Një shtetas francez me inicialet Z.K. është lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg” me kërkesë të Prokurorisë së Sarandës, pasi akuzohet për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”.
Sipas hetimeve, francezi në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka përvetësuar të dhëna bankare të qytetarëve shqiptarë përmes mesazheve mashtruese të dërguara në telefon.
Autorët përdornin karta SIM të regjistruara me identitete të tjera dhe dërgonin SMS në emër të “Postës Shqiptare”, ku qytetarëve u kërkohej të paguanin tarifa doganore për një paketë të pretenduar.
Në mesazhin mashtrues shkruhej: “POSTA SHQIPTARE: Paketa juaj AL91359200 i nënshtrohet tarifave doganore (55 ALL). Ju lutemi, konfirmoni dorëzimin në: https://aktivpostalb.com”.
Hetimet dyshojnë se përmes linkut të dërguar, autorët arrinin të merrnin të dhënat bankare të viktimave dhe t’i përdornin ato për përfitime të paligjshme.
Prokuroria e Sarandës po vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në skemën mashtruese.
Lini një Përgjigje