TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Qershor 2023, 11:41

Veriu "Lazarati i dytë", Policia operacion anti-drogë në Krujë, Lezhë dhe Mat

Shkruar nga Pamfleti

Veriu "Lazarati i dytë", Policia operacion anti-drogë

Ditën e sotme policia e shtetit ka vijuar operacionet anti-drogë në disa qytete të Shqipërisë si Kruja, Lezha dhe Mati ku janë zbuluar disa parcela kanabisi.

Uniformat blu bëjnë me dije se janë gjetur dhe asgjësuar me anë të djegies gjithsej 1258 fidanë kanabisi.

Sakaq, kultivuesit e këtyre bimëve nuk janë identifikuar ende, ndërsa në Mat është shpallur në kërkim Flamur Elezaj, 44-vjeç, i cili dyshohet si autori i kultivimit të bimëve narkotike.

Policia ka asgjësuar ditën e sotme 494 fidanë me kanabis sativa në fshatrat e Krujës. Uniformat blu raportojnë se në kuadër të operacionit ‘Territori i pastër’ u zbuluan 16 parcela me bimë narkotike në fshatrat Brret dhe Picrragë.

Fidanët dhe bimët e dyshuara narkotike u asgjësuan me anë të djegies, përveç një pjese të vogël që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Zbulimi i parcelave u krye nga efektivë të Komisariatit të Policisë Krujë, të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës dhe të FNSH Tiranë, të cilët kanë kryer kontrolle në zona të pyllëzuara të rrethit, të asistuar edhe nga përdorimi i dronëve.

Në kuadër të 10 fazave të këtij megaoperacioni janë asgjësuar 6868 bimë narkotike cannabis sativa. Komisariati i Policisë Krujë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale. Kontrollet kundër kultivimit të bimëve narkotike, vijojnë në të gjithë territorin e rrethit.

Gjithashtu në fazën e dhjetë të operacionit anti-drogë të zhvilluar në disa zona të qarkut Lezhë, uniformat blu kanë zbuluar 600 bimë kanabis, kultivuesit e së cilave nuk janë identifikuar ende.

Dronët kanë zbuluar disa parcela me kanabis në territorin e fshatit Kaluer, Lezhë, ku u gjetën të kultivuara në tokë të ndara në parcela 300 bimë kanabis si edhe në fshatin Gërnac, Kurbin, u gjetën të kultivuara në tokë në zonë të pyllëzuar, 300 bimë të tjera narkotikë kanabis, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.

Policia e Lezhës dhe Prokurorinë Lezhë, po vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

“Gjatë 9 fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, në fshatra të ndryshëm të qarkut, u asgjësuan me anë të djegies në total 14.779 bimë narkotikë dhe u vunë në pranga 3 shtetas si dhe u shpall 1 tjetër në kërkim, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale”, njofton policia.

Nga Blutë e shtetit raportohet gjithashtu se 164 bimë narkotike kanabis janë asgjësuar me anë të djegies në Mat. Lënda narkotike u zbulua në vendin e quajtur "Maja e Manjolës", në fshatin Selicë.

Policia ka shpallur në kërkim Flamur Elezajn, 44 vjeç, banues në Krujë, si autori i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike, për të cilin vijojnë kërkimet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë kontrollit në automjetin që përdorej nga ky shtetas, ju gjet një shumë lekësh dhe eurosh, që dyshohet janë përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve.

 

lezhe kruje mat lazarati i dyte

Lini një Përgjigje