I penduari i drejtësisë Henrik Hoxhaj ka konfirmuar në GJKKO dëshminë që ka dhënë më parë për vrasjen e Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës, i cili ishte objektiv.
Ai ka rrëfyer se me Dumanin është njohur në ditëlindjen e Festim Çolit, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiaj
"Me Nuredin Dumanin jam njohur në ditëlindjen e Festim Çolit, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt. Aty shkëmbyem numrat e telefonit, dhe kemi folur e takuar. Dumani premtoi 60 mijë euro, nga të cilat më ka dhënë 35 mijë, sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri. Ky i fundit ka qenë në timon, unë te sedilja e pasme e pasagjerit. Kam patur 2 pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza, madje ky i ka dalë para Avdylajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar. Me Bitrin s'kam patur komunikim, kur vajta te shtëpia e Nuredinit, e kam gjatur aty dhe jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Dumani s'ishte me ne por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armët, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat. Para ngjarjes madje, në shtëpinë e Dumanit, Elio qëlloi, na tha se ishte shkrepje e pavullnetshme. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar dhe për planin e vrasjes së Besmir Haxhias”, tha Henrik Hoxhaj.
Në GJKKO, Henrik Hoxhaj ka dëshmuar edhe për vrasjen e vëllezërve Haxhia, për të cilët Nuredin Dumani i dha 30 mijë euro. Henrik Hoxhaj ka treguar detaje ku të përfshirë në atentat ishin edhe Klevis Alla që po monitoronte lëvizjet e Besmirit që kishin në shënjestër ndërsa për Viktorin thotë se ishte rastësi.
“Objektiv ishte Besmiri, kur u afruam i pamë të dy, dhe Nuredini me Klevis Allën, i thanë njëri-tjetrit, qenka me vëllain. Viktori ishte rastësi. Dëgjova më pas se kishin plan tjetër edhe për atë por jo atë ditë. Sipas Nuredinit, Klevis Alla do na njoftonte, vrasjen do e bënim ne. Alla na priste me makinën. Mbaja veshur një jelek të OFL dhe kapele OFL, Nuredini më tha se i kishte gjetur në Elbasan. Kisha dy armë automatike në makinë, njërën në dorë tjetrën në xhepin e derës. Shoferi ynë u fut në parakalim kur i pamë vëllezërit, dhe nisa të qëlloj. Nuredinit s'po i shkrepte arma. Kam goditur me xhama mbyllur, Nuredinin se kam parë ç'ka bërë se nuk e kisha mendjen. Kam qëlluar edhe nga xhami i pasëm, shoferin e mjetit, Besmirin. Kam zbritur dhe mora armën tjetër se më mbaruan plumbat dhe qëllova sërish për tu siguruar. Me Klevis Allën që ishte shoferi ynë nuk kam folur asnjë fjalë. Madje teksa më shikonte në fytyrë një moment i kam thënë "ç'ke që sheh, kthehu para". Kapelet dhe jelekun i hodhëm rrugës dytësore në Vorë kur po ktheheshim në Tiranë me Nuredinin."
Hoxha identifikoi në seancë edhe Besian Xhixhon që ndodhej në kafazin e qelqët duke thënë se e ka njohur në Shëngjin.
"Dumani më ka thënë se kishte siguruar eksplozivin me të cilin shpërthyen banesën e Talo Çelos. Talon as se kam takuar as njohur nga afër. Nuredini më thërriste "kusho", asnjëherë me emër. Altin Ndocin ma ka treguar Dumani me foto, se kam takuar as parë. Dumani e ka vëzhguar gjatë pandemisë disa ditë, por nuk e vrau dot. Për vrasjen e vëllezërve Haxhiu, Dumani më dha 30 mijë euro. Kur i thash pse kaq pak, më tha "kusho, e kam hall personal, po ta kërkoj si nder". Gjatë bisedave dëgjova prej tij, se donte ti vriste për llogari të tij, por që me paratë e ndihmonte Erion Alibej. Alibej dyshonte se Ndoci dhe Besmiri kishi qenë të përfshirë në vrasjen e trefishtë në Bradashesh, ku vdiqën vëllai dhe xhaxhai i Alibejt dhe një shtetas turk", tha Hoxhaj.
Procesi për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia po zhvillohet si një i vetëm me vrasjet e shtetasve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Shkak I bashkimit të dosjeve nga SPAK u bë fakti se viktimat kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore mes tyre me dy viktimat, Shkoza dhe Avdia. Katër vrasjet, sipas prokurorisë, janë kryer nga grupi I Talo Çelës, ku bënin pjesë Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva. Për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia ishin paguar me 5 mijë euro dy persona të tjerë të cilët nuk e realizuan krimin pasi njëri prej tyre u prek nga COVID. Më pas në veprim hyri Nuredin Dumani I cili realizoi atentatin. Talo Çela (koka e grupit), Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva akuzohen për 2 vrasje të bujshme në Durrës, që ndodhën brenda një harku kohor prej dy javësh nga njëra-tjetra. SPAK bashkoi dy dosjet, të Besmir dhe Viktor Haxhiaj e ndodhur më më 27 prill 2020 dhe te dy te rinjve që u ekzekutuan në 2 mars 2020, ku të përfshirë ishin 6 persona. Henrik Hoxhaj, cilësohet nga policia si njeriu më i afërt i Nuredin Dumanit. Hoxhaj u arrestua bashkë me Dumanin më 29 mars 2022 në qytetin e Fierit, pas atentatit që ranë pre e u plagosën të dy. Ai është një nga ushtarët më të besuar të Dumanit, me të cilin ka mbajtur kontakte si në Kosovë e Shqipëri.
Lini një Përgjigje