Gjykata e Tiranës vendosi të dënojë me 16 vite burg, 14 vjeçarin Mario Perlleshi, pasi e shpalli fajtor për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani.
Mësohet se i mituri është dënuar edhe për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj të miturit, Luis Meçja.
Prokuroria kërkoi 25 vite burg për 14-vjeçarin, por sipas Kodit Penal për të mitur, ai nuk mund të dënohet më shumë se 12 vite. Perlleshi u dënua me 12 vite për vrasjen e Martinit dhe 10 vite për tentativën e vrasjes së Luisit, por në bashkim të dënimeve përfundimisht u dënua me 16 vite heqje lirie.
Në seancë morën pjesë vetëm babai i të ndjerit Martin Cani dhe Luis Meçja.
Ndërkohë, në një pronocnim për mediat, babai i Martin Canit tha se ky vendim është rreze drite për familjen e tij.
“Ngjarjen e Martinit e di gjithë Tirana. Ne heshtim dhe shpesh herë heshtja vret. Shkolla nuk ka kërkuar as pendesë, asgjë. Kur flasim për çështjen qysh të premten dhe me një SMS mund të shpëtonim jetë… shkolla nuk na njoftuar”, tha babai i të ndjerit.
Ndërsa avokati i familjes Cani tha se kjo është një çështje drejtësie.
“Kemi një vendim gjykate që është i drejtë. Janë cilësuar dy vrasje në vendim. Ne mendojmë që nuk është çështje dënimi, por drejtësie”, tha ai.
Si ndodhi ngjarja:
Vrasja e Martin Canit ndodhi më 18 nëntor 2024, në Tiranë, rreth 200 metra larg shkollës “Fan Noli”.
Konflikti mes dy adoleshentëve kishte nisur tri ditë para ngjarjes, brenda ambienteve të shkollës për motive të dobëta. Edhe pse në dukje ishte shuar, konflikti u rindez sërish brenda shkollës.
Të dy të miturit u përplasën në tualetet e shkollës gjatë paradites kur ndodhi ngjarja dhe debatuan ashpër, por u ndanë nga roja i sigurisë.
Pas mësimit, të shoqëruar nga miqtë e tyre, ata u takuan pranë shkollës, ku konflikti u përshkallëzua në një përleshje fizike, duke përfunduar me vrasjen e Martinit dhe plagosjen e Luis Meçes.
Lini një Përgjigje