TAGS-AT E JAVËS

Kronike30 Maj 2023, 10:48

Dëshmia kontradiktore e Klevis Allës, Nuredin Dumani shoqërohet në GJKKO

Shkruar nga Pamfleti
Dëshmia kontradiktore e Klevis Allës, Nuredin Dumani shoqërohet
Nuredin Dumani

I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka shkuar sot për të dëshmuar në Gjykatën e Posaçme. Dumani do të dëshmojë në procesin ndaj Altin Ndocit, Klevis Allës, (i penduar i drejtësisë) Besian Xhixhës, dhe Enver Divës, të cilët akuzohen për vrasjen e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia si dhe Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë.

Kujtojmë se për këto ngjarje akuzohet edhe Talo Çela, por procesi për të është ndarë se është në arrati. Dumani tronditi me dëshmitë e tij për botën e krimit, duke sjellë furtunë arrestimesh.

Dëshmia e Allës ka përplasje me rrëfimet e Dumanit, i cili akuzohet për disa ngjarje kriminale si vrasës me pagesë.

Tre javë më parë penduari i drejtësisë Klevis Alla ka dëshmuar para Gjykatës së Posaçme, detaje të reja në lidhje me vrasjen e vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, të cilët u ekzekutuan pranë tregut të automjeteve në Shënvlash të Durrësit më 2 mars 2020. Sipas tij, autor i vrasjes është i penduari tjetër i drejtësisë, Nuredin Dumani, dhe një person tjetër.

Alla ka treguar se ditën e ngjarjes është takuar me Nuredin Duminin i cili mbante në kokë një kapuç dhe bashkë me të ishte edhe një person tjetër të cilin dëshmitari thotë se nuk e njihte por dyshohet të ketë qenë Henrik Hoxha, i cili në dëshminë e tij e ka pranuar përfshirjen në krim. Para gjykatës, Alla pranoi se e ka telefonuar Besmir Haxhinë për tu takuar, dhe ai "nuk është vonuar shumë dhe ka ardhur tek tregu i Shënavlashit".

"Sapo makina tip "Golf 6" është afruar,  Nuredin Dumani ka ulur xhamin e mjetit dhe ka qëlluar, ndërsa autori tjetër ka qëlluar me xham të mbyllur. Pasi ka qëlluar mbi dy vëllezërit, Nuredini ka zbritur nga makina dhe është afruar ku ka qëlluar sërish mbi ta. Pas këtij veprimi ata kanë lëvizur drejt varrezave ku Nuredini dhe ai personi tjetër kanë zbritur dhe kanë marrë rrugën drejt Tiranës", ka dëshmuar ai.

Dëshmitari ka treguar më tej se e ka braktisur makinën "Mercedez Benz" disa metra poshtë varrezave aty ku ka hedhur edhe armët e zjarrit. Një ditë pas krimit, Alla kishte lëvizur makinën nga vendi ku e kishte lënë pasi, kishte parë se në zonë kishte lëvizje të policisë.

"Të nesërmen kam dalë për të pirë kafe me një shok dhe pastaj kam shkuar tek makina e braktisur dhe e kam lëvizur pak më poshtë pasi në zonë po lëviznin disa policë".

Procesi për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia po zhvillohet si një i vetëm me vrasjet e shtetasve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Shkak i bashkimit të dosjeve nga SPAK u bë fakti se viktimat kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore mes tyre me dy viktimat, Shkoza dhe Avdia. Katër vrasjet, sipas prokurorisë, janë kryer nga grupi i Talo Çelës, ku bënin pjesë Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva. Për vrasen e dy vëllezërve Haxhia ishin paguar me 5 mijë euro dy persona të tjerë të cilët nuk e realizuan krimin pasi njëri prej tyre u prek nga COVID. Më pas në veprim hyri Nuredin Dumani i cili realizoi atentatin.

#talo Çela #nuredin dumani #blindohet spak

Lini një Përgjigje