorës ka lënë në burg dy punonjësit e hotelit në Dhërmi 33 vjeçarin Daniel Qose dhe 30 vjeçarin David Lart.
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" për dy punonjësit Daniel Qose 33 vjeç dhe David Lart 30 vjeç, të cilët ndihmuan për të fshehur provat për vrasjen e 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi.
Ata eliminuan sendet personale, veshjet, telefonin dhe çdo gjë tjetër që do ishte provë, duke i djegur në furrën e picave.
31-vjeçari Eraldo Nevruzi u ekzekutua nga 43-vjeçari Gerald Shehu në Hotel Greccia në Dhërmi.
Seanca gjyqësore është drejtuar nga gjyqtare Dorina Stroka dhe prokurore Vijuna Mata, ndërkohë që gjykata ka shprehur vlerësimin e ligjshëm të arrestit dhe masën e sigurisë "arrest në burg".
Të dy autorët kanë shprehur pendesë për veprimin e kryer, duke thënë se kanë qenë nën kërcënimin e armës.
Trupi i 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi u gjet pak pas mesnatës së të mërkurës së 6 Qershorit në një gurore në afërsi të fshatit Vuno.
Ka qenë vetë autori i dyshuar i krimit të rëndë që gjatë marrjes në pyetje në Greqi, ku edhe u arrestua në aeroportin e Korfuzit në tentativë për të udhëtuar në Spanjë me destinacion Anglinë, i cili ka treguar se ku kishte hedhur trupin e viktimës.
43-vjeçari Gerald Shehu “zhduku” trupin e pajetë të Eraldo Nevruzit i ndihmuar nga dy punonjësit e hotelit, 33-vjeçari Daniel Qose dhe 30-vjeçari David Larti.
Si ndodhi vrasja?
Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnatës së të mërkurës rreth orës 00:30 në ambientet e hotelit “Greccia” në Dhërmi. 43-vjeçari Gerald Shehu (bashkëpronar i hotelit në fjalë) për arsye ende të paqarta ka ekzekutuar me armë zjarri recepsionistin e hotelit Eraldo Nevruzi 31-vjeç.
Sipas policisë, Shehu e ka qëlluar me armë në një nga dhomat e hotelit, pasi ai kishte marrë turnin dhe pasi ka zhdukur trupin, është arratisur drejt vendit fqinj, Greqisë. Autori dyshohet se u arratis me një makinë tip “Audi”, e cila u gjet afër portit në Sarandë dhe më pas udhëtoi drejt Qafë Botës, i ndihmuar nga persona të tjerë.
43-vjeçari kishte destinacion përfundimtar Anglinë por është kapur në aeroport nga Policia greke me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.
Nga hetimet e deritanishme thuhet se dy janë pistat paraprake të hetimit: një për konflikt banal të çastit dhe tjetra për njohje të mëparshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli ku të dy, viktima dhe autori jetonin e punonin.
Ndërkohë, para trupës gjykuese, Shehu ka deklaruar se ka qëlluar për vetëmbrojtje pasi viktima e ka sulmuar dhe ofenduar i pari, ndërsa ka kërkuar që të mos kthehet në Shqipëri pasi i rrezikohet jeta.
Ndërkohë autoritetet shqiptare po përshpejtojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë për tu përballur me akuzat.
Lini një Përgjigje