
Gazetari Sokol Bregu ka deklaruar se krimit në Shqipëri i duhen më shumë armë, pasi pothuajse të gjitha digjen fill pas vrasjeve. Ai vë në dukje se që prej 2018-ës kemi vetëm një armë të paasgjësuar, që lidhet më një vrasje në Vlorë.
“Krimit i duhen në përdorim shumë armë. Armët digjen, dhe krimi është në kërkimin e një arme që në Shqipëri fatkeqësisht është gjetur lehtë. Ata që krijojnë kushtet për një vrasje janë të rëndësishëm për t’u goditur. Ka një bilanc në mars, në shifra duket i madh, dhe kur e mendojmë që prisnim një amnisti ku do liroheshin 600 të dënuar, dërgojmë 500 persona të tjerë që kanë konsumuar vepra penale. Sa i përket ‘Tempulli’-t, në pjesën më të madhe, gjykata i ka vlerësuar arrestet të ligjshme në 97 për qind të rasteve.
Ne i dimë armët që janë përdorur në vrasje dhe që mund të jenë ende në duar të krimit. Në 5 muajit e fundit vetëm një armë është e padjegur ende, është arma e krimit në Vlorë. Nuk mendoj që s’e kanë shkatërruar në një formë tjetër, sepse s’kemi më vrasës amatorë. Ata e zhdukin provën direkt. Nuk i besojnë kurrkujt. Mbajtja e një arme që dikur ka kryer një krim, është një vështirësi e madhe, që kurrkush s’e mban më. Që nga 2018-ta nuk i mbajnë më armët e krimit. E vetmja mbetet ajo që kreu krimin në Vlorë, një pushkë. Kanë vetëm një predhë që s’mund të japë asnjë verifikim shkencor se nga cila pushkë është kryer qitja”, tha ai në “MCN”.
Bregu propozon që në Shqipëri të dënohet minimalisht me 3 vite promovimi i dhunës në rrjetet sociale.
“Është pak e çuditshme me shoqërinë në Shqipëri, që nuk bazohet në asnjë moment te falja, te një edukatë më ndryshe, të zgjidhja e një konflikti me bisedë, jo në çdo moment kapet thika. Shkollat janë njësoj, është brezi që ndryshon. Të gjitha programet edukuese, arsimore, që flasin për shoqërinë, kryesisht për të rinjtë, janë produktet më të pandjekura në TV. Bota po tenton ta çojë në 25 vite burg promovimin e dhunës në rrjetet sociale. S’kemi pse i lutemi TikTok-ut, identifikim të atij që nxjerr armën në TikTok. Nëse ti e çon, promovimi i dhunës, 3 vjet burg minimalisht. Atëherë të shohim a do kemi më promovime”, tha ai.
Lini një Përgjigje