
Prokuroria e Lushnjës ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e një shtetasi spanjoll pak ditë më parë për të cilin u raportua se kishte kryer vetëvrasje.
Përmes një njoftimi bëhet me dije se regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm për dinamikën dhe shkaqet e ngjarjes.
“Ky procedim është në fazën fillestare të tij dhe nisur nga natyra e çështjes janë kryer veprimet e plota hetimore që konsistojnë në këqyrjen e vendit të ngjarjes, sekuestrimin e provave materiale dhe këqyrjen e tyre, janë marrë vendimet e nevojshme të ekspertimit, janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen. Të gjitha të dhënat e përftuara deri në këtë fazë po analizohen dhe kryqëzohen me njëra-tjetrën, me qëllim përcaktimin e shkakut të ardhjes së pasojës”, sqaron prokuroria.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 21 marsit, ku shtetasi spanjoll Francisco Javier Carraso Cervilla u gjet i vdekur brenda tualetit të hotelit në fshatin Karavasta të Divjakës.
Ka qenë shoku i dhomës kolegu i tij, Osvaldo Velasco 41 vjeç që e ka gjetur në banjën e dhomës që ndanin të dy. Ky i fundit ka kërkuar një ambulancë por 47 vjeçari ndërroi jetë për shkak të plagëve që mendohet se ia ka shkaktuar vetes.
Lini një Përgjigje