
Rreth orës 14:20 të së martës, 11 nëntor, u ekzekutua me breshëri plumbash Gilmando Dani 47 vjeç, ndërsa mbeti i plagosur Mustafa Sheqeri 40 vjeç, i cili rezulton një punonjës me kontratë i AMP-së, që bashkë me viktimën po ktheheshin nga një udhëtim në Spanjë.
Automjeti me të cilin ata udhëtonin, Dani si pasagjer dhe Sheqeri në sediljen e shoferit, u qëllua me breshëri në rrethrrotullimin e Rinasit, nga 3 ekzekutorë, që ndodheshin në pritje të shënjestrave, që dolën befasisht nga një automjet tip Toyota me targa të huaja.
Skena ka zgjatur më pak se 4 minuta, referuar pamjeve të publikuara, ndërsa mbi automjetin ku ishin Dani dhe Sheqeri u qëlluan të paktën 80 plumba.
Vrasësit u larguan të pashqetësuar, ndërsa një automjet që dyshohet se u përdor prej tyre u gjet duke u djegur jo shumë larg vendit të krimit, disa orë pas të shtënave.
Kur kanë kaluar 3 ditë nga ngjarja, policia ka përqëndruar kërkimet në Fushë Krujë dhe Nikël, ndërsa dhjetra orë regjistrime nga kamerat e sigurisë janë në duart e grupit hetimor.

Burime nga ky i fundit konfirmojnë se pamjet po shqyrtohen me imtësi pasi ka dyshime se në ngjarjen e rëndë kanë qenë të përfshirë disa persona, përveç një informatori që ka njoftuar ekzekutorët.
Dyshohet po ashtu se përveç makinës së ekzekutorëve në veprim kanë qenë edhe të paktën dy automjete të tjera, ndaj po shqyrtohen pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë perimetrit të atentatit, si dhe në rrugët hyrëse dhe dalëse pranë vendit të krimit.
Në këtë mënyrë ka dyshime se veç ekzekutorëve dhe informatorit të dyshuar që ka njoftuar ekzekutorët, ka persona të tjerë të përfshirë, në role specifike, përfshi edhe atë të koordinatorit. Burimet bëjnë të ditur se dyshohet se ka pasur një koordinim të të gjitha veprimeve para dhe pas atentatit që mund të jenë realizuar nga një person, ndërsa pamjet nga kamerat po analizohen për të identifikuar çdo lëvizje të dyshimtë, individësh apo automjetesh në zonën pranë vendit ku u krye atentati.
Janë pikërisht kamerat e sigurisë që konsiderohen nga grupi hetimor si ‘arma më e fortë’ në duart e hetuesve për të zbardhur ngjarjen, duke shpresuar që momentet para dhe pas ekzekutimit të Danit dhe plagosjes së Sheqerit, persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarje të kenë ‘gabuar’ me lëvizjet e tyre, çka mund të çojnë në identifikimin e atyre.
Lini një Përgjigje