TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Qershor 2023, 09:31

Mashtroi bizneset dhe përfitoi 3 mln euro, arrestohet agjentja postare në Korçë; skema si i grabiste paratë e klientëve

Shkruar nga Pamfleti

Mashtroi bizneset dhe përfitoi 3 mln euro, arrestohet agjentja postare

Një 46-vjeçare ka rënë në prangat e policisë së Korçës pasi përfitoi 3 milionë euro duke mashtruar biznese të ndryshme nëpërmjet postës ku punonte.

Uniformat blu raportojnë se bëhet fjalë për shtetasen Alma Beqiri, e cila punonte si agjente e shërbimeve postare private.

46-vjeçarja ishte nën hetim prej disa muajsh pasi dyshohet se ka vjedhur shuma monetare në lekë dhe valutë, duke mashtruar bizneset të cilat operonin online dhe dërgonin porositë e tyre tek klientët në Korçë.

Sipas policisë, mësohet se pasi qytetarët që kishin bërë porosi nga këto biznese merrnin pakot e tyre dhe kryenin pagesën, Beqiri nuk ua dorëzonte këto pagesa bizneseve duke i mashtruar. Hetimi ka filluar pak muaj më parë, pas denoncimeve të bëra nga disa biznese. 46-vjeçarja gjatë periudhës 2021-2023, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3 000 000 euro.

Shumat e përfituara, gruaja dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emrin e saj dhe të familjarëve. 

Në lidhje me rastin po hetohet nga ana e prokurorisë dhe policisë nëse ajo ka vepruar e vetme apo ka patur edhe bashkëpunëtorë.

"Operacioni, i finalizuar pas hetimeve të thelluara 2-mujore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e mashtrimit me pasoja të rënda.

Përfitonte shuma të konsiderueshme monetare, duke mos arkëtuar pagesat e klientëve që merrnin shërbimin postar, tek kompania private në të cilën ishte e punësuar agjente e shërbimeve postare private, vihet në pranga 46-vjeçarja.

Sekuestrohen 2 automjete që i kishte në përdorim kjo shtetase.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, pas hetimeve 2-mujore, finalizuan operacionin e koduar “Postmail”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases:

-A. B., 46 vjeçe, banuese në Korçë.

Nga veprimet e thelluara hetimore rezulton se kjo shtetase, gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3 000 000 euro. 46-vjeçarja, me detyrë agjente e shërbimeve postare private, shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim.

Shumën e konsiderueshme të përfituar, kjo shtetase dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja.

Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë skemë mashtrimi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.", raporton policia.

mashtim korce arrestim agjente

Lini një Përgjigje