Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimet ndaj Emiljano Shullazit dhe pjesëtarëve të grupit të tij kriminal, duke rrëzuar rekurset e paraqitura prej tyre kundër vendimit të Apelit të GJKKO-së.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Genti Shala dhe Enton Dhimitri, të cilët konfirmuan dënimet për veprat penale të “gjobëvënies” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.
Sipas vendimit përfundimtar, Emiljano Shullazi do të vuajë 14 vite burg. Endrit Qyqja dhe Endrit Zela janë dënuar me nga 10 vite burg secili, ndërsa për Blerim Shullazin është lënë në fuqi dënimi me 9 vite heqje lirie.
Për Gilmando Danin, Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit për shkak se ai ka ndërruar jetë.
Dani u ekzekutua në një atentat mafioz në nëntor të vitit 2025 pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ngjarje ku mbeti i vrarë edhe efektivi i AMP-së, Mustafa Sheqeri.
Ndërkohë, Emiljano Shullazi vijon të jetë nën hetim nga SPAK edhe në dy procedime të tjera penale, të njohura si operacionet “Asgjë nuk harrohet” dhe “Revanshi”.
Lini një Përgjigje